Partia Socialiste i ka drejtuar akuza të ashpra Kryeministrit të vendit Sali Berisha për përdorimin e fëmijëve dhe nxënësve të shkollës si dekor në përurimet që po bën së fundmi kreu i shtetit nëpër shkollat e vendit. Në deklaratën për shtyp të lëshuar nga partia më e madhe opozitare në vend kjo propogandë e pastër politike në tubimet e Berishës është quajtur pedofili politike.
Akuzat
“Propaganda e pastër politike që Sali Berisha po zhvillon në shkollat e Shqipërisë është një shfaqje e pashembullt dhe e paimagjinueshme për çdo vend europian. Pamja e të miturve të vënë në rresht për të shërbyer si dekor për propagandën e shthurur të kryeministrit nuk ka sesi të mos revoltojë e të mos turpërojë çdo qytetar të këtij vendi. Sali Berisha po shkel në mënyrën më të papranueshme pikat 4 dhe 8 të nenit 32 të ligjit për arsimin parauniversitar, të miratuar me konsensus jo më larg se qershori këtij viti, sipas të cilave arsimi parauniveritar jo vetëm është i depolitizuar, por ndalohet, në mënyrë eksplicite dhe kategorike, organizimi në këto institucione i veprimtarive partiake, si ato që po zhvillon Sali Berisha” thuhet në këtë komunikim për shtyp të partisë socialiste. Kjo e fundit e ka konsideruar abuzim me të mitur mbledhje dhe detyrimin e të mituve për të marrë pjesë në ianugurimet dhe fushatën “e fshehur” zgjedhore që o bën partia në pushtet. “Sot u kujtojmë të gjithë atyre zyrtarëve të shtetit shqiptar, drejtorëve të shkollave, kryekomunarëve, kryebashkiakëve, drejtorëve të drejtorive arsimore dhe drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, por edhe vetë mësuesve, si nëpunës të këtij shteti që kanë për detyrë mbrojtjen e fëmijëve, se duke kontribuar në organizimin e këtyre abuzimeve janë duke shkelur në mënyrën më flagrante e më të rëndë ligjet e këtij shteti, duke marrë mbi vete përgjegjësi të rëndë ligjore dhe zemërimin e një shoqërie të tërë që sheh e traumatizuar sesi shkollat po shndërrohen nga institucione pedagogjike në arenën e një abuzimi pervers me pjesën më të pafajshme e më të pambrojtur të kësaj shoqërie. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje të gjithë prindërve, si edhe nëpunësve të shtetit, mësuesve dhe drejtuesve lokalë, të distancohen nga këto akte të papërgjegjshme të Kryeministrit dhe të protestojnë në mënyrë civile ndaj kësaj pedofilie politike të Sali Berishës.