Ekspertiza, babai i Gentian Beqiraj u rrah për vdekje

Zbardhet skema e vrasjes së Gentian Beqirit, rrezikojnë punën 4 oficerë policie

ELBASAN- Katër efektivë të nivelit të lartë rrezikojnë vendin e punës pas nisjes së hetimeve nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë Elbasan. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë bëjnë të ditur se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është duke hetuar mbi zbatimin e detyrës nga shefi i rendit e deri tek niveli i fundit. Prokuroria ka marrë në pyetje dy uniformat e ndaluara, të cilat kanë dëshmuar për rrethanat e vrasjes. Ende nuk ka një version të qartë për mënyrën se si ka ndodhur vrasja. Por sipas të dhënave të para hetimore rezulton se atentatorët kanë mashtruar dy uniformat blu, duke u shprehur se ishin kushërinj të Gentianit. Dera është hapur nga i ati i 40-vjeçarit dhe menjëherë pas kësaj ata kanë kryer ekzekutimin. Sipas ekspertëve, ndaj Nezir Beqirit është ushtruar dhunë e rëndë fizike duke e qëlluar me grushte e shkelma në pjesë të ndryshme të trupit. Ai ka rënë pa ndjenja dhe pak minuta më vonë ka ndërruar jetë në spital për shkak të hemorragjisë së organeve të brendshme. Ndërsa Gentian Beqiri është ekzekutuar me 8 plumba me një armë të pajisur me silenciator. Gjithashtu në këtë ngjarje janë regjistruar 7 telefona celularë, 8 predha pistoleta, si dhe janë shoqëruar disa mjete në drejtori.

Të arrestuarit, me alibi

Dy të arrestuarit Arben Çerciz Jaçe, 31 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë, i dyshuar për vrasjen e shtetasit Roland Rexhepi në vitin 2009 dhe Florenc Fejzulla Çapja po në të njëjtën moshë lindur e banues në lagjen “Emin Matraxhiu”. Gjatë natës kanë paraqitur alibi në Prokurorinë Elbasan. Ndërsa Drejtoria e Policisë ka realizuar arrestimet e të dyshuarve si autorë të ngjarjes, familjarët e tyre kanë reaguar ndaj arrestimit të tyre. Gjatë orëve të arrestimit ata kanë paraqitur alibi të shoqëruar me dokumente për vendndodhjen e tyre gjatë kohës së krimit. Prokuroria ka grumbulluar provat e mjaftueshme me dëshmi që implikojnë dy të rinjtë, por gjithsesi prania e alibisë i vështirëson disi punët për prokurorët që duhet të vërtetojnë vrasjen.

Ekspertiza e vdekjes së Nezir Beqiraj,

babai i Gentian Beqiraj, i vrarë një ditë më parë, 78 vjeç, është sulmuar me shkelma e grushte nga vrasësit e të birit. Ky ka qenë konkluzioni i ekspertëve mjeko-ligjorë pas kryerjes së autopsisë së kufomës. Sipas ekspertëve, i moshuari Nezir Beqiraj ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e mushkërive dhe për shkak të hemorragjisë ka ndërruar jetë. Ende nuk është mësuar nëse synimi i tyre ishte për ta vrarë apo si kundërpërgjigje ndaj reagimit të tij për të ndalur vrasjen e të birit. Ai u gjet pa ndjenja dhe konkluzioni paraprak ishte një goditje zemre, por menjëherë pas ekspertizës u vërtetua edhe shkaku i vdekjes. Ai së bashku me të atin u varrosën rreth orës 13.00 në një ceremoni nën survejimin e policisë.

Ngjarja

Gentian Beqiraj u vra paraditen e së mërkurës në apartamentin e tij në lagjen “Çlirimi” në vendin e quajtur “Sporti i Vjetër”. Ai qëndronte në arrest shtëpie i ruajtur nga dy efektiva të policisë. Këta të fundit mësohet se kanë lejuar që dy persona të ngjiten në apartamentin e të riut, pasi ata i kishin thënë se ishin kushërinj të viktimës. Ndërsa janë ngjitur kanë trokitur në portën e Beqirajt. Ajo është hapur nga babai, i cili ka kuptuar se kishte bërë gabimin më të madh dhe ka tentuar t’i ndalojë, por ata e kanë goditur disa herë në pjesën e barkut duke e lënë në tokë. Më pas kanë qëlluar me pistoletë me silenciator disa herë Beqirajn që ishte i shtrirë për shkak të një paralize. Gentian Beqiraj ishte i njohur edhe si Ardian Meta. Ai akuzohet se në bashkëpunim vrau në vitin 2005 Sokol Capen. Tentoi të arratisej në komisariatin e Sarandës, por nga rënia pësoi dëmtime në shtyllën kurrizore. Nga ajo kohë ai qëndronte në arrest shtëpie, ndërsa Prokuroria nuk ka vërtetuar ende pjesëmarrjen në krim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>