Kuvend, bajpasi i Fierit dhe rruga Fier-Tepelenë përplas ashpër opozitën dhe pozitën
Ligji për lirimin e banesa, PS nuk merr pjesë në votim, akuza mazhorancës
Akti normativ për lirimin e banesave dhe financimi i bajpasit Fier–Tepelenë ishin dy çështjet më të nxehtë të punimeve të djeshme të Kuvendit. Pavarësisht se të dyja këto çështje përplasën mes tyre pozitën dhe opozitën parlamentare, në fund të punimeve si projektligji për banesat e ish-pronarëve, ashtu dhe projekti për bajpasin u miratuan. Por në dallim nga ky i fundit, i cili mori votat e të dyja kampeve, projektligji për banesat u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita zgjodhi që të mos marrë pjesë në votim . Ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim, konkretisht kreu i saj, Ilir Merta, Nasip Naço, Lefter Koka së bashku me deputetin Kastriot Islami abstenuan ligjin për lirimin e banesave të ish-pronarëve.
Debati për bajpasin
PS-ja e PD-ja në Kuvend nxituan t’ia atruibuojnë secila vetes arritjet në investimet mbi infrastrukturën rrugore, ku secila palë akuzoi tjetrën se ka qenë pengesë për vënien në efiçencë të projekteve. Në emër të grupit kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi deklaroi se mazhoranca e sotme mburret me projektet e financuara dhe të tenderuara nga PS-ja në kohën kur ishte në pushtet. “Levan–Vlorë e projektuar nga ne, ju keni tenderin korruptiv dhe zvarritje. Levan–Tepelenë e projektuar nga ne, gënjeshtra e radhës se ju thatë që ne e kemi lënë Tepelenën jashtë, ju po përdorni projektin e kompanisë franceze 3.5 milionë euro. Gjirokastër–Tepelenë ju e zvarritët. Kjo është e vërteta për projektet e Jugut”, -vuri në dukje Ruçi. Në po këtë linjë ishte dhe deklarata e deputetes socialiste Arta Dade. “Në kontratën financiare për financimin e projektit Fier–Tepelenë, paraqitur sot për miratim, që ne do ta votojmë pro jo se Saliu na ka etiketuar se jemi kundër rrugëve, as për apologjinë që Saliu bëri këtu, por për arsye se kjo qeveri duhet t’u japë fund zvarritjeve dhe mashtrimeve”, – vlerësoi Dade. Përkundrejt këtyre pretendimeve ministri i Transportit, Sokol Olldashi, tha: “PS-ja ka prirje teatrale, ka vite që e bën, po është hera e parë që ulet në nivelin e komedisë. Tri saktësime. Sa i takon rrjetit rrugor, Shqipëria është vlerësuar si e para në rajon. Jemi detyruar të modifikojnë projektet tuaja. Ajo që ju kishit bërë parashikonte shmangie totale të Tepelenës. Projekti fillestar parashikonte që bajpasi të fillonte në Memaliaj dhe vijonte. E modifikuam që Tepelena të mos anashkalohet, por të kalohet përbri. Së treti, qeveria shqiptare nuk do të marrë kosto për atë rrugë që prek HEC-i i Kalivaçit dhe koston shtesë do ta përballojë koncensionari.”
Debati për lirimin e banesave
Ashtu siç pritej, akti normativ i qeverisë për lirimin e banesave të ish-pronarëve solli debate të ashpra mes opozitës dhe pozitës. Deputeti demokrat Gert Bogdani, duke akuzuar opozitën për mendësi komuniste, i bëri thirrje që të votojë aktin për t’i dhënë fund padrejtësisë që u është bërë pronarëve të vërtetë. “Arsyeja reale është se keni mendësi komuniste dhe mospajtimi me faktin se kjo është një hap për të çuar para padrejtësinë që u është bërë familjeve tiranase”, – deklaroi Bogdani. Por ndërkohë, në emër të grupit socialist, Sajmit Tahiri akuzoi qeverinë se ka keqësuar konfliktin e pronave, duke dhënë statistikën alarmante të vrasjeve për këto çështje.
Debati
Topalli, Tahiri e Olldashi në replika
Topalli – Tahirit: Nëse ndonjë pronar ka marrë pronën e tij, e ka ndërtuar dhe ka zhvilluar pronën e tij, shiko se çfarë urrejtje keni ju. More sekretari i parë i partisë në Tiranë, nëse pronën tënde ta konfiskojnë dhe ia japin dikujt tjetër dhe të mos i marrësh për 70 vjet, si ndihesh ti?
Olldashi – opozitës: Ju thoni që njerëzillëk është ai që shpallët ju dje me protesta. Po kë nxorët në protestë? I pashë, familjen e Luan Babametos, ish-ministër; familjen e Rrahman Makut, ish-ministër; familjen e Petro Dodes, ish-kryetar i Planit të Shtetit; familjen e Prokop Murrës, ish-ministër; familjen e Skënder Kosovës, hierark i Sigurimit; familjen e Sotir Koçollarit, në Bashkimet Profesionale; familjen e Kristo Themelkos, Reshat Hysit, ish-drejtor i Sigurimit të Shtetit; familjen e Koço Priftit, familjen e Aleks Vendit, familjen e Pilo Peristerit, familjen e Vasil Nathanailit, ish-ministër, që rri në shtëpinë e Jorgo Kllakit, ditëziut që rri në Korçë.
Tahiri – Topalli: Hapini sytë! Znj. Topalli e di që ju vjen më për mbarë të silleni si kujdestare të ndonjë konvikti vajzash dhe jo si kryetare. A e dini sa probleme ka me pronat? Janë vrarë 8 mijë 100 qytetarë në mbarë vendin.