Apeli i fundit, Financat: Deklaroni të ardhurat personale

Ministria fushatë sensibilizimi. Ja kush paguan

Ministria e Financave ka kujtuar të gjithë individët me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë që brenda shtatorit duhet të bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave. “Në bazë të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat’’, i ndryshuar, si dhe të udhëzimit të Ministrit të Financave nr.5, datë 30.06.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, çdo individ që ka të ardhura bruto vjetore, nga të gjitha llojet e burimeve të ardhurave, në dhe mbi shumën 2 milion lekë gjatë vitit 2011 ka detyrimin për të plotësuar deklaratën vjetore të të ardhurave personale deri më datën 30 shtator 2012. Synimi i plotësimit të kësaj deklarate është formalizimi i të ardhurave mbi 2 milionë lekë që sigurohen nga individët, rritja e nivelit të vetëdeklarimit të këtyre të ardhurave, si dhe pajisja e individëve me kodin fiskal”, – thuhet në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Financave. Deklarata gjithashtu përmban opsionin e plotësimit në mënyrë vullnetare nga të gjithë individët që realizojnë të ardhura deri në 1,050,000 lekë gjatë vitit 2011 dhe duan të përfitojnë nga zbritja e shpenzimeve të kredive për shkollim të fëmijëve, të shpenzimeve mjekësore dhe shpenzimeve për sigurim vullnetar. Nga analizat më të fundit të realizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton se pritet të jenë të paktën 30 deri në 50 mijë individë që duhet të deklarojnë të ardhurat personale të krijuara gjatë një viti. Në fillim shifra ishte 300 mijë, por më pas, duke parë nga afër të ardhurat e deklaruara nga pagat, tatimet dolën në shifrën finale. “Pra, do të deklarojnë në mënyrë detyruese të gjithë ata që përfitojnë një të ardhur mujore më shumë se 1.5 milion lekë të vjetra. Rritja erdhi nga një propozim i USAID-it, i cili, pasi studioi tregun e punës, arriti në përfundimin se, nëse do të pranonim pragun që ne kishim më parë, numri i deklaratave në vit do të ishte nga 1.2 deri në 1.6 milion veta, çka e bënte sistemin pak të rëndë dhe të pamundur për të implementuar me sukses që në fillim”, – sqaron ministri i Financave, duke dhënë edhe arsyet pse u rrit pragu për deklarimin. Çdo deklaratë individuale vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal në letërnjoftimin e individit, i cili shërben si kod fiskal i individit. Edhe në rastin kur individi është person jorezident në Republikën e Shqipërisë, si kod fiskal shërben numri i identifikimit personal në letërnjoftimin e individit. Gjithashtu nga 800 mijë lekë u bë në 1050 mijë lekë kufiri tavan i të ardhurave vjetore të deklaruesve që përfitojnë nga shpenzimet e zbritshme. Ky kufi është përllogaritur mbi bazën e pagës maksimale mujore dhe indeksohet çdo vit paralelisht me indeksimin e pagave (që do të thotë se do të ndryshojë sërish).

 

Leverdia

Ministria e Financave thotë se të plotësosh deklaratën vjetore të të ardhurave për një kategori të caktuar individësh do të ketë përfitim. Shuma e shpenzimeve të zbritshme nuk duhet të jetë më e madhe sesa shuma e të ardhurave bruto të tatueshme vjetore. Në rast të plotësimit të deklaratës nga individi (jo kryefamiljar), shpenzimet vjetore për mjekim, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8532 lekë vetëm për individin deklarues. Në rast të plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari, bazuar në pikën 3, të nenit 13/1 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, shpenzimet vjetore për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8532 lekë për secilin anëtar të familjes, por jo më shumë se 32000 lekë, shuma këto të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>