Beteja e re e teknologjisë

TABLETET

Pajisje gjithnjë e më inteligjente dhe të personalizuara, në fund secila e ndryshme nga tjetra, ashtu siç kanë qenë të ndryshme dikur axhendat tona personale. Pajisje që janë zgjatime të kujtesës sonë, të cilave u besojmë gjithçka. Sigurisht, t’i quash tablet, e bën gjithçka në dukje më të thjeshtë, të vogël, “normale”. Por beteja që po zhvillohet nuk është as e vogël dhe as e thjeshtë, sepse nëse dikush do ta fitojë, do t’i japë formë një bote të re, në të cilën do të duhet të mësohemi të jetojmë

Fusha e lojës është e mbipopulluar, sepse pas shfaqjes së iPad nuk ka pasur kompani të angazhuar në fushën dixhitale, që nuk ka ofruar tabletin e vet, të vogël, të mesëm apo të madh. E vërteta është që, po ta shohësh mirë, fushat e lojës janë të shumta, të gjitha të ngjashme, dhe që çdo pajisje e re që del në treg udhëton për hesap të vet, duke prekur dhe ndonjëherë u mbivendosur mbi të tjerat. Tre filozofi të ndryshme dhe shumë makina të ndryshme janë duke u përballur në treg, në përpjekje për të na bindur që një hipotezë është më e mirë se sa një tjetër dhe, mbi të gjitha, që nuk mund të bëjmë pa shtënë në xhep, apo në duar, këta terminalë të rinj dixhitalë që bëjnë të zhduken të gjithë mbajtëset, që janë gjithmonë të lidhura në internet dhe që ndryshojnë, na pëlqen apo jo, sjelljet tona më të lashta sa i përket argëtimit, leximit, informacionit, lojës, shkrimit dhe shumë të tjera. Një betejë ekonomike dhe kulturore pra, që na takon të gjithëve sepse në varësi të fituesit që do të dalë, e ardhmja jonë do të marrë një formë të ndryshme.

Apple dominon e papenguar terrenin me iPadin e saj, pajisja që ka ndryshuar rrjedhën e gjërave. Askush, deri më sot, nuk ka arritur të pengojë marshimin triumfues të tabletit të Cupertinos, as edhe kolosët koreanë që në fushën e telefonisë sfidojnë jo pak kompaninë amerikane. Formati, i madh po i lëvizsshëm, ekrani në high definition, aplikacionet e çdo lloj tipi, e kanë bërë iPad jo vetëm instrumentin e parë të rëndësishëm të epokës së pas Personal Computer (PC) në të cilën tashmë ne kemi hyrë, por edhe standardin faktik për këdo që dëshiron të hyjë në këtë terren.

Por, siç e thonë shifrat, jemi vetëm në “prehistorinë” e epokës post PC, shumica dërrmuese e njerëzve nuk e kanë blerë ende një tablet, nuk dinë ende për çfarë shërben ekzaktësisht dhe mund të bëjnë pa të edhe sa i përket argëtimit apo punës. Edhe pse shifrat, nga ana tjetër, tregojnë rritje mbresëlënëse të shitjeve: ato botërore, të parashikuara për vitin 2016, flasin për 369 milionë copë krahasuar me 60 milionë të shitur në vitin 2011.

Pra, ka një hapësirë shumë të madhe për të pushtuar? Atëherë çfarë bëjnë të tjerët? Përpiqen të ofrojnë alternativa, përpiqen të krijojnë makina që janë në një farë mënyre të ndryshme, mendojnë se tregu ende nuk ka “përzgjehdur” se cila është makina përfundimtare, cila do të jetë forma që do të marrë, cilët do të jenë funksionet thelbësorë, çfarë peshe, dimensioni, çfarë pamje duhet të ketë zëvendësuesi zyrtar i kompjuterit personal që na ka shoqëruar deri sot. Pra, duke qenë se është e vështirë të gërvishtet perandoria e Mollës, konkurrentët kanë nisur tashmë të hedhin në fushë jo më “kopje”, siç kanë bërë deri më sot me rezultate të dobët, por hipoteza të ndryshme.

Kështu bën Microsoft, me tabletin e saj Surface, që ka një sistem operativ, të shumëpriturin Windows 8, që jo vetëm nuk e imiton Apple në pamje, por edhe synon të integrojë të gjithë ekranet që ne përdorim sot, atë të televizorit, të telefonit celular, të kompjuterit e të tabletit. Që dëshiron t’i paraqesë botës vizionin e vet, këtë e tregon emri i sistemit, që nuk është as i ri dhe as pjellë e fantazisë, por të con direkt tek Windows, apo më saktë ajo ndërfaqe me dritare që ka modifikuar mënyrën tonë të të menduarit, punuarit, ndërvepruarit me kompjuterin dhe që vazhdon të qëndrojë edhe sot në tetëdhjetë për qind të kompjuterëve që kemi në zyrë apo në shtëpi.

Është Windows, na thotë Microsoft, por në të njëjtën kohë nuk është, nuk i ngjan. Surface, tableti i ri që vjen nga Redmond, funksionon me aplikacione, por nuk kopjon iPadin, është i lehtë dhe i lëvizshëm, por ka edhe një portë për të lidhur një USB me të dhënat tona, është e ardhmja pa kompjuter, por nuk harron të kaluarën, sepse është në fakt trashëgimtar i epokës së kompjuterëve. Është e para sfidë e vërtetë ndaj Apple, pas përpjekjeve të të tjerëve me Android, me një sistem operativ në gjendje të përballojë sfidën.

Por në fushë ka edhe kolosë të tjerë: Google, mbi të gjitha, që sapo ka paraqitur tabletin e vet, Nexus 7 të prodhuar nga Asus, i fuqishëm dhe me çmim shumë të ulët, dhe me një emër që luan në mënyrë argëtuese me parajsën e teknologjisë, sepse mund të shqiptohet edhe “Nexus heaven”. Është tableti i parë i markës Google, me një procesor të fuqishëm, një ekran me prekje 7-polsh, më i vogël se sa iPad, një rezolucion shumë i mirë për video, një fotokamerë të vetme ballore, me një peshë vetëm 340 gramë dhe një kosto 199 dollarë. Me Nexus 7, Google nuk dëshiron të sulmojë në mënyrë frontale Apple, përkundrazi, objektivi parësor për nga dimensionet dhe pesha e makinës, duket se është Amazon, që ka pushtuar tashmë tregun amerikan me lexuesin e vet të ebook, Kindle, dhe që po krijon ekosistemin e vet dixhital me versionin tablet të makinës së saj, Kindle Fire.

Samsung, nga ana e vet, jo vetëm nuk i mbyll asnjë portë pajisjeve të veta, duke prodhuar tabletë të teknologjisë së lartë, por mbi të gjitha të çdo përmase, nga ajo e iPad deri tek ajo e Fire, por propozon madje edhe një aparat hibrid që lejon të kesh një tablet, por që në të njëjtën kohë mund të jetë dhe një smartphone, duke na i çliruar xhepat nga një pajisje më shumë.

Samsung Note, më i vogël se një tablet, më i madh se sa një smartphone, është hipoteza e disatë në fushë, një tjetër pëprjekje për t’i dhënë formë pajisjes së të ardhmes. Ose më thjeshtë, një prej pajisjeve të shumta që do të popullojnë botën tonë pa kompjuter. Me një veçanti jo të ndryshme, ajo që i jep atij që e përdor edhe një laps për të shkruar mbi ekran, për të mbajtur shënime, vizatuar me dorë të lirë, si të kishte në dispozicion një bllok dhe një laps.

Shumë të tjerë kanë ardhur vitin e fundit duke sjellë pajisje të lëvizshme, të gjitha me bazë Android, nga Motorola me Xoom2, deri tek Mediacom me Smartpad, sa për të përmendur disa, duke u ofruar kështu konsmatorëve mijëra mundësi të ndryshme, me çmime shpesh të përmbajtur, për të hapur dyert e botës së re, një botë ku do të kemi gjithmonë me vete filmat e preferuar, lojërat elektronike, takimet, kontaktet, materialet e studimit, dhe së fundi, internetin gjithmonë aty. Gjithçka në lëvizje, gjithmonë, kudo, ajo që dua, kur e dua, ku e dua. Një botë që nuk i ngjan aspak asaj që kemi njohur deri sot, e përbërë nga shumë pajisje të ndryshme, secila me gjuhën e vet, libra, disqe, filma, gazeta, fotografi. Gjithçka e transformuar në bit-e, në sekuenca numrash që vetëm pajisjet mund të lexojnë dhe “përkthejnë” në diçka që për ne është e njohur, fjalë, tinguj, pamje. Pajisje gjithnjë e më inteligjente dhe të personalizuara, në fund secila e ndryshme nga tjetra, ashtu siç kanë qenë të ndryshme dikur axhendat tona personale. Pajisje që janë zgjatime të kujtesës sonë, të cilave u besojmë gjithçka. Sigurisht, t’i quash tablet, e bën gjithçka në dukje më të thjeshtë, të vogël, “normale”. Por beteja që po zhvillohet nuk është as e vogël dhe as e thjeshtë, sepse nëse dikush do ta fitojë, do t’i japë formë një bote të re, në të cilën do të duhet të mësohemi të jetojmë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>