Arkivistja dhe specialistja Regina Longon në Tiranë

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, një thesar në rrezik

Është një fakt tragjik që 90% e filmave të xhiruar përpara 1929 dhe gjysma e filmave amerikanë të prodhuar përpara 1950 kanë humbur përgjithnjë. Tani edhe Shqipëria po përballet me të njëjtën situatë serioze, si dhe kinemaja amerikane para njëzet vjetësh. Koleksioni i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit përmban 6422 filma, ndër të cilat 4,329 filma të vjetër dhe të rinj të prodhuar në Shqipëri. Ndërsa 2,093 filma të huaj të prodhuar në vende të ndryshme të botës. Pra, në total 44.000 kuti filmi. Ndërkohë që festojmë përvjetorin e kombit tonë, ashtu si dhe të arkivit të filmit, rritet gjithnjë e më tepër nevoja për të mbrojtur dhe ruajtur imazhet historike shqiptare që datojnë që prej vitit 1911.

“Nëse nuk marrim masat e duhura sa më shpejt, trashëgimia kinematografike e vendit tonë mund të humbasë përgjithnjë. Kjo është sfida jonë e re: të sigurohemi që këta filma që përfaqësojnë historinë dhe kulturën shqiptare të mbijetojnë për brezat e ardhshëm. Këtë vit do të përpiqemi në çdo formë të rrisim ndërgjegjësimin për rëndësinë kulturore, artistike dhe historike që mbart në vetvete ruajtja e trashëgimisë kinematografike. Ne besojmë që kjo është sprova më e madhe në dekadën e ardhshme”, shprehen drejtues të AQSHF. Gjatë vitit të fundit AQSHF ka pasur vështirësi në ruajtjen e kushteve të nevojshme të temperaturës dhe lagështisë në ambjentet ku këta filma të çmuar ruhen. Temperaturat mjaft të larta shkaktuan myshk, si dhe sindromën uthull, dy dukuri që shkatërrojnë shiritat filmik.

Së bashku me Thomas Logorecin, kineast dhe skenarist amerikan me origjinë shqiptare dhe Iris Elezin, regjisore shqiptare, AQFSH kontaktoi Regina Longon, specialiste e njohur në ruajtjen e arkivave, si dhe studiuese filmi në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara. Regina M. Longo, specialiste profesioniste në fushën e arkivave dhe të filmit, ka punuar për gjashtë vjet në Shtetet e Bashkuara në Muzeun Memorial të Holokaustit në Uashington DC për restaurimin dhe rindërtimin e xhirimeve të Shoah-ut të Claude Lanzmann, si dhe për koleksionin e Bryan Julien. Ajo është anëtare aktive e Shoqatës së arkivistëve “Association of Moving Image Archivists” (AMIA) dhe punon për disa arkiva jo fitimprurëse dhe institucione për vlerësimin, dokumentimin dhe ruajtjen e koleksioneve të tyre filmike.

“Regina na ka ndihmuar duke na dhënë mbështetje profesionale, si dhe duke ndarë nevojat e arkivit tonë me një numër arkivash amerikanë. Falë punës së saj të vazhdueshme në këta tre muaj, arkiva dhe profesionistë të industrisë së filmit u treguan të gatshëm të dhurojnë kuti filmash, si dhe ndihmë në forma të tjera për arkivin tonë”. Gjithashtu është vendosur kontakt edhe me kolegët tanë në “Association of Moving Image Archivists” dhe në “Advocacy Committee” që përbëhen nga borde me ekspertë ndërkombëtarë, të cilët gjithashtu janë të gatshëm të ndihmojnë. Libraria e Kongresit (SHBA) dhe KODAK kanë grumbulluar mbi 10,000 kuti plastike për t’ia dërguar arkivit tonë. Megjithatë, kemi ende shumë punë përpara nësë duam të shpëtojmë këta filma – thesare të çmuara.

Arkivistja Regina Longo ndodhej në Tiranë për dy ditë. Longon, specialiste arkivash prej muajsh ajo ka asistuar dhe këshilluar në distancë (online). Qëllimi i ftesës dhe njëkohësisht arsyeja e vizitës së saj, është që Regina Longo, si specialiste profesioniste në fushën e arkivimit të filmit, të bëjë një vlerësim të detajuar të gjendjes në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit; gjendjen e fondit 35 mm, kushtet aktuale të ruajtjes, menaxhimin e fondit, kushtet e ndërtesës dhe të sistemit të ftohjes dhe ventilimit. Pas vlerësimit të gjendjes dhe faciliteteve që AQSHF ka aktualisht, Regina do të përgatisë një raport të hollësishëm dhe një plan veprimi për masat konkrete që duhen marrë në mënyrë që fondi arkival të mos rrezikohet nga faktorët e jashtëm që mund t’i ulin jetëgjatësinë. Me asistencën e bashkëpunëtorit tonë Thomas Logoreci dhe kontakteve të tij në botën e filmit në SHBA, Arkivi Shqiptar i Filmit është duke bërë lobing në qarqet profesioniste në SHBA dhe Evropë për çështjen e Arkivit të Filmit. Fondacioni “Martin Scorsese”, aktorja e famshme Tilda Swinton, njëkohësisht aktiviste në fushën e kulturës dhe producente filmi, Libraria e Kongresit në SHBA, Mark Cousins nga MUBI, STIL ‘casing solutions’; si dhe njerëz dhe institucione të tjerë janë ofruar të dhurojnë për AQSHF, kuti filmi plastike dhe materiale të tjera të nevojshëm për kujdesin ndaj filmit. Ambasada amerikane në Shqipëri po ashtu i është bashkuar kauzës sonë. Sekretari i zyrës për marrëdhëniet me publikun në ambasadën amerikane, Mr. Niles Cole, ishte gjithashtu i pranishëm dje në Arkiv dhe asistoi në bisedat me ekspertet amerikane Rexhina Longo dhe Roxanne Suratgar, inxhiniere dhe eksperte pranë UNDP, Kosovë. Grupi pati gjithashtu një takim të hënën edhe me ministrin Aldo Bumçi, i cili e vlerësoi punën sensibilizuese të AQSHF dhe bashkëpunëtorëve si Regina Longo, Thomas Logoreci e Iris Elezi. Ai garantoi ndërhyrjen zyrtare të MTKRS në procesin e transportit dhe zhdoganimit të mallrave që do të vijnë si donacione për AQSHF apo në procese të tjera që do të jenë të nevojshme. Raporti i detajuar me buxhetin përkatës do të jetë gati në harkun kohor të 1 jave dhe do të paraqitet në MTKRS. Një fokus tjetër do të jetë plani i marketingut për të siguruar fonde përtej buxhetit të shtetit të destinuar për AQSHF. Për këtë qëllim do të përzgjidhen 5 filma përfaqësues të kinemasë shqiptare, të cilët njëkohësisht të përmbajnë vlera të ngjarjeve historike nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria, për të prodhuar një kopje të restauruar e të subtitruar në anglisht. Kopjet e restauruara në 35 mm, me ndihmën e laboratorëve me të cilat bashkëpunon Regina Longo, do të jenë pjesë e programeve kulturore brenda dhe jashtë vendit, e festivaleve e javëve të filmit me qëllimin që publiku i huaj të njihet me kinemanë e vjetër shqiptare, e cila është ende pak e njohur në botë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>