Anulimi i mbledhjes revolton këshilltarët e majtë

Mungesa e shumë anëtarëve  shtyn seancën e radhës të këshillit bashkiak

Dalipi: Basha s’kishte kuorum, ndaj anuloi mbledhjen

Mungesa e një pjese të konsiderueshme këshilltarësh është bërë shkak për anulimin e mbledhjes së radhës që do të zhvillonte gjatë ditës së djeshme këshilli bashkiak i Tiranës. Vendimi i marrë nga kreu i këshillit, sipas burimeve zyrtare të Bashkisë së Tiranës, u mor pasi arsyet objektive, veçanërisht ato shëndetësore,  penguan pjesëmarrjen e disa për përfaqësuesve të këshillit. Por ky vendim për spostimin e mbledhjes drejt një tjetër dite të afërt ka revoltuar këshilltarët e majtë. Menjëherë pas komunikimit për shtyrjen e mbledhjes kreu i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, denoncoi atë që ai e quajti “anulim pa asnjë shkak e pa asnjë njoftim zyrtar të mbledhjes së këshillit”, duke argumentuar se Basha s’kishte kuorum, ndaj dhe mori vendim për shtyrjen e mbledhjes.  “Mbledhja e këshillit bashkiak u anulua pa asnjë arsye dhe pa asnjë njoftim zyrtar. Lulzim Basha nuk ka shumicën prandaj dhe anuloi mbledhjen e këshillit bashkiak. Mazhoranca humbi sot në këshillin bashkiak, mbledhja nuk duhej të anulohej”, – ka deklaruar Dalipi gjatë ditës së djeshme.  Ndryshe nga seancat e mëparshme, në mbledhjen e djeshme lista e projektvendimeve që do t’i kalonin për miratim këshilltarëve ishte e gjatë. Pjesë e rëndësishme e vendimeve që pritet të marrë këshilli në mbledhjen janë projektvendimet për realizimin e të ardhurave nga Bashkia e  Tiranës gjatë vitit të shkuar, duke u ndalur veçanërisht tek taksat dhe tarifat vendore. Pjesë e kësaj mbledhjeje do të jetë edhe projektvendimi për ndryshimet që do të pësojë taksa e ndërtimit në infrastrukturë për të gjitha ndërtimet e reja që do të bëhen në kryeqytet. Gjithashtu dosja e vendimeve që u është kaluar këshilltarëve për miratim përmban edhe dy projektvendime të rëndësishme sa u takon sistemimit dhe shtimit të dy linjave të reja në transportin publik të kryeqytetit. Dosja përmban edhe projektvendimin për emërtimin “Janosh Huniadi” të një pjese të rrugës “Vaso Pasha”, projektvendimin për vendosjen në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë të disa monumenteve në sheshet e qytetit të Tiranës: monumentit të Pavarësisë, shtatores së Ismail Qemalit dhe  shtatores së Ahmet Zogut,  si dhe një tjetër projektvendim për kalimin e disa kompetencave njësive bashkiake dhe një ndryshim në numrin e punonjësve të njësive bashkiake dhe Drejtorisë së Përgjithshme nr.1 të Punëtorëve të Qytetit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>