Deputetja e AK-së në Kosovë Time Kadrijaj flet për situatën në të dy shtetet shqiptarë
BERAT- Janë një sërë problemesh që ndoshta i kemi si komb, por në këtë rast tek ne në Kosovë më ndryshe, kur është fjala për problemet e shtetit dhe të përfitimit të popullit qoftë kjo në politikën integruese apo dhe në implementimin e projekteve, pozita dhe opozita dinë me u marrë vesh, ndryshe shoh këtu tek ju një problem të tillë. E them këtë nisur edhe nga vizitat që po bëj për të dytën herë këtu në Berat, në këtë qytet madhështor për nga përmasat e ndërtimit, brenda të cilave mesa njoh unë ka një kulturë brilante që është për t’u admiruar. Ndonëse vite më parë në Kosovën e martirizuar shteti serb në politikat e tij pengonte me çdo kusht mësimin e historisë në themel për shtetin amë Shqipërinë, me njëqind mënyra ne mundëm me mësue gjithçka që na binte në dorë duke i përdoruar materialet si molla e ndalume. Kam qenë në muajin maj të këtij viti këtu në Berat dhe sinqerisht po e them troç se nga larg isha shumë kurioze, madje kur u nisa thosha me vete se s’po mbaron rruga për ta parë sa ma parë këtë qytet, por kur kam hyrë në rrugën e Lushnjës për këtu, ah u mërzita shumë madje desha me u kthy po të mos më kishte lenë meraku për të parë këtë madhështi. Një rrugë mizerabël e pakalueshme a’thu se po shkonin në një katund krejt të pa shkelur”. Kështu e nis bisedën deputetja e AK-së, Time Kadrijaj, e cila pranon të flasë për gazetën “Metropol”. “Për bisedimet me Serbinë, mundem të them se nuk ka si të vijojnë nëse marrëveshjet e deri tanishme janë ende të paimplementueshme. Në këtë rast nga marrëveshjet gjatë bisedimeve duan të fitojnë të dy shtetet, ndaj bëjnë dhe këto bisedime në të kundërtën pse duhen bërë”. Se si i shikon me syrin e një politikaneje, si dhe qëllimin e mbërritjes në qytetin muze të UNESCO-s, Berat ne i morëm një intervistë deputetes të AK-së, Time Kadrijaj…
Në radhë të parë faleminderit të pranuat që të flisni për gazetën dhe që pranuat t’u përgjigjeni disa pyetjeve tona. Pyetja ime e parë është cili është qëllimi i vizitës tuaj këtu në qytetin e Beratit dhe e keni këtë vizitë private apo zyrtare?
Po, edhe unë ju falënderoj. Vizita ime është edhe zyrtare edhe private e iniciuar nga mikja ime Vitore Stefa, por për pos këtyre unë dua të shpreh pak imazhin tim për qytetin muze. Është hera e dytë që vij në Berat, për mua ajo që më mahnit është vendosja e qytetit të lashtë mbi kodrat dhe në shpatet e tyre, rrugët e rrugicat e ngushta e kurorëzuara me kështjellën. Më ka mahnitur që ky qytet piktoresk me rrugë dhe shtëpi të ngjeshura njëra me tjetrën që gjejnë drit në çdo kënd. Ura e gurit u bë dhe më interesante dhe këtë bukuri këtij qyteti ja japin veç tri lagjet muze edhe lumi me ujërat e kaltra të tij. Historia është edhe më interesante me luftërat e saj shekullore. Interesante është se brenda territorit ka shumë kisha e xhamia, kjo tregon se shqiptarët si komb kurrë nuk i ka ndarë feja. Sipas meje, karakteristika e Beratit është centrimi i luftërave, kjo krenari ka bërë që Berati më parë i bënte shtëpitë lartë në kështjellë për t’i mbrojtur. Tashmë ndërtimet rreth saj i shikon si krenari të saj, këtu them se ruhet e veçanta e një pjese të Beratit. Pra, ky është qyteti muze i lashtë tre dimensionale në kohë, pasi ka lashtësinë, atë të Mesjetës dhe të tashmen. Por fatkeqësisht mendoj se nuk kemi me e rujtë këtë Berat modern me këto ndërtime anarshike, jo të koordinuara. Vetë bashkia duhet t’i mendojë mirë që turistët e huaj kur vijnë të shohin e mundësojnë Beratin e lashtë ku ky të ketë një shikim vizual, por kur pranë tij ndërtohen banesa të larta, kjo nuk është një gjë e dëshiruar, pra për mua duhet ruajtur qyteti muze i ndarë nga qyteti modern që po ndërtoni. Fola pak më parë dhe them se vlen të përmendet mungesa e theksuar e infrastrukturës rrugore. Qytet i bukur, por pa pasur dorën e dy pushteteve atij qendror dhe këtij vendor ose mos koordinimi i të dyve mes tyre. Pra, për mua si deputete që i shikoj problemet është në këtë plan: Berati duhet të jetë në agjendën e emergjencave për gjithçka, kryesisht për momentin për infrastrukturën. Ky qytet i ndërtuar në kodra e shpatet e tyre mes maleve i përshkueshëm nga lumi meriton më shumë teksa shikon Tomorin dhe Shpiragun, si i thoni dhe ju malin me vija (qesh).
Para se të vazhdojmë për politikën shqiptare, dhe atë kosovare, kam mësuar nga mikja juaj Stefa se keni marrë pjesë aktive në luftën për çlirimin e Kosovës. Ju lutem disa kujtime, dita e parë e luftës si erdhi për ju?
Në fakt ajo kohë është shumë e dhimbshme, pasi unë kam marrë pjesë në luftë që nga dita e parë dhe për nga ana e profesionit (jam mjeke), kryej gjestet humane atë të ndihmës dhe shërimit të luftërave, si dhe në ndihmë të emergjencat e tjera civile, por pa pasur grada ushtarake kam kryer shumë detyra në ushtri në çlirimin e Kosovës. Kishte kohë që Kosova martire kërkonte një zgjidhje, pasi shkjau po ja nxinte dhe ma zi jetën gjithë popullit, urrejtja kishte arritur kulmin kjo për shkak të ndrydhjes të përgjithshme, ngjarjet e fundit me familjen Jashari dhe Harjedinaj, e prandaj filloi lufta 3 mars dhe 24 mars 1998. Fronti ishte në fshatin tim të lindjes Rastavic. Shkjau kishte zënë front në fillim të fshatit pasi aty kalon rruga magjistral Deçan – Gjakovë. Rreth 300 metra prej aty serbët filluan granatimin me artileri të fuqishme nga disa pika të ndryshme. Diku 100 forca të armatosura zunë vend përball shkjaut, ndërsa në ndihmë të tyre erdhën forca të tjera. Kur lufta filloi ka ardhur Ramush Haradinaj, komandanti i zonës operative të Dukagjinit. Unë e njihja pak, ndërsa luftëtarët jo të gjithë. Atë ditë lufta zgjati nga orët e para të mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes. Ishte një tmerr i vërtetë, por dinjitoz pasi luftëtarët luftonin për çlirimin e atdheut. Unë po kryeja dy detyra; e para si mjeke që jam, mjekoja të plagosurit dhe e dyta transportoja në një fshat tjetër, në një spital të improvizuar enkas për luftëtarët e plagosur. E dyta, largoja nga vija e frontit popullatën civile, të moshuarit, gratë dhe fëmijët. Atë ditë nuk pati të vrarë. Kur e mendoj atë ditë më vjen të shpërthej në lotë, më kujtohen luftëtarët e veshur keq ndoshta dhe të kequshqyer, por të sakrificës dhe të vetëmohimit për një ideal; për lirinë ishin në front duke sakrifikuar edhe jetën. Shpesh herë atë ditë shikoja edhe luftëtarët kur lëviznin në vijën e frontit qëllonin dhe kujdeseshin për shokun në llogore, në fakt të duket si në film. Kujtoj se fronti ynë dallonte shumë, ne kishin flamurin dhe ja erdhën të plagosurit e parë. Më vinte keq ku mërmërisnin, ishin plagë të vërteta plagë lufte, plagë që të shtonin urrejtjen për armikun që kishte vite që na dërmonte ashtu si ajo mola traun dhe ne sërish kishim duruar deri sa u sos. Atë ditë fati na solli të mos kishim të vrarë, por shumë të plagosur dhe me gëzimin se e thyem shkjaun edhe pse kishte shumë forca dhe mjete luftarake në luftën e tij të padrejtë. Ditë pas dite luftëtarët u furnizuan me rroba dhe u armatosën mirë ndërsa po nga dita në ditë lufta jonë po merrte një formë të rregullt dhe të mirëmobilizuar.
Keni pasur ditë më tragjike ndonëse lufta në vetvete është tragjike, apo ditë më të zeza?
Ditë më të zeza nuk mund të them këto të fundit ishin për shkjaun, por një nga ditët tragjike ka qenë në prill të vitit 1999 në frontin e Koshares, ku një avion i forcave serbe depërtoi në thellësi në Padesh dhe bombardoi një grup logjistik çlirimtar. Aty janë plagosur shumë ushtar të UÇK-së, atë ditë pati dhe të vdekur, si dhe shumë të plagosur rëndë madje dhe pa gjymtyrë, nga ai grup logjistika ka ende dhe sot të mbijetuar të gjymtuar që vuajnë pasojat e atij bombardimi. Ndërsa kujtoj dhe ditë të tjera tragjike ku shumë luftëtarë të UCK-së më kanë vdekur ndër duar, këta për arsye të plagëve të rënda të marra në luftime. Eh shumë raste janë, por nuk harroj një tjetër rast kur nga fronti erdhi një luftëtar që i mbahej krahu vetëm nga lëkura plumbi i kishte dëmtuar krejt kockën – aty vendosëm së bashku me një tjetër mjek ti prisnim krahun për t’i shpëtuar jetën. Më tragjikja ishte se nuk kishin mjete, ndërkohë që nuk priste koha, kështu që vendosëm që t’i prisnim krahun e coptuar me sharrën e drurit. Atë ditë nuk munda t’i mbaja lotët, m’u dhimbs shumë ai luftëtar dhe nuk kam për t’ia harruar kurrë emrin e tij; Binak Dinaj nga një fshat i Pejës ish ai trim luftëtar.
Çfarë dini për përdhunimet serbe në Kosovë?
Unë kam qenë në radhët e luftës, por që mesa kam dëgjuar ka pasur edhe raste të tilla të pashoq në vetvete, ata ishin kriminelë dhe si të tillë nuk pritej tjetër gjë prej tyre. Ashtu si dhe nuk kanë kursyer gjatë atij viti dhe vrasjet e civilëve, pleqve, fëmijëve e grave që i kanë masakruar. Janë me qindra raste të dhunimeve djegieve dhe shkatërrimeve të banesave, pronave, bizneseve pra çdo gjë që gjenin përpara ushtria dhe militantët e shkiaut i shkatërronin totalisht. Çdo ditë dhjetëra e qindra viktima, shumë civilë për t’u mbrojtur u strehuan në Shqipërinë amë, besoj se pati dhe këtu tek ju të strehuar prej andej.
Ku mësuat faktin se ushtria serbe kapitulloi?
Ne prisnim me padurim këtë lajm, më mirë të them se shumë banorë të Kosovës apo më mirë të them se thoshin se nuk na la aleatja jonë e përjetshme SHBA pa na ndihmuar, po kështu edhe Evropa dhe krejt njerëzimi do ta ndihmonte popullin e Kosovës në ato ditë të keqe siç është lufta. Janë këta aleatë që duke parë dhe dëgjuar krimet antinjerëzore që po bënte ushtria dhe militantët serbë në të gjithë Kosovën nuk kishin me na lanë në rrugë të madhe. Nga ana tjetër edhe vetë UÇK nuk ka ndennjur duarkryq, por ka luftuar atje në front e mobilizuar për t’i bërë ballë këtij pushtuesi mizor. Një ditë duke mjekuar një ushtar të plagosur dikush ngriti radion dhe foli më zë të lartë; ejjjjjjjjjj kanë filluar bombardimet e NATO-s! Të gjithë thirrëm rroft SHBA dhe aleatët e saj.
Si e pritët ditën e çlirimit ?
Pas gati një shekull robërie nën Serbinë dhe 1 viti e gjysmë luftë në front erdhi dhe dita e çlirimit. Ishte një ditë e gëzueshme, shumë banorë të qytetit dhe të fshatrave dhe krejt Kosova ishte në entuziazëm; ishte një gjë e veçantë, e paparë edhe pse ndodheshin pas një trishtimi total me qytete e fshatra të shkatërruar, shtëpi të djegura, ura të dhembura, të mbjella dhe pemë të preme e të djegura totalisht, shkolla spitale dhe institucione të shkatërruara. Brohoritjet qenë për aleatët tanë atij të përhershëm SHBA që dhe siç e dini Klinton ka një bust të madh në Prishtinë, por dhe aleatët e tjerë kanë meritat e tyre në çlirimin e Kosovës. Ajo që dua të them nuk e ka thelbin këtu, por tek qindra halle e probleme nga më emergjentet. Vërtet dita e çlirimit erdhi e gëzueshme, por të mos harrojmë faktin se që po atë ditë shumë fëmijë vrapuan të kërkonin prindërit e tyre që kishin ngel të vrarë në front, të tjerë ishin zhdukur në mënyrë masive nga shkjau, ashtu si dhe e kemi mësuar ma vonë për varret masive. Në shumë familje kishte dhe kujë për njerëzit e zhdukur pa nam e nishan. Vërtet u vra një luftëtar, por për të, të paktën varri i dihej, po ata të zhdukur që ende nuk u dihet varri. Pra, ajo ditë erdhi sa e gëzueshme po dhe aq e trishtueshme sa e dhimbshme po dhe aq tragjike. Kishte familje të tëra të zhdukura, kishte fëmijë dhe gra të humbura. Më shumë tragjike atë ditë dhe më pas ditët e tjera bëheshin më tragjike dhe të dhimbshme kur u kthyen nga Shqipëria mijëra apo mbi një milion banorë të Kosovës të dëbuar nga serbit me Sllobodan kriminelin në krye. Shumë familje qëndruan në qiell të hapur, pa shtëpi, ka katandi, me njerëz të humbur, me familjarë të zhdukur të masakruar dhe të vrarë dhe heroikisht në frontin e rezistencën në luftën frontale më serbin. Ndaj u desh pushteti qendror dhe ai vendor që ishte në hapat e para të tij që i duhet të merrej dhe me hallet e problemet nga më i vogli deri tek më i madhi. Këto vështirësi, këto probleme nga më tragjiket në historinë që kaloi Kosova duhet t’i dijë mirë edhe Evropa dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare. Kjo me qëllimin për t’i dhënë Kosovës atë çka meriton.
Tashëm që kanë kaluar vite a e ka marë veten Kosova nga pasojat e luftës?
Populli ynë është punëtor, për njerëzit që nuk i kanë parë shkatërrimet serbe duket sikur nuk ka ndodhur gjë, por ne jemi dëshmitarë të gjallë të luftës dhe të atyre se çfarë ka ndodhur pasi i kemi parë me sytë tanë shkatërrimet. Kështu si dhe e nisa fjalën Kosova ka ndryshuar shumë, pra aty nuk gjen më gjurmë të luftës të ndodhur tashëm 13 vite më parë, pasi janë rindërtuar nga themeli. Unë mund të them se e vetmja shenjë e luftës janë komplekset memorialë tashmë histori të kësaj lufte, dhe lapidarët në çdo vend ku kanë rënë dëshmorët.
Çmendim keni për bashkëpunëtorët serbë gjatë luftës me ushtrinë dhe militantët e serbëve ?
Në Kosovë nuk ka më të tillë.
Po nëse do të kishte?
Unë mendoj se Kosova është i vetmi vend ku nuk ka bërë ndëshkime të bashkëpuntorëve me armikun, në rastin tonë me serbët.
Çmendim keni për aleatin SHBA?
Shqiptarët edhe të Kosovës dhe të Shqipërisë duhet ta kenë parasysh se Amerika është aleati kryesor dhe gjithmonë duhet t’i jemi mirënjohës për çfarë ka bërë dhe çka po vazhdon të bëjë SHBA-ja për kombin tonë shqiptar.
Cili është mendimi juaj për kufijtë e Ballkanit?
Me integrimin në Evropë shtetet e Ballkanit duhet të jenë brenda saj në këtë rast Kosovës po i bëhet padrejtësi, pasi është i vetmi vend në Ballkan që është një hap pas të tjerëve edhe pse po vazhdon procedurat si ai i liberalizimit të vizave dhe ky shtet i dërmuar nga lufta nuk po gjen një liri të mirëfilltë pra është një procedurë e rëndë, e vonuar administrative kjo kryesisht për popullin gjithmonë shpresoj që do të jemi ma të lirë që ma parë Kosova duhet të përmbushë obligimet që them se po i kryen.
Po për kufirin Shqipëri-Kosovë?
Gjatë luftës janë vrarë shumë ushtarë të UCK-së vetëm e vetëm për të hequr këtë barrierë dhe tashmë kemi kufirin administrativ, pra këtë doja të thoja dhe për kufijtë e Ballkanit po ju nuk pritët përgjigjen më shpejtuat pyetjen e dytë (qesh). Pra, po ju them dhe një herë që me anëtarësimin në BE të gjithë shtetet nuk do kenë kufij, ato do jenë vetëm administrativë.
Çmendim keni për politikën shqiptare e atë kosovare?
Kemi ende problem në politikë, por të gjithë së bashku kemi mendime për kufijtë e Kosovës për sa i përket vijës kufitare më Serbinë. Politika jonë kosovare opozitë dhe pozitë për problem kombëtare në interes të popullit qoftë kjo në politikë apo dhe në procedurat integruese bëhen një bashkojnë mendimin dhe ecin përpara, kështu duhet të bëjë dhe politika juaj në proceset integruese që kërkon në rastin tuaj BE. Për mua këtu tek ju në Shqipëri pozitë dhe opozitë duhet të kenë një koordinim për të qenë në të njëjtin mendim, për kufijtë detar duhet të jenë të bashkuar ashtu si dhe për problemet e tjera që janë, problem i imunitetit, ai i Gjykatës Administrative etj., që Shqipërisë t’i çelet rruga drejt Evropës.
Si e keni parë Shqipërinë dhe si e shikoni tani që lëvizja e lirë është e çel prej kohësh?
Gjithmonë për ne kosovarët Shqipëria është shteti amë po kështu do të jetë dhe në vazhdim. Po ashtu bashkimi ynë asht i padiskutueshëm më para ai ekonomik e në vijim në të gjitha fushat që kanë fillu me vepru. Sa më parë të jetë Shqipëria në Evropë aq më mirë është për ne në Kosovë. Ashtu si dhe fola pak më parë faktori politikë duhet të unifikohet në çështjet kardinale, pasi kështu mundet që kombi të jetë i bashkuar jo vetëm në ide po edhe në shtrirjen e kufijve administrativë, një gjë të mirë kemi bërë për rrugën e kombit.
Pse e quani rrugën e kombit ?
Gjatë luftës të Kosovës më ka rënë rasti të udhëtoja në rrugën e vjetër shumë herë, rrugë që të mërziste dhe të lodhte krejt, ishte një rrugë që nuk të shkon mendja të udhëtosh në të deri kur u ndërtua kjo rrugë. Më parë udhëtonin vetëm njerëzit që kishin punë, ndërsa tani i gjithë populli madje ma i thjeshti pra thuajse edhe me vendosjen e kufijve administrativ jena të bashkuar si komb ndaj e quajmë një të tillë.
Çfarë dini për pashallëqet e Turqisë ?
I kemi mësuar aq sa na është lejuar të mësonim nga serbët e atyre viteve, pasi nuk lejohej të dinim më shumë për Shqipërinë. Në shkolla bëhej një program mësimor i iniciuar nga serbët. Por kjo nuk ka mundur të na ndalojë, ne mësonim çka na binte në dorë literaturë për Shqipërinë, përkundrazi shumë kemi mësuar edhe pse e kishim si mollën e ndaluar tokën amë. Tashëm që kemi 6 etnitë ne kurrë nuk bëjmë një gjë të tillë, gjithsecili ka të drejtat e veta dhe ato jo vetëm duhen zbatuar, respektuar, por dhe duhet t’u krijohen kushtet për t’i mësuar gjithçka për popullin e etnive të tyre. Populli shqiptar ka qenë i shtrirë edhe jashtë territoreve që ka aktualisht si komb, por nuk mujti me i dominu kjo për arsye të uzurpimit nga vendet fqinje dhe me ndihmë të fuqive të mëdha, ajo është copëtuar dhe i kanë marrë pjesë të trupit të saj kjo shihet në shumë treva si në Malin e zi, Maqedoni dhe në Çamëri, tashmë t’i përgjigjem pyetjes juaj për pashallëqet e Turqisë. Për mua u ka ikur interesi ndonëse kanë pasur një organizim të mirë nga shqiptarët e atëhershëm.
Cili është mendimi juaj për bisedimet me Serbinë?
Kanë qenë të kushtëzuara nga Bashkimi Evropian, nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret, për shkak se edhe ato marrëveshje që janë kryer nuk janë implementuar, kanë qenë thjesht marrëveshje teknike. Shqiptarët e Kosovës në këto bisedime nuk kanë arritur diçka, ndërsa Serbia ka fituar shumë, ka fituar statusin në BE.
Si e shihni BE-në në këto bisedime?
Shumë tolerante në raport me veprimet e Serbisë, insistoj për bisedime, janë organizatorë, janë pjesëmarrës deri në arritje, pastaj për implementimin e tyre nuk ushtrojnë trysni ndaj aktorëve që nuk bëjnë këtë implementim të vendimeve të arritura.
Cilat janë mendimet tuaja për angazhimet e gruas në politike dhe në vendimmarrje?
Pak më parë nuk ta kuptova pyetjen, tashmë po! Kjo ashtë një temë sa delikate po dhe aq në mentalitetin shqiptar ndoshta si komb, pasi ne themi se gruaja nuk mundet të administrojë dhe menaxhojë shumë problem qoftë kjo në politikë apo dhe në administratën shtetërore të të dy shteteve. Por ne në Kosovë ja kemi arritur që të kemi në kuvend 30% të femrave. Ndërsa në ekzekutiv kjo shifër nuk respektohet, kështu që përfshirja e femrës në vendimmarrje është një % e vogël dhe nga disa konferenca të gruas shqiptare në shkallë kombi ndihet nevoja e përfshirjes së gruas jo vetëm në jetën politike, por dhe në atë të vendimmarrjes dhe atë të ekzekutivit kjo dukuri është shumë e ulët edhe në Shqipëri edhe në Maqedoni. Nga ana tjetër gruaja duhet të jetë më aktive për të thyer ndoshta një zakon të vjetër, por pjesëmarrja aktive duhet edhe pse pushteti ekzekutiv nuk po ja mundëson këtë pjesëmarrje.
Këtu sipas jush përfshihet dhe mentaliteti?
Po
Në cilën mënyrë e gjykoni këtë veprim?
Po pra për shkak të mentalitetit se femra s’dinë të qeverisë mirë. Mirëpo është mendim dhe veprim i gabuar se në të gjitha historitë e kombit shqiptar femra ka qëndruar gjatë gjithë këtyre proceseve pranë vendimmarrjeve së bashku me burrat.
Së fundmi, cili është mesazhi juaj për kombin tonë?
Më ke bërë një pyetje që me kënaqe, mesazhi im është: Ta duam kombin tonë sa patriot po dhe aq mikpritës, sa i vjetër në trojet e tija në Ballkan po dhe aq i vuajtur nga hordhitë ballkanase e më gjerë. Një komb vigan që vlen për t’u admiruar me qindra figura të ndritura në kombin tonë, me heronj legjendar që kanë shpëtuar krishtërimin, që kanë vendosur për shumë problem decizive në Ballkan e më gjerë. Ndaj në këtë mesazh dua t’ja kujtoj politikës të kombit tonë që të jetë e vëmendshme në përcaktimin politike, intelektualëve në pjesëmarrjen, në vendimmarrjet decizive në përcaktimet e kontureve për të drejtuar brezat drejt një finalizimi të bashkimit të kombit tonë. Pra, të jemi gjithandej të bashkuar dhe synimin të kemi në prosperitetin e shtetit dhe të kombit.
Bisedoi: Sulo Gozhina