Norma e interesit mbetet 0.75%
Banka Qendrore Evropiane ka rënë dakord për një plan të ri të blerjes së obligacioneve të enjten, për të ulur koston e huamarrjes së vendeve problematike të zonës euro, që do të shërbejë si një mbështetës i plotë dhe efektiv, tha dje presidenti i bankës Qendrore Evropiane (ECB) Mario Draghi. “Këshilli qeverisës i ECB-së ra dakord për “modalitetet për transaksionet monetare”, deklaroi Draghi në një konferencë për shtyp pas mbledhjes mujore të politikës monetare, që u zhvillua në Frankfurt. Duke kërkuar që t’i përmbahej angazhimit për të bërë çfarë ishte e mundur për të ruajtur euron, Draghi tha se programi i ri i blerjes së obligacioneve, i synuar për tregun sekondar, do të “ruante politikën e transmetimit monetar në të gjitha shtetet e zonës euro”. Ai do të adresonte shtrembërimet e tregut të obligacioneve dhe frikave të pabaza të investitorëve rreth kthyeshmërisë së procesit të euros. Skema, të cilën dihet që Bundesbank gjerman e ka kundërshtuar do të jetë një “mbështetës efektiv për të parandaluar skenare potencialisht shkatërruese”, vazhdoi ai. “Ne jemi në përputhje me mandatin tonë”, tha Draghi. Ndërkohë pas publikimit të këtyre masave një ndër të cilat ishte edhe mos ndryshimi i normës së interesit, bursat evropiane mbetën në rritje. Në tregtimet e pasdites, bursat ruajtën fitimet e mëngjesit, si rrjedhojë e pritshmërive të veprimeve të ECB-së.