Edi Rama: Të hapur për aleancë me FRD dhe AK

Intervista, lideri i opozitës flet për zgjedhjet e 2013-s: Koalicioni, surprizë

Kreu i PS-së Edi Rama i ftuar në studion e gazetarit Alfred Peza ka folur gjatë për ndryshimet kushtetuese, heqjen e imunitetit dhe ambicien për të qenë në krye të qeverisë së re të zgjedhur pas 2013-s. Lideri i opozitës është shprehur së është i gatshëm të bashkëpunojë dhe me parti të spektrit të djathtë, duke qenë se një pjesë e tyre janë tashmë në këtë koalicion si dhe me Fatos Nanon, i shfaqur së fundmi aktiv në politik me lëvizjen e tij. Por Rama ka bërë të qartë se nuk do të tolerohet asnjë frymë përçarëse në Partinë Socialiste…

 

Zoti Rama, kjo javë pati një zhvillim, një ngjarje politike e cila kurrë nuk mund të anashkalohet, siç ishte inaugurimi i Presidentit të ri të Republikës dhe ndryshimi, si dhe dorëzimi i stafetës nga zoti Topi. Si do ta përkufizonit me një fjali pikërisht këtë inaugurim?

 

Nëse më pyesni për ceremoninë ku isha i pranishëm do të thosha Koncert në vitin 1936. Për të rinjtë që mbase nuk e kanë parë atë film mit të kohës së shkuar, një ceremoni e cila ishte triumf i mediokritetit dhe banalitetit.

 

Ju gjithsesi ishit në këtë ceremoni…

Sigurisht sepse u zgjodh një President i Republikës pa pëlqimin tonë, por u zgjodh në fund të fundit në rrugë Kushtetuese dhe ne i njohim institucionet jo vetëm kur kemi afrimitet me fytyrat e drejtuesve të tyre, por edhe kur drejtohen nga njerëz që nuk e kanë pëlqimin tonë. Pra, respektojmë institucionin dhe shprehje e këtij respekti për institucionin ishte dhe prania ime aty si përfaqësues i opozitës.

 

Megjithëse kishte shumë njerëz në radhë për t’i dhënë dorën Presidentit të ri dhe zonjës së parë, ju me durim nga fundi arritët në transmetim live, njerëzit e kanë parë besoj, që i shtrëngonit dorë dhe diçka i pëshpëritët. Çfarë i thatë në ato pak sekonda?

Asgjë të veçantë. Pata mundësi t’iu them diçka më shumë fëmijëve të Presidentit, që më bënë përshtypje me një ndrojtje shumë të sjellshme dhe sinqerisht do të uroja që kur të marrë vendimet që do i duhet të marrë Presidenti të merakoset më shumë për emrin që do u lërë atyre dy fëmijëve, vajzës dhe djalit, se sa për shijen që vendimet e tij do t’i lënë Saliut apo partisë nga ai doli.

 

Dikush erdhi, një tjetër iku. Po presidentit në ikje çfarë i thatë?

Në fakt, i çova një mesazh dhe i thashë një të vërtetë shumë të thjeshtë nga ceremonia. Ishte i vetmi moment kur duartrokita, natyrshëm më erdhi, teksa Bamir Topi po zbriste shkallët me zonjën dhe i urova sukses për jetën e dytë politike.

 

Jeni i sigurt se ai tashmë do ta ketë një jetë të dytë politike?

Ashtu e ka bërë me dije.

 

-Meqë jemi këtu dhe meqë kaluan 5 vjet gjithsesi, duhet të keni një vlerësim për këtë mandat…?

E kam dhe besoj që nuk duartrokita me sinqeritet për atë çfarë ka bërë, por për të gjitha atë çfarë nuk ka bërë duke refuzuar të përdoret për interesat e partisë që e zgjodhi President. Besoj se në kontekstin në të cilin jetojmë ky nuk është një kontribut i vogël, por përkundrazi, është një kontribut për t’u çmuar veçanërisht nga pozitat e opozitës.

 

 

Besoj se e keni ndjekur dhe me këtë sy fjalimet e inaugurimit të Presidentit Nishani. Ka pasur dy fjalime. Një në parlament dhe një atje ku ishit ju i pranishëm. Si i vlerësoni?

Do të kisha dashur të ma kursenit këtë pyetje. Por, jam i detyruar t’ju përgjigjem. Fjalimi në parlament ishte nën mesataren e fjalimeve parlamentare. Fjalimi në Presidencë ishte nën mesataren e fjalimeve presidenciale. Por, nga ana tjetër besoj se nga Presidenti Nishani nuk kemi arsye të presim fjalime të mira dhe nuk besoj se ai do të mbetet në histori për fjalimet.

 

Kë konsideroni provën e parë të madhe të zjarrit të Presidentit të ri? Shumë e lidhin me Prokurorin e Përgjithshëm në fakt.

Sigurisht që këtu jemi në një moment kur janë praktikisht të ravizuar të gjitha konturet e një partie në shtet dhe me zgjedhjen e njëanshme të Presidentit është hedhur hapi i madh drejt vënies nën kontroll të Prokurorisë së Përgjithshme, të Shërbimit Informativ dhe pa dyshim drejt përmbylljes së një procesi vënieje nën kontroll të gjykatave më të larta të vendit. Unë nuk pres asgjë, e përsëris. Për të mos thënë që pres zhvillime negative. Por, le t’ia lëmë kohës ta vërtetojë dhe do të isha i pari që do isha shumë i kënaqur që sot do të isha gabim.

 

A mos ndihmuat edhe ju pak si opozitë me ndryshimet Kushtetuese që të vinte kjo ditë ku po merren trajtat dhe tiparet referuar asaj që thatë ju, partisë shtet?

Kam folur për ndryshimet Kushtetuese dhe dua ta ritheksoj që ne nuk gabuam pse u adresuam tek Kushtetuta të vendeve të mëdha demokratike, të vendeve që sot rrezatojnë demokratikisht në Bashkimin Evropian për të ndryshuar Kushtetutën tonë dhe posaçërisht edhe në këtë pikë të veçantë. Por, gabuam duke rendur më shpejt se sa kohë që nuk kishte ardhur ende për të bërë ndryshimet që bëmë siç po e tregon edhe vetë mënyra se si po zhvillohen gjërat. Megjithatë, e përsëris që ka ende kohë për të vlerësuar të gjitha ndryshimet Kushtetuese në tërësinë e tyre.

 

Meqë jemi tek ndryshimet Kushtetuese, janë në proces, janë në diskutim ndryshime të freskëta, të reja, që ende nuk kanë ndodhur, një prej të cilëve lidhet me çështjen e heqjes së imunitetit. A do ta hiqni më në fund imunitetin apo jo?

Ju falënderoj për këtë pyetje sepse është një mundësi për t’u shpjeguar ndoshta pak më gjerë me publikun. Por tanimë që flasim për ne çështja e nenit që ka të bëjë me kufizimin e imunitetit është i mbyllur. Është bërë një punë e lavdërueshme nga ana e Komisionit tonë të Ligjeve dhe nga relatori Pandeli Majko. Është arritur në një pozicion të përbashkët mbi variantin e ofruar nga ne dhe është miratuar në parim dhe nen për nen i gjithë ndryshimi që ka të bëjë me imunitetin. Kjo është çështje e mbyllur.

 

Do ta votoni më 6 gusht apo jo?

Më 6 gusht ne nuk do të votojmë. Kjo nuk ka të bëjë me ndryshim qëndrimi lidhur me ndryshimin tanimë të realizuar për sa i përket imunitetit, por ka të bëjë me një qëndrim të qartë, publik dhe besoj koherent në raport me Kushtetutën dhe me qytetarët për domosdoshmërinë që ndryshimet Kushtetuese të bëhen si një proces i cili mbyllet vetëm kur janë diskutuar të gjitha propozimet. Kemi pasur dy propozime për imunitetin, një propozim i PS dhe një propozim i PD. Kemi rënë dakord më në fund për propozimin e PS, që prej vitesh ka qenë i qartë: Duhet bërë ndryshim Kushtetues dhe duhet bërë në këtë formë. Më në fund erdhën në pozicionin tonë.

 

Nga propozimet tuaja, përveç imunitetit, veçohen ato që lidhen me mënyrën e zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm, propozohet me 84 vota. Propozohen anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, sërish me 84 vota. A çon kjo në krizë? Po të kemi parasysh se me 84 vota tani zgjidhet vetëm Avokati i Popullit dhe u deshën dy vjet që të zgjidhej.

Nejse, ajo nuk kishte lidhje me krizën. Ajo kishte lidhje me krizë politike dhe institucionale që e kishte mbërthyer vendin për arsye që dihen dhe të mos i kthehemi. Dhe praktikisht, në momentin kur u çlirua parlamenti dhe vendi nga ajo krizë për shkak të atyre ndryshimeve që ndodhën zgjedhja e Avokatit të Popullit u bë në një kohë shumë të arsyeshme dhe mishërim i një vizioni që ne e përfaqësojmë dhe e mbrojmë për mënyrën se si duhet të zgjidhen drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Për sa u përket këtyre ndryshimeve të tjera, iu jemi referuar me po atë zell shtetndërtues dhe me po atë pasion politik atyre Kushtetutave që iu referuam edhe kur bëmë ndryshimin për zgjedhjen e Presidentit. Pikërisht se pranuam që Presidenti të mund të zgjidhet dhe me një shumicë të thjeshtë në fund të procesit për të shmangur një krizë që çon në zgjedhje dhe pastaj prapë në zgjedhje. Nuk kemi pse të mos pranojmë që atë çka e garantonte deri dje Presidenti i zgjedhur me 3/5 duhet tani ta garantojnë 3/5 e parlamentit për të votuar propozimet e Presidentit.

 

Që ta kuptojnë dhe shikuesit. Ato kompetenca që kishte Presidenti i zgjedhur me 3/5, tani meqë ky President nuk zgjidhet me 3/5, t’i kalojnë parlamentit si një lloj garancie. Kjo është?

Ekzakt.

 

Ju thatë që i gjithë meraku juaj është që në vjeshtë të kapim kohën për çështjen e marrjes së statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë. A nuk do të ishte në ndihmë të këtij procesi votimi në 6 gusht i ndryshimeve të arritura deri tani dhe mos pengimi në shtator pastaj?

Absolutisht 6 gushti nuk përbën asgjë tjetër përveçse një datë të vendosur në mënyrë arbitrare nga njëra palë.

 

Edhe ju keni qenë në Konferencën e Kryetarëve…

Kemi qenë kundër datës 6 gusht.

 

Nuk keni dhënë dakordësinë?

-Absolutisht. Kemi kërkuar një proces ashtu siç e meriton diskutimi për Kushtetutën dhe kemi thënë dhe e përsëris sot përpara të gjithë publikut që për ne nuk është absolutisht në diskutim heqja ose jo e imunitetit, por është në diskutim a do t’ia heqim nga fyti drejtësisë kthetrat e pushtetit politik dhe a do t’i japim institucioneve të drejtësisë një frymëmarrje dhe një forcë të re për të mundur që të ndjehen më të lira dhe më të pavarura që të japin drejtësi. Kjo pasi deri më sot problemi nuk ka qenë imuniteti, problemi ka qenë dhe mbetet impuniteti, pandëshkueshmëria. Shqiptarët janë dëshmitarë se edhe në rastet më flagrante të korrupsionit qeveritar. Protagonistët kanë kërkuar vetë t’u hiqet imuniteti, kanë shkuar në gjykatë të zhveshur nga imuniteti dhe kanë dalë krejtësisht pa u lagur.

 

Pra, ndryshimet që ju propozoni janë garanci që kjo gjë të mos ndodhë?

Ne besojmë se kjo është një reformë e domosdoshme dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë të mundur këtë reformë.

 

 

 

Shtatori është koha e mundshme që të bëhen të gjitha dhe të mos pengohet marrja e statusit?

Absolutisht. Për sa i përket marrjes së statusit kjo është një çështje tjetër. Ne nuk e dimë kurrsesi që a do të mjaftojnë të gjithë këto për të marrë një reagim pozitiv nga Brukseli. Por, ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka është e mundur që ta marrim këtë reagim pozitiv.

 

Në këtë proces, në këto diskutime midis partisë suaj dhe Partisë Demokratike në parlament papritur ka dalë një protagonist politik, jo se është i panjohur, përkundrazi, Pandeli Majko. Ka një afrim të ri midis jush sepse po shikoj një Pandeli Majko si në kohët e tij më të mira këto ditë?

Nuk ka asnjë afrim të ri sepse s’ka pasur asnjë largim të vjetër. Por, duke qenë se Pandeliu ka qenë protagonist në shkrimin e Kushtetutës për shkak të pozicionit të tij atëherë. Duke qenë se është anëtar i kahershëm i Komisionit të Ligjeve dhe duke qenë se ai vetë dëshiroi që të merrte përsipër mbrojtjen e kësaj çështjeje si relator gjendet në vijën e parë për të ekspozuar dhe argumentet tona për këtë proces të ndryshimeve Kushtetuese.

 

Duke qenë në këtë vijë të parë ai bëri një deklaratë duke thënë se basti i Edi Ramës është largimi i Sali Berishës nga politika. Është në fakt basti juaj?

Në fakt ky është një titull i një gazete në Kosovë. Por, siç ndodh rëndom, titull e nxjerrë nga intervistat e njerëzve të politikës janë një kompromis midis asaj çfarë thuhet dhe asaj që botuesit bëjnë për të tërhequr më shumë lexuesit.

 

Dhe ju nuk do të largoheni nga politika pa e fituar këtë bast?

Tani, nuk kemi pse hymë në përbetime të tilla. Unë besoj që ne jemi shumë pranë fitores dhe në vitin 2013, në zgjedhjet e ardhshme do të realizojmë atë ç’ka nuk arritëm dot të realizojmë plotësisht në zgjedhjet e shkuara, ku megjithëse fituam votat nuk arritëm dot të zgjidhemi për shkak të gjithë atyre që ndodhën dhe jam i bindur se do të hapim me votën e qytetarëve një faqe të re në historinë e këtij vendi. Dhe jemi të bindur se pavarësisht që pala tjetër dhe Saliu do të bëjnë gjithçka janë përpjekur gjithmonë për të ndryshuar fatin e zgjedhjeve, në 2013 fatin e zgjedhjeve do ta vendosë vota e popullit shqiptar.

 

Nuk do të ketë më alibi?

Unë nuk besoj që në të shkuarën ka pasur alibi. Unë besoj që kemi mbrojtur një të vërtetë e cila tanimë është një e vërtetë e pranuar nga të gjithë, që në Shqipëri deri më sot nuk ka pasur zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe që rezultati i zgjedhjeve nuk i është përgjigjur domosdoshmërish vullnetit të qytetarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhje.

 

Përtej kodit, keni lexuar besoj mirë gabimet tuaja dhe kjo është pjesë e kësaj garancie që jepni këtë radhë?

Quajeni si të doni, por besoj se nga ana tjetër vlen sigurisht eksperienca e betejës e vitit 2009 dhe ashtu siç vlen edhe eksperienca e vitit 2011 në Tiranë për të përmirësuar të gjitha aspektet e makinerisë sonë organizative dhe për t’ia dalë që mbështetur mbi masat e reja që kemi marrë të frenojmë hordhinë e manipulatorëve dhe të nxjerrim nga kutitë rezultatin e vendosur nga populli me votë.

Pra, do të votoni pro edhe për heqjen e imunitetit pavarësisht nëse bëhen ose jo ndryshimet Kushtetuese?

Për heqjen e imunitetit do të votojmë sepse është varianti ynë që është pranuar. Urojmë që pala tjetër të pranojë edhe propozimet e tjera. Por, ndërkohë, publiku duhet të ndjekë këtë debat për të parë se në fakt këtu kemi një ballafaqim dy vizionesh krejt të ndryshme për shtetin dhe krejt të ndryshme për të nesërmen e këtij vendi. Kemi nga njëra anë vizionin tanimë të mishëruar në një shtet i cili jo vetëm po merr të gjitha konturet e një partie, por po shfaq dhe simptomat e një shteti policor me përgjimin e opozitës, madje edhe të diplomatëve të huaj, në një njësi ilegale përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes…

 

A i keni provat për këtë, se kjo është “Ëatergate”?!

Dhe kemi nga ana tjetër një vizion krejt të ndryshëm diametralisht të kundërt të një force politike që është e angazhuar për një rilindje shqiptare e cila thotë se edhe pse sot një vit ne do të qeverisim Shqipërinë, ju propozojmë disa ndryshime në Kushtetutë për të forcuar dhe rritur pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe për t’i dhënë parlamentit një mundësi të plotë që të vendosë me më shumë se sa shumicën e thjeshtë për dekretet e Presidentit të Republikës.
Përgjimet janë të vërteta të gjitha? Keni prova?

-Ne jemi absolutisht të mirinformuar dhe thjesht e vetëm fakti që Ministri i Mbrojtjes dhe qeveria refuzojnë të kontrollohen në rrugën Kushtetuese dhe ligjore nga parlamenti i Shqipërisë, nga deputetët e opozitës dhe nuk provojnë dot ndërkohë të kundërtën, mjafton për të vërtetuar se kjo është e vërteta dhe vetëm e vërteta. Përgjohet opozita që prej shkurtit të vitit 2011 nga një njësi përgjimi të ngritur ilegalisht në Ministrinë e Mbrojtjes me një aparaturë të blerë në mënyrë korruptive. Madje se edhe kur bëjnë diçka të fshehtë ata duan që përveçse të bëjnë të pabërën si në rastin konkret, por edhe të fitojnë lekë. Janë përgjuar edhe diplomatë të huaj të nivelit të lartë. Ka pasur përgjime edhe në periudhën kur negociohej për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

 

Nga ato që janë përgjuar bëni ndonjë verifikim midis deklaratave publike dhe bisedave ku i riktheheni në kohë. Ku janë përkimet pas 21-janarit dhe gjatë periudhës së zgjedhjes President?

Nejse, ne kemi shumë informacion edhe nga brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Por, duhet të kryejmë të gjitha kontrollet e nevojshme për të mundur të dalim në konkluzione më konkrete. Besojmë ndërkohë se edhe vonesa e stërzgjatur në hapjen e dyerve të ministrisë për kontrollin, lidhet me përpjekjen për të fshirë gjurmët dhe për të pastruar territorin përpara se sa aty të hynë deputetët dhe ekspertët që ne kemi identifikuar për të na ndihmuar për të bërë kontrollin.

 

Ju thatë që janë përgjuar dhe ambasadorë shumë të lartë…

-Diplomatë të huaj të nivelit të lartë, por preferoj ta mbyllim këtë kapitull sepse nuk është se kemi mundësinë të ekspozojnë këtu më shumë informacion.

 

Zoti Rama ju do i qëndroni deri në fund kërkesës suaj për ndryshime Kushtetuese? E bëj këtë pyetje sepse është krijuar ideja që kur ju paraqisni platforma me 10 pika, propozime me 7 pika, kompromise me 5 pika, dilni i mbroni, debatoni dhe në fund krijohet ideja sikur PS në fund gjithmonë tërhiqet.

 

Është në fakt një absurditet konkluzioni se përderisa opozita propozon 10 pika dhe këto 10 pika nuk kthehen në vendime, atëherë opozita u tërhoq. Apo përderisa opozita propozon këto 4 pika për një periudhë të caktuar në një moment shumë të rëndësishëm siç është ai përpara zgjedhjes së Presidentit dhe këto 4 pika nuk zbatohen ashtu siç thotë opozita, përsëri opozita tërhiqet dhe kështu me radhë. Në fakt opozita këtë detyrë ka. Opozita ka për detyrë që jo vetëm të nxjerrë në pah të gjitha boshllëqet dhe të godasë të gjitha të metat e qeverisë dhe të qeverisjes, por edhe të bëjë propozime jo sepse me propozimet e saj do të sjellë qeverinë në rrugë të drejtë. Përgjithësisht kjo nuk ndodh që rrugët e qeverisë dhe të opozitës të përputhen në bazë të propozimeve të opozitës, as në Francë, as në Gjermani, as në Angli madje. Sot do të kishim një tjetër situatë, nuk deshi pala tjetër, mori përgjegjësi historike mund të rezultojë duke zgjedhur president të njëanshëm, duke refuzuar një proces të arsyeshëm, duhet të paguajë për atë përgjegjësi, duhet të paguajë ditën e gjykimit, atëherë kur do të jenë shqiptarët që do ta gjykojnë për këtë marrje përgjegjësie historike në papërgjegjshmëri.

 

-Ky gjykim do të bëhet në sezonin tjetër politik…

Ky gjykim do të bëhet ditën e votimit. Opozitat në të gjithë vendet ku beteja zhvillohet në parlament nuk debatojnë çdo ditë dhe çdo javë dhe katër vjet me radhë se do t’i ndryshojnë mendjen qeverisë. Kjo nuk ndodh ose ndodh shumë rrallë. Por, debatojnë për t’u dhënë njerëzve, qytetarëve që e kanë vendosur në skenë atë konfigurim duke vendosur në shumicë disa dhe në pakicë disa, mundësinë që të ballafaqojnë vizionet, ballafaqojnë alternativat.

 

Dakord, në fillim të programit thamë që është dhe fundi i sezonit politik dhe kjo është një nga arsyet që jemi sot këtu. Si do ta përkufizonit ju këtë sezon politik për Partinë Socialiste?

-Unë do ta përkufizoja me një fjali të vetme si një sezon politik ku Partia Socialiste ka vendosur interesin kombëtar dhe publik mbi hesapet dhe llogaritë e ngushta partiake.

Janë tre elementë që besoj e bëjnë sezonin politik të PS-së një sezon që është një bazë solide për sezonin e ardhshëm ku sigurisht ritmi dhe fuqia me të cilën PS do të veprojë në të gjithë skenën e jetës së vendit do të jetë i rritur në mënyrë eksponenciale.

 

Mos jeni vonë për këtë zoti Rama?

-Jo, nuk jemi vonë.

 

-Ju përmendët si pjesë të kontributit të opozitës çështjen e integrimit dhe proceseve ku edhe opozita ka qenë pjesë e këtyre proceseve siç janë reformat legjislative dhe kështu me radhë. Pse është kaq i rëndësishëm për një qytetar shqiptar marrja e statusit të vendit kandidat zoti Rama?

Pyetje me shumë vend. Duke bërë një digresion, i kam thënë kryeministrit në tryezë, drejtpërdrejt dhe në sy që: “Ju jeni sot kryeministri i vendit, unë do të jem vitin e ardhshëm, pavarësisht se ju mendoni që do të jeni ju, por kjo nuk e ndryshon thelbin e diskutimit. Na takon si dy përfaqësues të dy forcave më të mëdha politike, por më takon mua si njeriu që në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm do të jem në krye të qeverisë të vendit t’ju kërkoj që për asnjë arsye në botë të mos e rrezikojmë statusin e vendit kandidat”. Pse? Sepse vitin e ardhshëm jemi shumë të qartë dhe jam i bindur që kryeministri pavarësisht se çfarë u tregon përralla përditë shqiptarëve e di mirë të vërtetën e ekonomisë dhe të financave të vendit. Do të jemi në një acar ekonomik dhe financiar. Dhe përballë këtij acari ekonomik dhe financiar nuk duhet të jemi vetëm. Me statusin e vendit kandidat do të kemi tjetër vëmendje dhe mund të kemi të tjera rrugë për të pasur pranë Bashkimin Evropian. Për qytetarin shqiptar duhet të jetë e qartë se statusi i kandidatit nuk është një certifikatë, nuk është një fletë lavdërimi për të gjithë këto pako me letra që po çojmë në Bruksel si progres që deri më sot është vetëm një “progres”, pasi është një progres në letër. Por, është një stad i ri i Shqipërisë. Dhe në rast se do ta kishim marrë këtu e tre vjet më parë statusin e vendit kandidat, sot Shqipëria do të ishte duke përfituar drejtpërdrejt edhe nga fontet strukturale të BE për infrastrukturën, për bujqësinë, apo për administratën publike.

 

Ju po rrekeni të thoni veç të tjerash se ju keni bërë dhe kompromise dhe keni qenë pjesë e diskutimeve për kompromise në emër të BE-së. Sa e lartë mund t’ju rezultojë kjo natyrë në 2013?

-Në rast se do ta shikojmë siç shpeshherë shikohet BE, si një term të zbrazët dhe në rast se njerëzit do ta perceptojnë këtë thjesht si pjesë të kësaj retorikës të përditshme, siç ishte ai horizonti i kuq ku duhet të arrinim një ditë dhe duhet të punonim më shumë, atëherë sigurisht që kjo ka riskun e vet. Por, në rast se njerëzit do të kuptojnë deri në fund dhe ne do t’ia shpjegojmë me durim që për ne BE nuk është një stacion diku gjetkë ku do të marrim një fletë lavdërimi, por është mënyra e të qenit këtu në Shqipëri, është Shqipëria evropiane në mënyrën se si funksionojnë institucionet, është Shqipëria evropiane në mënyrën se si funksionon drejtësia, është Shqipëria evropiane në mënyrën se si janë ndërtuar marrëdhëniet e shtetit me qytetarin.

 

-Po. Por, po flisnim dhe për një faturë që kjo mund t’ju sjellë në zgjedhjet e 2013 edhe me aleatët. Kam parasysh këtu që nuk i keni dhe aq mirë këto kohë për shkak edhe të këtyre raporteve që keni pasur me mazhorancën, marrëdhëniet me aleatët në terren.

-Është e vërtetë që në këtë ndjeshmëri kemi një diferencë të dallueshme me aleatët. Kjo është ndjeshmëria e partisë më të madhe në vend. Kjo është ndjeshmëria e një force politike që është e vetëdijshme se i takon të qeverisë vendin, është ndjeshmëria e një force politike që duhet me patjetër të ndërtojë një qasje konstruktive ndaj të ardhmes së vendit dhe pas një periudhe ku u futëm të detyruar në një rezistencë opozitare ne tanimë jemi të hapur dhe të drejtpërdrejt me publikun prej 1 viti e ca. Kemi ndryshuar kurs dhe sot jemi alternativa qeverisëse e shqiptarëve. Dhe jam i bindur që tanimë do të kemi dhe kohën, por edhe të gjithë rrugët e nevojshme të arsyetimit të përbashkët për të ndërtuar një koalicion që do të jetë një koalicion më i madh se ai i 2009.

 

-Por, në fakt çfarë ka ndryshuar realisht në zgjedhje, po të kemi parasysh se njerëzit në diskutimet e tyre, jo vetëm njerëzit e thjesht por edhe biznesmenë e intelektualë: Çfarëdo që të ndodhë Saliu do t’i vjedhë votat…

-Ka dy kategori njerëzish që janë skeptikë ndaj procesit të votimit. Njëra kategori është kjo dhe një kategori tjetër është kategoria e njerëzve që thonë se të gjithë njësoj janë dhe asgjë s’do të ndryshojë, që punë e madhe shumë, do të ikin disa dhe do të vijnë disa. Kjo është falë të gjithë propagandës së shfrenuar antiopozitare të Saliut dhe të koalicionit të tij. Të parëve, atyre që thonë se pse duhet të shkoj të votoj se këtu vota do të vidhet prapë unë u them së pari që : Jo, vota ka shumë më pak gjasë të vidhet se ç’kishte deri dje sepse jo vetëm kemi bërë disa ndryshime të qenësishme në Kodin Zgjedhor, por sot jemi ende shumë më të përgatitur për t’i zënë shtigjet tanimë të njohura se ku kalojnë hordhitë e manipulatorëve. Dhe dy, kjo është një arsye më shumë për të votuar. Sepse sa më shumë njerëz që të votojnë, aq më shumë ulet dhe mundësia që manipulimi të triumfojë dhe në rastin kur ai është i pranishëm. Atyre që thonë se këtu janë të gjithë njësoj do t’ju thosha ka shumë arsye sot për të qenë cinikë dhe për të thënë s’dua t’ia shoh bojën fare politikës, s’dua t’i dëgjoj zërin dhe për të qëndruar në atë qoshen tënde dhe për të mallkuar gjithë ditën politikën. Por, është një iluzion të mendosh se po i ktheve kurrizin politikës shpëton prej saj. Përkundrazi, sa më larg t’i rrish, aq më shumë je i destinuar të pësosh në kurriz vendimet e saj të padrejta apo edhe pasojat e mëkateve të saj. Sa më shumë të përfshihesh, aq më shumë mund të ndikosh, jo vetëm, por bashkë me njerëz të tjerë.

 

Po hyjmë në një sezon të ri politik, i cili është sezon elektoral në fakt. PS ka probleme brenda, do të hyje më e çarë, më e fraksionuar, si do të jetë?

 

Unë besoj që PS është e bashkuar. Nga PS nuk duhet pritur asnjëherë ajo që shihet në anën tjetër, një rresht të gjatë ku identiteti i vetëm është kryeministri i pari i rreshtit dhe nga ana tjetër besoj që procesi i të shkuarjes përpara drejt fitores së vitit 2013-s është dhe një proces i konsolidimit të gjithë organizimit të PS në funksion të fitores.

 

 

-Fitoren në fushë e përcakton dhe fanella, që do të thotë fryma. Ka filluar kjo frymë?

-Unë besoj që sot shqiptarët janë plotësisht të vetëdijshëm që nuk vazhdohet më kështu. Besoj që sot nuk ka qytetar të arsyeshëm që i ha dokrrat e Saliut mëngjes, drekë dhe darkë. Besoj që sot nuk ka shqiptar që dëgjon me veshët e tij dhe që gjykon me sytë dhe vëmendjen e tij që të mund të hajë këtë dokrrën e fundit se një klub miliarderësh në PS dashka të mbajë imunitetin dhe se kryeministri nuk qenka në gjendje të hapë vende pune, nuk qenka në gjendje të rrisë më shumë rrogat e pensionet, nuk qenka më shumë në gjendje të japë më shumë ndihmë ekonomike se e pengoka opozita. Sot kryeministri thotë: Çfarë të bëj unë i shkreti, unë një copë kryeministër jam se të gjitha këto i ka në dorë opozita. Sot shqiptarët e kanë të qartë se problemi nuk janë sipërmarrësit të cilët kanë hapur vende pune dhe kanë paguar taksa, dhe pastaj kanë hyrë dhe në politikë nëpërmjet radhëve të opozitës. Por janë kryeministri dhe ministrat që janë bërë sipërmarrës.

 

Veç të tjerave, Berisha ka thënë që ju do të hyni në Guinnes si i vetmi kryetar opozite që e doni kryeministrin me imunitet…

Po pra, është në kuadrin e një përpjekjeje për të shpëtuar nga gjykimi i njerëzve për ekonominë, nga gjykimi i njerëzve për papunësinë, nga gjykimi i njerëzve për shërbimet e degraduara deri në fund duke fajësuar opozitën. Fajësimi i opozitës është e vetmja rrugë që i ka ngelur. Do ta përkufizoja të gjithë atë çfarë po bën Saliu muajt e fundit me një moto: “Çfarë faji kam unë, unë vetëm kryeministri jam”. Për këtë arsye duhet ndryshuar qeveria dhe kryeministri.

 

Zoti Rama ju folët me shumë optimizëm për sezonin e ri, për PS-në, për komptaktësimin e etj,. Por, zoti Nano ka deklaruar se ka themeluar një lëvizje që do t’i japë frymë, që do t’i japë jetës në funksion të 2013-s. E shikoni si shqetësim?

Jemi një vend demokrat, ka hapësirë për të gjitha idetë për lëvizje të reja, por nuk ka vend për asnjë lëvizje të çfarëdolloj natyre tjetër përveç lëvizjes që tanimë ka filluar dhe që është organizuar si një lëvizje kompakte e forcës sonë politike brenda PS. Ndërkohë që në Partinë Socialiste as nuk ka vend dhe as nuk do të lihet vend për asnjëlloj lëvizje me çfarëdolloj justifikimi që cenon milimetrikisht kohezionin dhe rrugën tonë të përbashkët e cila është një rrugë e qartë kur të gjithë janë të ftuar të japin kontributin e tyre, po kur askush s’mund të lejohet dhe s’do të lejohet që të pengojë shkuarjen përpara të të gjithë forcës politike kompakte drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme.

 

Pra, mirëprisni edhe Nanon?

Çdolloj investimi në frontin opozitar që synon të japë kontribut në funksion të rrëzimit të këtij regjimi që nuk mund dot të tolerohet dhe të një fitoreje të opozitës, pa dyshim që ka vendin e vet dhe nuk jemi ne që e përcakton se sa vend ka, por është vota e popullit shqiptar. Ndërkohë që e përsëris, asnjë lëvizje përçarëse brenda PS-së nuk do të gjejë as kohë dhe as vend në PS.

 

 

Kush është gjykimi juaj sot për Ilir Metën dhe a do të vazhdoni të joshni LSI-në për një koalicion parazgjedhor për 2013?

Gjykimi im për të në raport me procesin është se e nisi mirë, e mbaroi si mos më keq. Aq mundi, aq deshi apo çfarë, kjo është një çështje që nuk më takon fare mua të humbas kohë për ta analizuar. Por, për sa i përket LSI-së qëndrimi ynë është i qartë dhe transparent prej kohësh. LSI është pjesë e koalicionit qeverisës dhe për sa kohë do të jetë nën koalicionin qeverisës do të jemi përballë dhe do ta mundim bashkë me koalicionin qeverisës përmes një koalicioni që do ta ndërtojmë me të gjithë forcat dhe që individët që janë në opozitë dhe që kërkojnë një ndryshim rrënjësor duke filluar nga rrëzimi me votë popullore i këtij koalicioni të kthyer në regjim.

 

Nëse LSI-ja në 2013 do të zgjedhë të jetë me PD-në në koalicion zgjedhor. Pas zgjedhjeve nëse matematika do të kërkojë…

Nuk do të kemi nevojë për asgjë të kësaj natyre. Zgjedhjet do t’i fitojmë me koalicionin që do të ndërtojmë me qendër graviteti Partinë Socialiste të Shqipërisë.

 

 

Po një rezolutë për çështjen çame në parlament do ta votoni?

Kjo është diçka që duhet parë konkretisht. Nuk mund të flasim kështu në këtë formë sepse unë besoj që çështja është serioze dhe ping – pongu nacionalist lidhur me çështjen është shumë i dëmshëm.

 
Meqë po flasim për koalicionet dhe meqë folëm pak më përpara për zotin Majko. Zoti Majko është shprehur për një bashkëpunim të mundshëm midis PS dhe FRD të Bamir Topit dhe Aleancës Kuq e Zi të Kreshnik Spahiu. Ju në fakt i keni quajtur dy PD të reja. A do i ftoni dhe këto dy parti në koalicion?

Është e vërtetë që Pandi ka bërë një ftesë publike duke logjikuar se opozitat duhet të bëhen front në kushtet kur realisht kur kemi konturimin e një shteti parti me simptomat e një shteti policor dhe me një qasje të qartë për të kontrolluar çdo qelizë të shtetit në funksionon të pushtetit. Dhe me këtë logjikë ka apeluar ndaj AK-së dhe FRD-së. Ne jemi të hapur. Por, unë mbetëm i mendimit që ato janë parti të djathta, apelojnë drejt një elektorati të djathtë dhe nga ana tjetër dua ta bëj të qartë se koalicioni ynë ka gravitet programin tonë. Sigurisht që ne kemi bërë ndryshime shumë të qenësishme në program dhe kemi adresuar në mënyrën më të hapur, por dhe me mekanizmat më konkret edhe çështje deri dje tabu të të majtës dhe monopol të së djathtës, pronat, ish të përndjekurit politik dhe në këtë kuptim jam i bindur që është një gravitet ku nuk ka arsye pse të mos përfshihen parti të djathta.

 

PDK-në dhe Nard Ndokën e keni humbur përfundimisht si aleat?

Nuk e kam këtë informacion. Unë e kam një bindje që të qenit në opozitë nuk është funksion i asnjë llogarie pragmatike sepse nuk jemi në një Shqipëri normale, nuk jemi në një vend normal. Nuk kemi nga një anë një koalicion demokratik dhe nga ana tjetër një koalicion demokratik të majtë, jemi në kushtet e një regjimi. Nuk mund të ketë asnjë arsye më të madhe se sa arsyet morale që i kanë vendosur në opozitë të gjitha forcat politike, e cila t’i çojë drejt flirtit me pushtetin aktual. Unë dua të shpresoj se ka hapësirë për t’u kuptuar dhe për të vazhduar koalicionin dhe me partinë e Nardit dhe jemi plotësisht të hapur që diskutojmë me të siç kemi filluar të diskutojmë me të gjitha forcat aleate.

 

Pra mbi bazë formulash korrekte bashkëpunimi?

Jemi të hapur.

 

Ju thatë që treni opozitar këtë radhë do të jetë më i madh se 2009…

Është e vërtetë.

 

-Ka surpriza?

Unë besoj që po. Por koha është indikatori më i mirë.

 

Që do të thotë se prisni të merrni edhe nga aleatët e qeverisë…

Në rast se më thoni sot që më thuaj konkretisht, ku është surpriza. Nuk është se ka diçka të fshehtë. Por unë besoj që po, sepse besoj që dinamika e këtij viti do të jetë e tillë që do të kualizojë shumë energji në frontin për një ndryshim rrënjësor duke filluar nga vota për largimin e kësaj flame që nuk mund të quhet më qeveria e Republikës së Shqipërisë.

 

Merret ndonjëherë shembull kjo që bëtë ju në 2009, por edhe ajo që bëri PD-ja në 2005, KOP apo diçka e ngjashme. Keni ndërmend një gjë të tillë?

-Nuk kemi nevojë për shpikje të tilla. Ne kemi brenda Partisë Socialiste një ristrukturim tërësor dhe një rigjenerim që sigurisht vazhdon. Është një proces që ka akoma për t’u lazmuar deri në fund. Kemi një akademi politike të PS-së që funksionon tanimë në mënyrë të përvitshme. Produkte të kësaj akademie kanë filluar të hedhin hapat e parë. Një produkt i jashtëzakonshëm është një nga nënkryetarët e FRESSH-it, më e reja, Maria Meridinas, që është një fëmijë emigrantësh dhe që është vetëm 20-vjeç dhe do të jetë pa asnjë dyshim një nga yjet e politikës të së majtës në vitet që vijnë sigurisht.

 

-Yjet në ngjitje…

-Jo, flasim për një dekadë. Ka edhe të tjerë. Nga ana tjetër kemi një organizim të brendshëm me 21 grupe pune për programim ku ndërthuren politikanë dhe ekspertë. Aty kemi plot njerëz të cilët janë, po të doni quajini prurje të reja, por kjo s’ka shumë rëndësi. Mbi të gjitha kemi një grup parlamentar i cili është në përbërjen e vet i ri dhe ka nevojë për ende më shumë eksperiencë për të ardhur në ato parametra që unë vetë kam pasur në vizionin tim kur bashkë me të tjerë e kemi formuar këtë grup parlamentar.

 

Meqë përmendët nënkryetarin e FRESSH-it, keni pasur një problem me kryetarin e FRESSH-it,është tejkaluar? Çfarë ndodhi në thelb?

-Këto janë probleme që s’janë probleme. Janë thjesht stërzmadhime në mediat jo dashamirëse përgjithësisht që pastaj reflektohen për inerci dhe media të tjera, çështjesh të karakterit organizativ që një familje e madhe politike i ka përditë.

 

Po flisnim për një tren. Për njerëz në kuptimin figurativ, për shumë vagonë mundësisht, për njerëz që hyjnë dhe zbresin nëpër vagonët përkatës, por që edhe të tjerë, një pjesë e madhe, siç thatë ju, do ta vazhdojë këtë votim. Timonieri, trenisti, ku do të kandidojë? Do të kandidojë këtë radhë dhe a do të jetë i pari i listës diku?

Nuk kam asnjë arsye që të mendoj për vendin në listë, jo se jam kryetari i partisë, por se nuk mendoj që numrat në listë janë renditje sipas vlerës. Për më tepër po të shikoni eksperiencat e vendeve që kanë procese zgjedhjesh me lista rajonale vendosin në fillim edhe njerëz krejt të ri për arsye të ndryshme. Por, sigurisht që do të jem një nga kandidatët patjetër si të gjithë të tjerët.

 

Keni thënë që do e rishihni çështjen e lotarisë, çfarë do të bëni konkretisht?

-Lotarinë kombëtare do t’ia kthejmë publikut. Është një e drejtë e publikut e cila i grabitet publiket dhe nga një lojë që e organizon shteti për të nxjerrë përfitime që kthehen në investime për publikun, kryesisht në ato fusha ku interesi publik është shumë i madh dhe qëllimi nuk është fitimprurës, në kuptimin financiar. Ne kemi identifikuar dy fusha, sportin për të gjithë dhe sportin në tërësi, dhe rininë. Ndërkohë që këta e kanë kthyer në një bixhoz ku fusin të gjithë popullin në lojë, populli do të nxjerrë lekët dhe përfitimet do t’i marrin këta. Do t’i marrin ortakët në biznes të kryeministrit, të Ministrit të Financave dhe të gjithë atyre të tjerëve që janë mbrapa kësaj historie. Kjo është një gjë e pashembullt, është një rrjepje e publikut, është një piramidë pa interesa, as në fazën e parë. Hidhni lekë ju shqiptarë për këtë bixhoz se lekët do t’i marrim ne. Të gjitha ato biznese që do të rezultojnë nga transparenca në rregull me Kushtetutën dhe me ligjin do të nderohen maksimalisht, qeveria që unë do të drejtoj do të ngrejë një piedestal për të gjithë biznesin e ndershëm dhe për të gjithë sipërmarrësit e talentuar dhe të suksesshëm të këtij vendi. Por, ndërkohë të gjithë ata të tjerë që do të rezultojnë me borxhe ndaj publikut do t’i paguajnë borxhet një më një në të gjitha format që parasheh Kushtetuta dhe ligji që jep mundësi për aplikim mandati i popullit me votë.

 

-Kritikët tuaj në opinion, por edhe në media, edhe në politikë, thonë që ju flisni dhe nuk thoni emra.

-Emra çfarë?

 

-Emra njerëzish, biznesmenësh që kanë përfituar.

-Kjo është e vërtetë. Ju falënderoj që ma bëni këtë pyetje dhe dëshiroj që ta dëgjojnë të gjithë. Unë nuk them dhe nuk do të them asnjëherë emra sipërmarrësish. Sepse unë besoj që problemi në këtë ortakëri të molepsur nuk janë sipërmarrësit, por politikanët. Unë besoj se në këtë sistem sipërmarrja duhet të ballafaqohet me ligjin, duhet të ballafaqohet me shtetin i cili nga ana e vet në mënyrën më korrekte dhe në mënyrën më këmbëngulëse duhet të kërkojë nga sipërmarrja respektimin e të gjitha ligjeve në raport me kontributet e sipërmarrjes. Por sipërmarrja asnjëherë dhe për asnjë arsye nuk duhet të ballafaqohet me goditjen politike nga tribunat e partive sepse në një moment të caktuar mund të “godasësh” me të drejtë një sipërmarrësish konkret, por në fakt politika kështu dëmton të gjithë sipërmarrjen dhe klimën e saj. Kështu që, duhen ndarë mirë gjërat. Politikisht ne jemi të vendosur ta ndajmë, ta prishim këtë ortakëri dhe t’i japim çdo sipërmarrësi një piedestal për gjithçka bën në zbatim të ligjit me talentin dhe me energjitë e tij për të hapur vende pune dhe në kontributin që jep me taksa.

 

Në 2013 mund të ndodhë rotacioni, mund të ndërrohen kuajt e karrocës, siç njihet në gjuhën e politologjisë, mund të shkoni ju tek karrigia e kryeministrit. Por shumë kush thotë që një gjë nuk do të ndryshojë ndoshta, paradhoma. Do të jenë po ata që janë sot në paradhomën e Berishës edhe në paradhomën tuaj…

Unë besoj që kam plot gojën për të thënë se e gjitha do të ndryshojë në mënyrë radikale. Sigurisht që ndryshimi nuk mund të ndodhë as brenda natës dhe as brenda katër viteve si një tonalitet ku gjithçka kthehet përmbys. Por ama për sa më takon personalisht si një kryeministër i Shqipërisë nuk kam as më të voglin dyshim kur u them shqiptarëve se qysh ditën e parë qasja e kryeministrit të vendit ndaj publikut ndaj sipërmarrjes, ndaj medias, ndaj institucioneve të drejtësisë, ndaj gjithë institucioneve të tjera kushtetuese do të jetë radikalisht e ndryshme. Kjo është një gjë që është në tagrin tim personal dhe si individ unë këtë mund ta premtoj pa as më të voglin gajle.

 

Marrë me shkurtime nga emisioni “Debat”


One Response to Edi Rama: Të hapur për aleancë me FRD dhe AK

  1. Gazetari Daresise Reply

    July 30, 2012 at 9:11 am

    Nuk eshte se dy partite e krijuara ne presidence dhe KLD e kane te qarte udhetimin e tyre. Keta qen te ngordhur po presin çastin e volitshem qe ti hidhen ne qafe atije qe do marre me shume vota. Nuk eshte e thene qe keta Jene te Aleances Zeze… apo Fryma e Qelbur e Topit te jene te qarte. Keta deri ketu i solli korrupsioni madh qe bene ne presidence dhe gjyqesore. Keta tani do mundohen te hapin dyqanet e biznesit qe jane Partite e krijuara per pastrim parashe dhe te pengojne sa te munden integrimin e vendit per ne BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>