Dy zjarre kanë rënë dje në Kukës dhe Sarandë, ku janë djegur disa hektarë. Përgjegjësi i zyrës së Emergjencës Civile ne prefekturën e Kukësit, Azem Tema, thotë se “janë prej ditësh jashtë kontrollit zjarri në masivin pyjor të Qafë Kombit, që ka përfshirë masivin pyjor afër fshatit Zapod, i cili pasi ka shkrumbuar një sipërfaqe prej 8 ha pyje, po i afrohet masivit pyjor në kufirin me Kosovën. Po ashtu janë jashtë kontrollit edhe vatrat e zjarrit në zonën e Bugajës të komunës së Kolshit në rrethin e Kukësit, si dhe vatrat e zjarrit në fshatin Pogaj të rrethit të Hasit dhe në Pla të Krumës”. Ndërkaq, një zjarr i pashpjegueshëm ka djegur sot dhjetëra rrënjë me pisha, në kurorën e gjelbër të Sarandës. Burime nga shërbimi zjarrfikës i Sarandës, thanë se janë njoftuar nga banorët për rënien e zjarrit në territorin midis rrugës së pestë të Sarandës dhe fshatit Gjashtë në periferinë e afërt të saj. Remzi Bani, përgjegjës i shërbimit zjarrfikës, tha në linjë telefonike se ishin tri vatra të ndezura pas mesnatës së djeshme që nënë veprimin e erës, janë zmadhuar dhe janë bërë kërcënuese për të gjitha pemët, si dhe për banesa të shpërndara në këtë hapësirë.