Stafi politik i Bamir Topit bën dorëzimet, priten prezantimet e reja
Familja presidenciale deri tani ka refuzuar Pallatin e Brigadave
Dje stafi politik i ish-presidentit Bamir Topit i ka bërë dorëzimet stafit të ri politik të përzgjedhur nga Bujar Nishani, i cili pas pesë vjetësh do të dorëzojë Presidencën. Burimet presidenciale kanë qenë shumë të rezervuara në lidhje me emrat që do të këshillojnë Nishanin në pesë vjetët e ardhshëm, por “Metropol” ka arritur të zbulojë disa prej tyre.
Ndryshimet
Në vend të Mimoza Koçiut, e cila për pesë vjet ishte zëdhënësja e ish-presidentit Topi, është emëruar Irma Toptani, dhe kjo gazetare, ashtu si paraardhësja e saj. Në vend të Afrim Krasniqit, këshilltar për mediet është, është emëruar Fatmir Konja, zëdhënës i Presidentit në kohën që drejtonte Ministrinë e Brendshme. Pjesë e stafit politik pritet të jetë dhe Florian Nuni, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, apo dhe Aleksandër Çavo, shefi i kabinetit në institucionet që ka drejtuar Nishani.
Ndërkohë ditën e djeshme Berisha ka firmosur lirimin nga detyra të zëvendësministrit të shëndetësisë Fatbardh Spahia, i cili do të marrë detyrën e këshilltarit për shëndetësinë në institucionin e Presidentit. Nga ana tjetër, në stafin politik të Presidentit qarkullon dhe emri i Amik Kasoruhos dhe Shaban Hasanit.
Faqja zyrtare
Që pas betimit të Presidentit pasditen e 24 korrikut, faqja zyrtare e Presidentit është jashtë funksionit. Burime nga Presidenca shprehen se po punohet me hedhjen e të dhënave të reja dhe do të jetë në përdorim të publikun vetëm pasi të jetë prezantuar stafi i ri presidencial, që pritet të ndodhë këto dy ditë. Ndërkohë njoftohet se ditën e djeshme Nishani ka vijuar me pritjen e personaliteteve të ndryshme të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe me shkëmbimin e mesazheve me personalitete të ndryshme botërore
Banesa e Presidentit
Familja presidenciale ende nuk ka dhënë një sqarim se ku do të banojë për pesë vjetët e ardhshëm. Pra, në apartamentin e tyre te Kodra e Diellit apo në Pallatin e Brigadave, siç ia mundëson dhe protokolli shtetëror. Burime nga Presidenca shprehen se Nishani ka qëndruar ditën e parë të detyrës deri në orën 23:30 në selinë e Presidencës dhe më pas është drejtuar për në shtëpinë te Kodra e Diellit. Ndërkohë Garda prej kohësh ka marrë në ruajtje shtëpinë e Presidentit të ri dhe në rrugën që përshkon përmes zonat e banuara janë shtuar masat e sigurisë. Gjithsesi, burimet brenda Presidencës shprehen se mundësitë më të mëdha janë që Nishani të vazhdojë të jetojë në apartamentin e tij, duke vazhduar kështu traditën e paraardhësit të tij Bamir Topi, i cili preferoi të qëndronte në shtëpinë e tij në periferi të Tiranës.
Detaje
Familja presidenciale ende nuk ka dhënë një sqarim se ku do të banojë për 5 vjetët e ardhshëm, pra në apartamentin e tyre apo në Pallatin e Brigadave, sipas Protokollit.
Në vend të Mimoza Koçiut, e cila për pesë vjet ishte zëdhënësja e ish-presidentit Topi, është emëruar Irma Toptani, edhe kjo gazetare, ashtu si paraardhësja e saj.
Berisha ka firmosur lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Shëndetësisë Fatbardh Spahia, i cili do të marrë detyrën e këshilltarit për shëndetësinë në Presidencë.