“Brenda një viti u punësuan 6091 persona”

Unaza e madhe, javës së ardhshme tenderi për segmentin nga Shkolla Teknologjike, tek “Kristal”

Basha 1 vit në krye të Tiranës, fond special 700 mijë euro në mbështetje të biznesit të  vogël.

 

Lehtësitë fiskale në favor të biznesit kanë siguruar rritjen e nivelit të punësimit në kryeqytet. Në bilancin njëvjeçar të punës në krye të qeverisjes së Tiranës kryebashkiaku Lulëzim Basha ka bërë të ditur se falë masave të marra për mbështetjen e biznesit jo vetëm me uljen dhe reduktimin e taksave e tarifave vendore, por dhe me eliminimin e burokracive në zyrat e licencimit, kanë bërë të mundur regjistrimin e 1202 biznese më shumë, që kanë gjeneruar vende të reja pune dhe një frymëmarrje të jetës sociale e ekonomike të kryeqytetit, duke siguruar vende të reja pune për 691 persona. Krahas detajimit të punës së bërë në një vit Basha ka konfirmuar nisjen e punës për zbatimin e një sërë projektesh të tjera, si: ndërtimi i unazës së madhe, ecuria e punës për zgjerimin e bulevardit, sistemimi i varrezave, mbrojtja e konsumatorëve nga produktet ushqimore të rrezikshme etj., zbatimi i të cilave do të marrë jetë duke nisur nga java e ardhshme.

Ndërsa socialistët kanë detajuar një tjetër panoramë për qeverisjen njëvjeçare të së djathtës në kryeqytet. Kreu i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi, ka akuzuar se taksat në Tiranë janë rritur 2-3 herë, Basha nuk ka ndërtuar asnjë km rruge, nuk ka ndërtuar asnjë shkollë dhe nuk ka bërë transparent planin e përgjithshëm rregullues.

Biznesi dhe punësimi

Duke u ndalur te mbështetja për biznesin, Basha gjatë prezantimit të planit të punës ka bërë me dije se Bashkia ka përfituar një fond prej 700 mijë eurosh nga BE-ja për të mbështetur kreditimin e biznesit të vogël, çka do të nxisë më tej shtimin e vendeve të reja të punës. Nga ana tjetër, marrëveshja me Bashkinë e Tiranës parashikon punësimin e 400 personave deri në fund të verës dhe 1500 të tjerëve të sapodiplomuar apo që do të diplomohen vitin e ardhshëm. E njëjta marrëveshje e ngjashme do të arrihet së shpejti edhe me “Biznes Albanian” si dhe do të punohet edhe nga shoqata të tjera për të siguruar punësimin e të rinjve. Basha më tej vuri në dukje se plani i ri urbanistik do t’u japë fund spekulimit me lejet e ndërtimit.

Hipotekimi

Një ndër prioritet e konfirmuara që në nisje të punës si kryebashkiak ishte zgjidhja e ngërçit të hipotekimeve. Sipas Bashës, deri më tani është bërë i mundur dërgimi në zyrat e hipotekave, me leje përdorimi të 5781 apartamenteve me përfitues direkt rreth 24 mijë qytetarë. Aktualisht 97 objekte të tjera janë në proces, nga të cilat 32 apo 1820 apartamente drejt përfundimit dhe 65 të tjera me shkelje teknike, të cilat do të trajtohen sipas memorandumit të nënshkruar me qeverinë, përkatësisht me Ministrinë e Transportit dhe të Drejtësisë. Ka subjekte që nuk janë paraqitur për të marrë lejen e përdorimit, për të bërë hipotekimin apo legalizimin, edhe kur kanë shkelur lejet e ndërtimit. Këto subjekte janë futur në listën e zezë të Bashkisë, çka përcakton

refuzimin e çdo shërbimi nga Bashkia deri në plotësimin e detyrimit ndaj qytetarëve. Aktualisht ka më shumë leje përdorimi sesa tapi, sepse procesi nis me lejet e përdorimit, por problemi nuk qëndron këtu. Nuk ka asnjëfarë problemi midis dhënies së lejes së përdorimit dhe marrjes së tapisë. Problemi qëndron te mosangazhimi i një numri subjektesh për të plotësuar ato pak detyrime që u janë lënë për plotësimin e dijeve”, – tha Basha.

Gjelbërimi

Duke u ndalur në punimet e bëra gjatë këtij harku kohor, Basha ka pohuar se një nga iniciativat e para me impakt të madh te qytetarët e Tiranës ishte hapja e sheshit “Skënderbej” vetëm 4 muaj pas marrjes së detyrës nga administrata e re. Hapja e sheshit, në të cilin janë mbjellë 800 pemë, ka çliruar trafikun dhe ka ulur me 30 për qind ndotjen. Sa i takon statusit të gjelbërimit, kryeqytetit i janë shtuar edhe dy hapësira të tjera të gjelbra: lulishtja pas Pallatit të Kulturës dhe te “Don Bosko”, si dhe janë mbjellë deri tani 3850 pemë. Ndërkohë deri në fund të vitit numri i tyre do të shkojë 10 mijë. Rehabilitimi i Parkut të Liqenit është një tjetër prioritet që sipas Bashës po avancon, ku krahas mbjelljes së 640 pemëve të reja po bëhet gati ndërhyrja e ujësjellësit, riparimi i portës, që ka mbetur e hapur që nga përmbytja e vitit 2002, rregullimi i kolektorit dhe rivendosja e komunikimit ujor për furnizim me ujë nga liqeni i Farkës. Gjatë një viti 66,594 qytetarë apo subjekte i janë drejtuar Bashkisë së Tiranës për të marrë informacione, për të kryer aplikime etj.; 814 qytetarë janë takuar vetëm me kryetarin e Bashkisë dhe të gjitha kërkesat e tyre janë trajtuar nga drejtoritë përkatëse.

 

 

Investimet në infrastrukturën rrugore

 

Rrugët e blloqet e banimit që kalojnë në rikonstruksion

 

Bashkia bën me dije se gjatë këtij viti është ndërhyrë për mirëmbajtje dhe janë riparuar 180 rrugë, të cilat ishin tërësisht të amortizuara. Kanë përfunduar projektet dhe kanë përfunduar ose janë në fazë tenderimesh rikualifikimi urban i 13 blloqeve urbane, ndërtimi dhe rikonstruksioni i 47 rrugëve, 2 urave, 15 shkollave, 14 kopshteve dhe 7 çerdheve, 3 sisteme kanalizimesh. Të gjithë këto projekte nisin nga zbatimi brenda këtij viti. Aktualisht po punohet në rrethrrotullimin e Doganës. Brenda këtij muaji nisin punimet për rrugën e Bërrylit dhe ndërtimin e 6 rrugëve të reja në kryeqytet. Në Tiranë do të sigurohet menaxhimi i trafikut dhe përmirësimi i sigurisë rrugore, i cili parashikon ndërhyrjen në 60 semaforë dhe vendosjen e 9 semaforëve të rinj, 6 pajisje VMS (tabela informacioni në rrugë me informacione të ndryshueshme), 23 kamera për vrojtim ditë e natë. I gjithë sistemi do të menaxhohet nga Dhoma e Qendrës Operacionale e Kontrollit, e cila parashikohet në projektin që është duke u zbatuar.

 

 

 

Plani konkret me ecurinë e punimeve

 

 Brenda muajit gati kontrata për

 projektin e zgjerimit të bulevardit

 

Një ndër arritjet kryesore për kryeqytetin është edhe plani i ri rregullues, i cili do të sistemojë të gjithë katrahurën e ndërtimeve në kryeqytet. Pjesë strategjike të planit janë projektet për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës, duke përfshirë këtu edhe parkun e Paskuqanit. Konkursi ndërkombëtar për projektin e bulevardit zgjodhi si fituese studion “Grimshau”, kontrata me të cilën finalizohet këtë muaj dhe projekti teknik dorëzohet në nëntor të këtij viti, për t’i hapur rrugë tenderimit të projektit brenda fundit të vitit dhe nisjes së punimeve pranverën e ardhshme. Financimi i kësaj pjese të projektit, është drejt përfundimit, ndërkohë që po përgatitet me partnerët tanë termat për financimin e parkut të lumit të Tiranës dhe parkut të Paskuqanit. Me BERZH-in po përfundojmë procesin e koncesionimit të terminalit të ri multimodal të pasagjerëve në hyrje të Tiranës.

 

Ndërtimi i segmentit nga shkolla teknologjike, te qendra “Kristal”

 

Tenderi për projektin e unazës së

 madhe gati brenda javës që vjen

 

 

Unaza e madhe, kjo vepër e rëndësishme strategjike e parashikuar edhe në planin urbanistik, është në proces të ndërtimit. Brenda javës së ardhshme projekti i dorëzuar nga Bashkia e Tiranës Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, e cila e financon këtë me fondet e qeverisë shqiptare do të tenderohet. Ky projekt parashikon ndërtimin e segmentit nga shkolla eknologjike te qendra “Kristal”. “Me qeverinë, siç ju informova, është dorëzuar dhe po tenderohet këto ditë vazhdimi i unazës së madhe. Kanë nisur punimet në rrugën e Elbasanit dhe presim sistemimin e shtratit të Lanës deri në urën e Shkozës dhe ndërtimin e saj. Me Bashkimin Europian presim që brenda nëntorit të përfundojmë procedurat për financimin e dy blloqeve urbane, përkatësisht në lagjen nr. 8 dhe nr. 9. poshtë unazës, të dyja anët e rrugës ‘5 Maji’, me vlerë 8 milionë euro. Në rrugën e Elbasanit, po me fondet e qeverisë shqiptare, po ekzekutohet projekti i dorëzuar nga Bashkia e Tiranës dhe po brenda këtij muaji përfundon projekti teknik për sistemimin e shtratit të Lanës deri tek ura e Shkozës dhe ndërtimin e rrugëve, projekt i cili po kështu do t’i dorëzohet për financim dhe ndërtim qeverisë shqiptare, Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, nëpërmjet Ministrisë së Transportit”, – ka vënë në dukje Basha sa i takon këtij procesi. Në bashkëpunim edhe me sektorin privat është dhënë leja konçesionare dhe pritet që së shpejti të nisë puna për parkimin e parë nëntokësor në Tiranë në sheshin “Italia”.

 

Abuzimet në përdorimin e hapësirave publike, kontroll në 5976 subjekte nga të cilat:

 

Aktkonstatime nga grupet e kontrollit të territorit        4420

Dëmtime të hapësirave publike, veçanërisht në infrastrukturë        144

Ndotje të territorit dhe të hapësirave publike      113

Zënie dhe bllokime të hapësirave publike 2978

Vendosje objektesh të paligjshme 1185

Kontrolle nga 4 grupet e kontrollit në 10 linjat e transportit urban           1556

Masa administrative të marra në total 1648 në vlerën 12 408.5 mijë lekë, nga të cilat ndërhyrje të paligjshme në territorin urban 1079

 

 

Transferimi i tregut të kafshëve

Pas alarmit të lëshuar nga strukturat e shëndetit publik për kërcënimin shëndetësor që po shfaq therja e kafshëve dhe shitja e produkteve të mishit në ambiente të papërshtatshme, Basha ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji nis përgatitja e zhvendosjes së tregut të gjësë së gjallë jashtë qytetit të Tiranës dhe aksioni për disiplinimin e tregtimit të mishit nëpërmjet thartoreve ekzistuese dhe të reja.

 

Xhamia dhe sistemimi i varrezave

 

Basha është ndalur edhe te projekti i xhamisë së madhe dhe sistemimit të varreve. “Komisioni ka marrë vendimet e nevojshme, ndërsa Komuniteti është në bisedimet e fundit me arkitektët për projektin teknikë që do çojë në ndërtimin e xhamisë. Bashkia ka ndërmarrë nismën për ndërtimin e varrezave murale, që do të shërbejnë për të trajtuar varrezat që kanë mbi 40 vjet”, – bëri të ditur Basha.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>