Sistemimi i Tiranës, lëvizja në 5 unaza, zhvillimi në 7 qendra,
Pranvera Kola
Tirana ka tashmë planin e saj të detajuar për zhvillimin që do të ndjekin të gjitha zonat brenda dhe jashtë vijës së verdhë. Dita e djeshme ka shënuar zbardhjen e risive që ky plan siguron për renditjen e Tiranës përkrah qyteteve moderne evropiane. Me planin e ri kufijtë administrativë nuk do të ndryshojnë, por do të futet një metodologji e re e planifikimit urban, duke mos përjashtuar bashkitë dhe komunat përreth. Eksperti i urbanistikës Agron Lufi ka deklaruar se Tirana për vite ka vuajtur nga fakti që ka vetëm një qendër, teksa plani i ri sugjeron formulën e zhvillimit të Tiranës në 7 pole të ndryshme, të cilat në mënyrë individuale do të ofrojnë të gjitha shërbimet për qytetarët. Në këto kushte, qytetarët nuk do të udhëtojnë më drejt qendrës për marrjen e shërbimeve të caktuara, sikundër ka ndodhur deri më sot. Lidhja e këtyre poleve mes tyre do të mundësohet nëpërmjet skemës së re të sistemit të qarkullimit rrugor të unazave, ku veç unazës se vogël dhe asaj qe është në ndërtim urbanistët kanë projektuar edhe 3 unaza të tjera për të lehtësuar rafikun. Është menduar që t’u jepet frymëmarrje edhe rrugëve hyrëse e dalëse të Tiranës me pjesët e tjera të Shqipërisë, veçanërisht forcimit të lëvizjeve në Rrugën e Durrësit, Rrugën e Kavajës dhe Rrugën e Elbasanit, duke hapur dhe dy hyrje të reja për në qytet: atë lindore, Rruga e Arbrit, dhe hyrja veriore, rruga e trenit.
Ndarja në 7 qendra
Për këtë janë parashikuar pesë qendra të reja. Njëra është poshtë stacionit të trenit, që është konceptuar me funksione publike, administrative, rekreative. Është pjesa lindore e Tiranës, që është pjesa e spitaleve. Ky pol do të ketë funksione që do t’i shërbejnë shëndetësisë, sepse është qendra e spitaleve, por do të pasurohet edhe me shërbime të tjera tipike për qendrën. Poli i tretë do të jetë qendra e Qytetit Studenti, ku tema kryesore është arsimi, por do të pasurohet me shërbime të tjera publike. Poli i katërt do të jetë pjesa e digës së Liqenit, ku domeni kryesor do të jetë me funksione rekreative. Ndërsa poli i pestë do të jetë pjesa e Fushës së Aviacionit, ku do të synohet që të futen aktivitete biznesi, administrative, rekreative. Përveç këtyre pesë poleve do të jenë edhe dy qendra në një largësi pak më të madhe nga qendra e Tiranës: është Kombinati, ku sipas variantit të propozuar nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit sugjerohet ndërtimi i një fshati dhe universiteti në Kazmës, ku mendohet që tema kryesore të jetë arsimi, me krijimin e një kampusi të ri universitar për disa disiplina arsimore.
Rrjeti rrugor
Urbanisti Lufi ka deklaruar se plani sjell risi dhe është ambicioz edhe për sistemimin e rrjetit rrugor dhe drejtimeve të lëvizjes së automjeteve private e transportit publik. Grupi strategjik i ekspertëve gjatë detajimit të planit ka ruajtur sistemin e lëvizjes me anë të pesë unazave të mëdha si dhe ka sistemuar qarkullimin në rrugët hyrëse e dalëse të qytetit.
Tirana do të ketë një rrjet prej 5 unazash. Unaza 2 është ajo që dikur quhej “unaza e mesme”, që gjithashtu do të funksionojë me sens unik lëvizjeje, por në drejtimin e kundërt të lëvizjes me unazën 1. Unaza 3 është praktikisht unaza ekzistuese e qytetit, por që sugjerohet plotësimi i saj për pjesën jugore të qytetit. Plotësimi i saj në pjesën jugore është tejet i vështirë në krijimin e një gjurme të plotë, ndaj mund të pranohet një ridimensionim i saj, duke komprometuar një pjesë të fluksit të lëvizjes. Unaza 4 është risi për Tiranën, pasi sot nuk ekziston as si gjurmë në asnjë prej planeve. Duke qenë se distanca nga unaza 3 deri tek unaza 5 është relativisht e madhe, konsiderohet e rëndësishme që të vendoset unaza 4, në gjurmën e së cilës mund të shtrihet dhe një nga linjat e tramit. Njëkohësisht plani ka përcaktuar edhe skemën se si do të funksionojë transporti publik nëpërmjet linjave të urbanit dhe tramvajit.
Ndarja e Tiranës në 7
pole të ndryshme zhvillimi
• Një pol zhvillimi është ai që shtrihet poshtë stacionit të trenit dhe që merr një hov të madh zhvillimi me zbatimin e projektit të “Grimshaë Architects” për Bulevardin e ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës.
• Një tjetër pol shtrihet në zonën e spitaleve, i cili ka dimension kryesor aktivitetin shëndetësor, por natyrisht do të ketë edhe shërbime të tjera për qytetarët.
• Një pol tjetër do të shtrihet në Qytetin Studenti me funksion kryesor arsimin, por plani sugjeron pasurimin e kësaj zone me shërbime të tjera rekreative, sociale dhe administrative, në mënyrë që të pasurohet dhe forcohet roli i këtij poli.
• Një pol i ri, ai jugperëndimor, do të krijohet rishtas, duke akomoduar shërbime që Tirana i ka me mangësi. Kryesisht do të jenë shërbimet rekreative dhe sportive.
• Një tjetër pol është ai që shtrihet përgjatë Fushës së Aviacionit, në të cilën planifikohen shërbime biznesi dhe rekreacioni. Gjenerimi i këtij poli do të katalizojë rizhvillimin e kësaj zone, si një nga zonat më të neglizhuara të qytetit.
• Në polin e Kombinatit është parashikuar akomodimi i disa funksioneve sportive me sfond olimpik.
• Ndërsa poli veriperëndimor parashikon forcimin e funksionit arsimor të Kodër-Kamzës dhe pasurimin e shërbimeve dhe funksioneve në këtë zonë.
Qarkullimi i automjeteve
Ndarja me 5 unaza për
lëvizjen e makinave
Plani urbanistik parashikon tri rrugë kryesore hyrëse në Tiranë si dhe ndarjen e qartë të 5 unazave, që do t’i vijnë në ndihmë skemës së mirëmenaxhimit të trafikut dhe qarkullimit të automjeteve. Konkretisht, unaza 1, është unaza e vogël e qytetit, e cila në formën e saj sjell një risi. Praktikisht janë dy miniunaza, që funksionojnë me sens unik si ingranazhe lëvizëse, duke bërë që qendra të jetë pedonale. Unaza 2 është ajo që dikur quhej “unaza e mesme”, që gjithashtu do të funksionojë me sens unik lëvizjeje, por në drejtimin e kundërt të lëvizjes me unazën 1. Unaza 3 është praktikisht unaza ekzistuese e qytetit, por që sugjerohet plotësimi i saj për pjesën jugore të qytetit. Plotësimi i saj në pjesën jugore është tejet i vështirë në krijimin e një gjurme të plotë, ndaj mund të pranohet një ridimensionim i saj, duke komprometuar një pjesë të fluksit të lëvizjes. Urbanisti Lufi ka deklaruar se unaza 4 është risi për Tiranën, pasi sot nuk ekziston as si gjurmë në asnjë prej planeve. Duke qenë se distanca nga unaza 3 deri tek unaza 5 është relativisht e madhe, konsiderohet e rëndësishme që të vendoset unaza 4, në gjurmën e së cilës mund të shtrihet dhe një nga linjat e tramit, për të cilin do të flitet më vonë. Unaza 5 është unaza e jashtme e qytetit, zbatimi i së cilës ka filluar tashmë në disa segmente. Plani sugjeron të debatohet në publik mbi disa opsione që ka gjurmimi i pjesës veriore të saj.
Përdorimi i transportit publik
Linjat për lëvizjen me
urban dhe tramvaj
Risi e planit është dhe rrjeti i transportit publik. Duke analizuar strukturën aktuale të lëvizjes, janë evidentuar korridoret që duhen mbuluar me shërbim. Është parë se disa zona (spitalet, universitetet e qendrat tregtare) shkaktojnë flukset kryesore të lëvizjeve, të cilat do të kenë prioritet transportin publik. Linja lindje–perëndim është një nga më klasiket në qytetin e Tiranës, ndaj dhe tramvaji do të ketë një linjë të tillë. Linja veri–jug do të sigurojë shërbimet e lëvizjes së gjithë qytetit drejt aeroportit dhe drejt zonës ekonomike. Për këtë arsye në pjesën veriore kjo linjë ndahet në dy nënlinja: njëra linjë synon lëvizjen drejt aeroportit, tjetra do të çojë njerëzit drejt vendeve të punës në zonën ekonomike përgjatë autostradës. Kjo nënlinje synon të mbledhë flukse lëvizjeje edhe nga pjesa veriore e qytetit, ku ndodhet një pjesë e mirë e krahut të punës, që do të punësohet në zonën ekonomike gjatë autostradës. Tramvaji parashikon edhe një linjë unazore, që zhvillohet në nivelin e unazës. Përgjithësisht linjat kryqëzohen në qendër, ku do të vendoset stacioni qendror për tramin e autobusët. Linjat e autobusëve do të jenë komplementare me linjat e tramvajit, në mënyrë që të kapitalizohet mbledhja flukseve të lëvizjeve. Për këtë arsye në nivelet e tjera të unazave do të parashikohen linja autobusësh. Gjithashtu me linja autobusësh do të mbulohen disa zona, si Shkoza, Rrapi i Treshit etj.
Urbanisti Agron Lufi
Ku do të lejohen ndërtimet
Kufiri ku do të ndahet
zhvillimi urban e rural
Plani i ri urbanistik siguron ndarjen e kufijve të qartë në lidhje me kriteret që do të ndiqen për urbanizimin e Tiranës brenda e jashtë vijës së verdhë. Konkretisht, urbanisti Agron Lufi ka deklaruar: “Në planin rregullues dhe në konceptin rajonal ne po futim konceptin e kufirit të urbanizimit (të ashtuquajturin ‘Green Belt’). Ky kufi presupozon vënien e një limiti në procesin e urbanizimit pa kriter, që ka çuar në përdorim pa efiçencë të tokës bujqësore. Kjo nuk do të thotë se jashtë kësaj vije nuk lejohet ndërtimi, por do të thotë që jashtë kësaj vije shteti nuk parashikon procese urbanizuese. Kjo vijë esencialisht ndan aktivitetin urban me atë rural. Ky rajon ka në themel të tijin një bazë të zhvillimit ekonomik. Një rajon i tillë nuk mund të konceptohet pa vënë në dispozicion territorin e caktuar për aktivitetet ekonomike. Shpërndarja e ish-zonave industriale dhe pozicioni i tyre në raport me urbanizimin e Tiranës nuk jep shanse për to për të shërbyer si zona kryesore të aktivitetit ekonomik industrial. Ndaj krijimi në trendin natyral i një zone ekonomike për metropolin është imediate. Shtrirja e saj përgjatë autostradës deri në afërsi të aeroportit, vetë pozicioni gjeografik dhe infrastruktura e kësaj zone japin mundësi për tërheqjen e investimeve të duhura për të krijuar në këtë të zonë motorin ekonomik të rajonit.”
Kryebashkiaku Basha prezanton planin urbanistik
Plani i Tiranës moderne europiane
Bashkëpunimi me 6 komuna e dy njësi bashkiake
Duke u ndalur në risitë që mbart plani urbanistik, kryebashkiaku Lulëzim Basha ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se në hartimin e këtij drafti në nivelin e grupit teknik dhe strategjik janë përfshirë ekspertët më të mirë vendas, urbanistë, arkitektë, profesorë të universiteteve publike dhe private, publicistë, ekspertë të mjedisit dhe ekonomisë, historianë dhe studiues, por dhe studentë. Ky plan, i emërtuar “Plani i Tiranës metropolitane”, shtrihet në 8 njësi vendore, dy nga të cilat janë bashki dhe 6 komuna. Kjo shënon një risi, një model bashkëpunimi dhe natyrisht bën të mundur që qytetarëve t’u krijohen kushte më të mira të lëvizjes, shërbimit dhe infrastrukturës.
“Përkundër një historie të lodhshme të frymës konfliktuale dhe mungesës së bashkëpunimit edhe me vetë administratat vendore kufitare ne synuam që në fillim të procesit të ndërtojmë një klimë mirëbesimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me njësitë vendore përreth. Me shumë përgjegjësi dhe kënaqësi ne njëkohësisht u angazhuam në një protokoll bashkëpunimi për ndërtimin e një vizioni të përbashkët zhvillimi metropolitan”, – theksoi kryebashkiaku. Studimi urbanistik sjell një vlerësim të barabartë të pronës private si në rastet kur ndërtohet pallat, ashtu dhe kur është e destinuar për lulishte apo për rrugë. “Jemi dëshmitarë të një modeli të dështuar, që ka bërë që një pjesë e pronave të fitojnë vlerë përmes një procesi planifikues selektiv dhe një pjesë të humbasë vlerë pikërisht për të njëjtën arsye. Kjo praktikë do të marrë fund. Plani aktual synon ta zgjidhë këtë problematikë, duke sjellë komponentin evropian të formulës së menaxhimit, çka do të thotë në themel që të gjithë banorëve, pronarëve, ndërtuesve t’u ofrohen shanse të barabarta zhvillimi të pronës së tyre, duke ulur barrën e funksionimit të një tregu të lirë, normal në qytet”, – shtoi më tej Basha. Për tre muajt e ardhshëm plani do t’u nënshtrohet konsultimeve të vazhdueshme me qytetarët dhe grupet e interesit, të cilët do të japin sugjerimet e tyre mbi përmbajtjen.
Për secilin bllok banimi kritere specifike për ndërtimet e reja
Ndarja e Tiranës në 600 blloqe banimi
Ndarja në blloqet e banimit, lagjet dhe njësitë administrative
Pranvera Kola
Respektimi i pronës private, ruajtja më fanatizëm i mjedisit dhe zhvillimi ekonomik janë tri shtyllat që do të sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm të Tiranës. Në detajimet e bëra sa i takon ndarjes së shërbimeve dhe fondit të ndërtimeve që do të lejohen në secilën zonë, plani rivendos hierarkinë e strukturës urbane, që nis nga Blloku, ku parashikohen 600 të tillë, kompleksi avancon me lagjet dhe përmbyllet me njësitë administrative. Sipas arkitektit Flamur Kuçi, plani e ndan Tiranën në 600 blloqe banimi, ndërsa të gjithë rajonin, duke përfshirë edhe komunat, në 2 mijë blloqe banimi, që do të funksionojnë si struktura me të gjitha shërbimet përkatëse. Në secilin bllok banimi do të ndiqen kritere të rrepta sa u takon shërbimeve që do të ofrohen për komunitetin, duke përfshirë sipërfaqet e gjelbra, lulishtet, shërbimet sociale kopshtet, çerdhet, shkollat e spitalet, funksionet administrative, si dhe hapësirat për ndërtimet. Po qartë përcaktohet edhe pasaporta për secilin bllok dhe formula e menaxhimit të pronës. “Shqipëria i ka humbur referencat për normat e ndërtimit e për këtë u jemi referuar disa normave nga manualet ndërkombëtare, sepse ne nuk kemi norma të planifikimit urban në Shqipëri. Ajo që mbetet e vështirë është fondi ndërtimor që mund të lejohet për t’u ndërtuar në një bllok banimi. Fondi ndërtimor për një bllok është llogaritur në këtë formë për popullatën, ku përfshihet tërësia e metrave katrorë për frymë banimi që ka të nevojshme çdo banorë dhe që janë norma projektimi të huazuara nga manualet ndërkombëtare. Praktikisht në një bllok banimi, në një zonë, totali që mund të ndërtohet ose mund mbajë zona është 324 mijë metra katrorë ndërtim. Ndërkohë territori ndërtimor është i gjithë territori i bllokut minus atë territor që duhet për shërbime dhe funksione publike. Raporti i këtyre të dyjave nxjerr parametrin ndërtimor që mund të ndërtohet në atë bllok ndërtimi”, – pohon Kuçi. Parametrat ndërtimorë për secilin bllok nuk do të vendosen në bazë të preferencave, por në bazë të një linje të caktuar dhe tipologjisë që identifikon secilën zonë. Kështu, për të 600 blloqet e banimit të Tiranës dhe 2 mijë blloqet e gjithë rajonit është detajuar edhe lista e të gjitha shërbimeve që do të ofrojnë. Plani detajon rregulla të qarta sa u takon tipologjive të ndërtimit, duke përcaktuar kriteret për sheshet minimale dhe lartësitë e caktuara, që do të duhet të ndjekin ndërtimet për të ruajtur estetikën e qytetit për të gjitha zonat si dhe distancat që secila prej këtyre objekteve do të duhet të plotësojë.
Krijimi i lidhjeve me parqet periferike të Tiranës
Shtimi i sipërfaqeve të gjelbra
Gjelbërimi në brendësi të blloqeve të banimit
Plani i kushton një rëndësi të veçantë shtimit të sipërfaqes së gjelbër. Kështu, krahas zgjerimit të hapësirave gjelbëruese ndërmjet blloqeve të banimit Tiranës i shtohen edhe parqet periferike, të cilat do të lidhen me ato ekzistuese. “Në konceptin tonë e gjithë skema rajonale parashikohet të ketë 3 parqe periferik, se në fakt Tirana ka vuajtur dhe po vuan mungesat e sipërfaqet e gjelbra. Kështu, parqet lokale, që në konceptin e planit do të rikuperojnë këtë mungesë, duke përmirësuar infrastrukturën në parkun ekzistues të Liqenit Artificial, parkun e Farkës dhe krijimin e parkut të ri të Paskuqanit. Këto parqe nuk do ta bëjnë mirë funksionin e tyre, në rast se nuk mbështeten në parkun periferik të Kasharit, që shkon deri në Sauk e më pas në Stërmas dhe Parkun Kombëtar të Dajtit”, – ka konfirmuar arkitekti Kuçi. Për secilën zonë janë detajuar mbi bazën e kritereve të caktuar sipërfaqet që do të vihen në funksion të gjelbërimit. Kujdes do t’i kushtohet edhe gjelbërimit në brendësi të blloqeve të banimit, që për vite me radhë kanë qenë në raporte kritike.