Ndërkohë që Seria A do më tepër se një muaj të fillojë, skuadrat italiane kanë filluar të mendojnë që tani për trofetë që dëshirojnë në fund të sezonit. Ndërkaq, një nga skuadrat e cila duket aktive në merkato, qoftë në afrime apo largime, është ajo e Napolit. Skuadra napolitane është rikthyer fuqishëm në kampionatin italian në sezonet e fundit, dhe tashmë pretendimet e saj sa vijnë e rriten. Sezonin e kaluar, Napoli fitoi Kupën e Italisë duke mundur Juventusin në finale të saj, ndërkohë që tashmë kërkon të fitojë edhe kampionatin mbas një kohe shumë të gjatë. Këtë e konfirmon edhe presidenti karizmatik i Napolit, De Laurentis, i cili shprehet se Napoli është një ekip që mund të pretendojnë. “Ne jemi një ekip shumë i fortë dhe këtë e kemi provuar vazhdimisht në sezonet e fundit. Unë mendoj se skuadra sa vjen e forcohet më tepër. Laveci? Po është një largim i rëndësishëm, por kemi Kavanin. Kavani është një sulmues klasi dhe shumë i rëndësishëm për ne”,- është shprehur De Laurentis. Ai ka theksuar se grupi i ri i lojtarëve ështër rritur dhe tashmë ka eksperiencën e duhur për të luajtur në skuadrën e parë. “Ne gjithmonë i kemi vënë rëndësi të madhe ekipit të të rinjve dhe në skuadër ka shumë të rinj që tashmë janë rritur, kanë fituar eskperiencë dhe janë gati të luajnë me ekipin e parë”,- u shpreh De Laurentis. Ndërkaq, ai flet edhe për çështjen e Kavanit, ku e nënvizon se është i palargueshëm nga Napoli. “E kam theksuar dhe e theksoj se ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Për këtë arsye, ai është i pashitshëm. Vetëm në rast se vjen ndonjë i çmendur dhe ofron 100 milion euro…kjo është një tjetër çështje”,- tha De Laurentis. “Kemi një staf të dedikuar punës dhe me dëshirë të madhe për ta çuar Napolin aty ku ka qenë më parë. Tashmë duam të fitojmë kampionatin dhe mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për ta arritur një gjë të tillë. Sigurisht asgjë nuk fitohet me fjalë, por me punë të madhe arrihet çdo gjë”,- nënvizon trajneri i Napolit. Ndërkaq ai flet edhe për fenomenin që shumë lojtarë të njohur largohen jashtë Italisë. “Nuk kemi pse habiteni. Futbolli është një biznes dhe në biznes fiton ai që hedh më shumë para. Tani na vjen një agjent, që ka gjetur një skuadër të fuqizuar financiarisht, edhe i merr të gjithë lojtarët e shtrenjtë…”, shprehet De Laurentis me ironi drejtuar Raiolës, agjentit të Ibrahimoviç.