Mblidhet këshilli bashkiak. Basha: Kërcënimi i këshilltarit të opozitës, kurth politik
Bashkia ka bërë transparencën e projektit për zgjerimin e rrugës së Elbasanit
Ngritja e një komisioni të përkohshëm për shqyrtimin e të gjitha procedurave dhe praktikave të ndjekura nga administrata tatimore e Bashkisë në riklasifikimin e subjekteve të biznesit ka ndezur debate të forta në mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak. Duke akuzuar Bashkinë për ndjekjen e procedurave jotransparente, këshilltarët e majtë, ndonëse kanë propozuar ngritjen e këtij komisioni, e braktisën atë duke mos ngritur kartonët gjatë procesit të votimit. Akuzave të ngritura kryebashkiaku Basha u është kundërpërgjigjur duke deklaruar se taksat për biznesin në kryeqytet nuk kanë pësuar asnjë rritje. Basha i garantoi këshilltarët e majtë për transparencë me taksat dhe theksoi si prioritet të Bashkisë përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen punësimit. “Në kryeqytet nuk janë rritur, përkundrazi, taksat janë ulur, madje janë më të ulëta se në qytetet e tjera të vendit. Sot Bashkia ka jo vetëm vullnetin, angazhimin, por dhe instrumentet e duhura për ta bërë transparencën rast pas rasti. Garantoj instrumentet e plota të Bashkisë për transparencë. Sot taksat në Bashkinë e Tiranës janë nga më të ulëtat krahasuar me pjesën dërrmuese të qyteteve të Shqipërisë”, – tha Basha. Sipas tij, Bashkia e Tiranës është pozicionuar e vendosur për të luftuar evazionin fiskal dhe u bën thirrje bizneseve që kanë ankesa që të paraqiten në zyrat e këtij institucioni për sqarim. Pretendimet se një këshilltar i opozitës është kërcënuar me jetë Basha i konsideroi mashtrim dhe kurth politik, pasi këshilltari që pretendon se është kërcënuar nuk ka bërë asnjë ankesë në Bashki. “Për një moment për shkak të paragjykimeve politike që rëndojnë, për fat të keq, në këtë sallë, më lind e drejta të them se jo për herë të parë kemi të bëjmë me blofe politike. Në këtë sallë kemi të drejtën për të folur dhe për të thënë atë që mendojmë, por kemi dhe një detyrim: nuk ndodhemi në pazar, por në sallën e këshillit bashkiak të Tiranës. Sa herë keni ndërmarrë nisma në dobi të qytetarëve, nuk jeni paragjykuar, do të keni mbështetjen time, doni komision? Që nesër. Vullneti për transparencë nuk mungon, transparencë për taksën”, – u shpreh Basha.
Akuzat e opozitës për abuzim me rrugën
Basha: Zgjerimi i rrugës së Elbasanit është proces transparent
Debatet për zgjerimin e rrugës së Elbasanit kanë zbritur edhe në këshillin bashkiak të Tiranës. Kundrejt akuzave të përfaqësuesve të së majtës në këshill kryebashkiaku Lulëzim Basha është kundërpërgjigjur se tenderi është zhvilluar tërësisht transparent. “Jemi marrë një për një me çdo familje për shpronësimet. Projekti, pasi ka kaluar në këshillin teknik të Bashkisë, i është dërguar sipas procedurave Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Kjo drejtori ka hapur tenderin bazuar në projekt”, – tha Basha. Lidhur me transparencën e projektit Basha nënvizoi faktin se projekti ka qenë i afishuar për 45 ditë në internet dhe se tenderi për zgjerimin e rrugës është shpallur online. Duke vënë theksin te fakti se zgjerimi i rrugës do të lehtësonte trafikun, Basha shtoi se e gjithë sipërfaqja e prerë do të zëvendësohet 10 fish me pemë të reja.
Mbledhja nis e qetë
Këshilli miraton në unanimitet tri projektvendime
Përfaqësuesit e këshillit bashkiak kanë miratuar në unanimitet tri nga vendimet e dosjes së parashikuar për diskutim gjatë mbledhjes së djeshme. Konkretisht bëhet fjalë për vendimet që kanë të bëjnë me kalimin e dhënies së stimulit financiar edhe për nxënësit e klasave të nënta, kjo si rrjedhojë e ndryshimit të ciklit arsimor nga sistemi 8-vjeçar në atë 9-vjeçar. Këshilli ka kaluar në unanimitet edhe dy vendimet e tjera që kanë të bëjnë me “pagesën e kuotës së anëtarësisë së Bashkisë së Tiranës në Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë për vitin 2012”, si dhe vendimin për “Për miratimin e anëtarësimit dhe financimit të kuotës së anëtarit të asociuar të Bashkisë së Tiranës në ‘Eurocities’, rrjeti i qyteteve më të mëdha evropiane”. Palët kanë rënë dakord për përdorimin e fondeve rezervë të buxhetit të Bashkisë për zbatimin e këtyre dy vendimeve.
Vendimet që shtyhen për mbledhjen e radhës
Këshilli shtyn propozimin e bërë nga këshilltari i Lëvizjes së Legalitetit Agim Kraja për devijimin e qarkullimit të automjeteve që do të hyjnë në sheshin “Skënderbej” çdo të premte në mesditë gjatë kohës kur besimtarët myslimanë do të kryejnë ritin e faljes së namazit, shtyhet për në mbledhjen e radhës së këshillit. Përfaqësuesit e këshillit bashkiak kanë rënë dakord që të kalojnë për diskutim në një tjetër mbledhje edhe projektvendimin që ka të bëjë me miratimin e treguesve të realizimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2011. Sipas përcaktimeve, rezulton se mbledhja e taksave e tarifave vendore kanë rezultuar në nivel më të ulët sesa parashikimet.