Kushtet dhe afatet për pranimet në degët e Arkitekturës. Akademisë së Arteve e Sporteve
Dosja e plotë e dokumenteve që kërkohen. Tarifat dhe datat e zhvillimit të konkurseve
Nis gara për pranimet në programet studimore të Arteve, Sporteve e Arkitekturës. Për të vijuar studimet e larta publike në një nga programet e akademive, qofshin këto artistike apo sportive, si dhe në programin e arkitekturës, kandidatët krahas rezultateve të arritura në testimet e Maturës duhet t’i nënshtrohen edhe konkurseve specifike, që do të jepen në mbyllje të gushtit dhe nisje të muajit shtator. Por, për të marrë pjesë në këto konkurse secili prej aplikuesve duhet të bëjë regjistrimin përkatës në datat e përcaktuara, si dhe të derdhë tarifën e regjistrimit, e cila varion nga 5 mijë deri në 8 mijë lekë, sipas programeve studimore. Në rregulloret e përcaktuara konfirmohet se duke filluar nga dita e nesërme të gjithë kandidatët e interesuar për të vijuar studimet e larta në këto degë duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore për të bërë regjistrimin përkatës sipas afateve të caktuara. Kërkesat për studime në këto programe do të pranohen deri më datën 27 gusht. Për t’u regjistruar kandidatët duhet të dorëzojnë dosjen me dokumentet e kërkuara, të cilën e gjeni të detajuar për secilin program në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Maturantët që nuk do të regjistrohen deri në këtë afat të përcaktuar humbasin përfundimisht të drejtën për të vijuar studimet e larta gjatë këtij viti në një nga programet përkatëse, si në degën e Arkitekturës, në tri fakultetet e Akademisë së Arteve, si dhe në programet e Akademisë Sportive. Sikundër është përcaktuar tashmë, rezultatet e konkurseve do të jenë vendimtare në përcaktimin e kandidatëve që do të shpallen fitues në fund të javës së dytë të muajit shtator. Konkretisht për degën e Arkitekturës testimet do të zhvillohen në datat 3, 4 dhe 5 shtator. Kandidati do të testohet në tri rubrika, që përfshijnë vizatim në natyrë, vizatim teknik dhe kompozim, që janë specifika të degës së Arkitekturës. Ndërsa për pranimet tek artet konkurset do të zhvillohen më datat 27 gusht deri më 1 shtator 2012, sipas etapave të përcaktuara nga secili fakultet. Pas nxjerrjes së vlerësimeve të arritura në konkurs pikët e çdo kandidati depozitohen pranë Agjencisë Publike të Pranimeve në arsimin e lartë, ku bëhet dhe llogaritja me komponentët e tjerë të maturës për të caktuar fituesit që do të pranohen në çdo program studimi sipas afateve të përcaktuara. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar datat, tarifat dhe dokumente që duhet të ketë në përmbajtje dosja e regjistrimit për të gjitha programet studimore që ofrojnë akademitë Sportive, të Arteve dhe Arkitekturës në të gjithë vendin.
Tabela
Procedura që duhet të ndiqet nga maturantët
Rregullat e konkurrimit
- Për të marrë pjesë në konkurs fillimisht duhet bërë regjistrimi, ku dorëzohet dosja me dokumentet e kërkuara në data 16-27 gusht sipas orareve të caktuara.
Dosja e regjistrimit duhet të përmbajë:
- Diplomën e maturës të këtij viti ose dëftesën e pjekurisë për kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2011. Në dosje kërkohet kopja e noterizuar e secilës prej tyre.
- Po ashtu kandidati duhet të dorëzojë dokumentin e identifikimit, që mund të jetë karta e identitetit ose pasaporta.
- Pjesë e dokumenteve është edhe mandati arkëtimit të tarifës së regjistrimit në filialin përkatës të një banke të caktuar.
- Gjithashtu kërkohen edhe dy fotografi të individit që konkurron.
Datat e zhvillimit të konkurseve
për degët e Arteve dhe Sporteve
Universiteti i Arteve, Tiranë,
Fakultetin e Muzikës 27 gusht–1 shtator 2012
Fakultetin e Artit Skenik 27 gusht–1 shtator 2012
Fakultetin e Arteve Figurative 27 gusht–1 shtator 2012
Universiteti i Sporteve të Tiranës,
Shkenca të Lëvizjes 29-31 gusht 2012
Fushat e Veprimtarisë Fizike, të Shëndetit 29-31 gusht 2012
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër,
Edukim Fizik dhe Sporte 27-29 gusht 2012
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan,
Edukim Fizik dhe Sporte 27-29 gusht 2012
Universiteti Politeknik i Tiranës,
Arkitekturë 3–5 shtator 2012
Arkitekturë (Urbanist) 3–5 shtator 2012
Universiteti “A. Moisiu”, Durrës
(programe në gjuhë angleze):
Menaxhim i Bankave 27–29 gusht 2012
Menaxhim hoteleri-turizëm 27–29 gusht 2012
Menaxhim i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme 27–29 gusht 2012
Multimedia dhe teknologji informacioni 27-29 gusht 2012
Akademia e Arteve, Shkodër,
Fakultetin e Muzikës 27 gusht–1 shtator 2012
Fakultetin e Arteve Figurative 27 gusht–1 shtator 2012
Tarifat e regjistrimit për të marrë pjesë në të gjitha degët me konkurs
Në të gjitha programet e studimit në Universitetin e Sporteve të Tiranës: 5000 lekë.
Në të gjitha programet e studimit në Universitetin e Arteve, Tiranë: 5000 lekë.
Në programet e studimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër: 5000 lekë
Në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan: 4000 lekë.
Në programin e studimit “Arkitekturë” dhe “Arkitekturë-urbanist” në Universitetin Politeknik të Tiranës: 8000 lekë.
Në të gjitha programet e studimit të Akademisë së Arteve në Shkodër: 5000 lekë.
Raporti ndërmjet pikëve të konkursit dhe
provimeve të maturës për të fituar një të drejtë studimi
Në Universitetin e Arteve të Tiranës dhe në Akademinë e Arteve në Shkodër rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore) do të llogariten në masën 30% dhe
rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70%.
Konkurrimi për kandidatët e Akademisë së Arteve të Shkodrës do të bëhet në bashkëpunim me Universitetin e Arteve të Tiranës, në ambientet e këtij të fundit.
Kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit, nuk fiton të drejtën e studimit.
Në Universitetin e Sporteve të Tiranës rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore) do të llogariten në masën 50%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 50 %.
Në Universitetin Politeknik të Tiranës për programet e studimit “Arkitekturë” dhe Arkitekturë-urbanist” rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore) të llogariten në masën 40%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 60%.
Në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, dhe “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporteve” rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore) do të llogariten në masën 50%, kurse
rezultatet e konkursit të pranimit në masën 50%.
Në programet e studimit të FASTIP të universitetit “Aleksandër Moisiu”,
Durrës, rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore) të llogariten në masën 40%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit (gjuha angleze dhe intervista e punësimit) në masën 60%.