Trajneri i kombëtares shqiptare flet për Metropol Sport”. Ai prek ndeshjen e Ligës së Kampioneve me Skënderbeun si dhe shumë gjëra të tjera në prag të miqësores me Moldavinë dhe kualifikueseve të shtatorit
Xhani De Biazi nuk qëndron asnjë moment pa punuar. Në Itali gjithandej ku ka e ku luajnë shqiptarë. Nga mikrofonat televizivë tek Lacio në grumbullim, një vrap në Vlorë, Korçë e Tiranë. Ky është itinerari i Xhani De Biazit këto ditë të nxehta që ai po i ndan mes Italisë dhe Shqipërisë, në prag të miqësores me moldavët në 15 gusht dhe ndeshjeve të shtatorit. Në një intervistë tij ai shpjegon situatën e deritanishme të kombëtares dhe shumë gjëra të tjera përfshirë edhe ndeshjen e së martës së Skënderbeut.
- Mister keni qenë në Korçë dhe keni parë nga afër Skënderbeu-Debrecen. Një opinion për këtë ndeshje?
- Ka qenë një ndeshje shumë e mirë. më ka pëlqyer shumë. Skënderbeu ka luajtur shumë mirë. Duhet të kishte fituar 3:0 por ja që nuk e bëri. Gjithsesi ka gjithçka në dorë për t’u kualifikuar. Realisht them se është një ndeshje shumë, shumë e mirë. Sidomos nga mesfusha e lart kanë luajtur në mënyrë fantastike. I përgëzoj për lojën dhe u them të vazhdojnë kështu edhe në ndeshjen tjetër.
- Ndonjë emër për t’u veçuar?
- E dini shumë mirë që asnjëherë nuk do të them emra.
- Zoti De Biazi në këtë moment situata e skuadrës kombëtare ose më saktë e lojtarëve është paksa e paqartë. Disa elementë nuk kanë gjetur ekip dhe në mesfushë me shumë probleme?
- Po është më se e vërtetë kjo që thoni. Prej javësh jam në kërkim të lojtarëve që mund të na hyjnë në punë për skuadrën. Kemi lojtarë që nuk kanë skuadër, por së bashku me stafin tim po punojmë. Edhe tani jemi duke bërë disa kërkime për lojtarë të ndryshëm. Ishit vetë dëshmitarë për këtë gjë. jemi në proces pune dhe shpresoj se në shtator gjërat do të jenë më mirë.
- Salihi do të jetë i grumbulluar në miqësoren me Moldavinë?
- Siç e dini Hamdiu nuk është një i panjohur për ne, ju dhe mua përfshirë. Ne i dimë potencialet e tij dhe ç’na ofron kështu që më mirë ai të vijë për ndeshjet zyrtare sepse të bëjë udhëtim aq të gjatë për tri javë nuk i bën mirë askujt. Por sigurisht ai është lojtar i domosdoshëm për kombëtaren në eliminatore.
- Vangjeli nuk është, po Debatik Curri si po shkon dhe a do të jetë me Moldavinë?
- Pikërisht dje ka folur me Debatikun në telefon. Diskutuam gjatë dhe ai më tha se për tri javë është gati dhe mund të luajë. Por unë nuk dua të nxitohem për këtë djalë. Kam informacion se është mbi peshë dhe nuk duam që të rrezikojë një dëmtim. Do ta shohim në vazhdim situatën dhe do të bëjmë një zgjedhje më të mirë të mundshme.
- Me Lorikun një takim dhe një fotografi e bukur?
- Duhej që të ndodhte ashtu. Në fakt unë isha atje për të takuar Bashën por më duhej të mbuloja gjurmët. Siç e kuptuat ne jemi duke luftuar për të marrë Bashën në skuadër. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Mua më pëlqen shumë ai djalë.
- Nuk po ju pyesim për eliminatoret por Moldavia është afër?
- Është një test gjeneral për ndeshjen e parë eliminatore. Do të provojmë ato që do të bëjmë në ndeshjen zyrtare. Kundërshtari është pothuajse i njëjtë dhe ne do të shohim shumë lojtarë të rinj. Këta djem kanë mundësi të mëdha në këtë miqësore që është testi ynë për këto eliminatore. Më pas vjen malorja dhe ndeshjet e vërteta.
Trajneri fjalë të mira për Ujkanin: Do të bëjë më të mirën
Trajneri i kuqezinjve Xhani De Biazi ka folur edhe për portierin e kombëtares Samir Ujkanin. Numri një i kuqezinjve ka lavdëruar pa fund djalin nga Kosova që është tashmë portier i Palermos. “Djem të mirë në futboll si Samiri kam njohur pak. Është shumë reaktiv i jashtëzakonshëm mes shtyllave dhe kur del nga porta. Dëshira për t’u rritur dhe përmirësuar është kualiteti më i mirë i tij.folëm në telefon javën e shkuar dhe e urova për skuadrën e re. ai është gati për Palermon. Jam i bindur se do t’i bëjë shumë mirë si Palermos dhe kombëtares shqiptare”,-është shprehur De Biazi.