Është jeta dhe vetëm ajo motivi për të cilën ngazëllehemi dhe indinjohemi
BERAT – Janë një sërë poezish të botuara dhe të pabotuara që kontabilistja beratase Lumturi Sholla ka gati për botim, poezi që i këndojnë jetës. Poezia “Ëndrra e fshehur në sirtar”, tregon se ka shumë krijues të rinj, por dhe të të gjitha moshave, krijues të cilët për njërën apo për një arsye tjetër kanë shumë krijime si poezi, prozë, monografi apo romane etj, të cilat ende vazhdojnë t’i mbajnë në sirtarë. Një nga këta krijues është dhe Lumturi Sholla për të cilën në këtë portret i jemi referuar poezive të saj, shumë prej të cilave ende se kanë parë dritën e botimit. Po në këto poezi shumë prej tyre i kushtohen jetës, dashurisë, rinisë dhe natyrës shumë të çmuar, i kushtohen shpirtit të sakrificës, miqësisë, shoqërisë dhe kryesisht jetës më të bukur rinore dhe asaj studentore. Në sensin melankolik një vend të veçantë në poezitë e Shollës zënë ato të aspektit njerëzor që vuajnë jo vetëm prej dashurisë, gëzimeve, por dhe për dhimbjet e një nëne, vuajtjet e saj, ndarjet nga fëmijët, jeta e tyre larg shtëpisë, si dhe aspekte të ndryshme deri dhe ato tragjike në këtë tranzicion të tej zgjatur. Një vend kryesor në poezitë e saj zënë ato të përkushtimit për natyrën, familjen deri dhe tek përkëdhelja e yjeve, netëve me hënë, detit, qiellit në përgjithësi, florës e faunës.
Në kërkim të jetës…
Në një nga poezitë e Dritëro Agollit që kam lexuar pohon poetja Sholla citohet se: “Dashuria është si lulja, ndërsa njeriu është një bletë që ka nevojshme, nektarin e saj”, kështu dhe unë hulumtoj në fushat e jetës për të marrë prej saj dashurinë, gëzimin, marrë nektarin e mendimit për të shëruar dhimbjen e vuajtjen, përbuzjen e arrogancën e nga ana tjetër hulumtoj për natyrën, qiellin, detin, malet e fushat, hulumtoj mes njerëzve e rinisë, moshave të fëmijërisë duke marrë prej këtyre të fundit atë nektarin për të cilin ne së bashku nga ana shpirtërore kemi nevojën e përditshme si ushqimin. Është ky ushqim shpirtëror që na mban gjallë të gjithëve, na frymëzon, na jep impulsin e jetës dhe duke i marrë së bashku na bënë që jeta të na dhimbset dhe të mendojmë më shumë për të, duke e jetuar ashtu si na vjen e thjeshtë në përbërjen e të cilës ka secili pjesën e tij”. Në citimet e saja në vargjet poetike të Shollës gjen vërtet ushqimin shpirtëror dhe kjo më e spikatur vjen në poezinë e cituar “Ëndërr”, ku poetja me profesion kontabiliste u kushtohet zogjve mes të cilave ajo shkruan. Zogjtë cicërojnë dhe lulet vallëzojnë / Malet me të kuqe veshur / Kodrat me jeshile / Lëndina e verdhë / Mbi këtë tapet me tre ngjyra / Unë këngës ja marr…., ndërsa vijon — Buçet kënga malet e përcjellin / Jehona vjen tek unë / Zogu hesht tapeti dridhet / E unë pushoj…../ E këndoj…./ Vërtet?… në vargun tjetër më poshtë në strofën tjetër shpreh habinë që zogu kombinon me të, teksa ndalon këngën e tij duke dëgjuar këngën e saj, duket se këtu poetja tregon se flet ashtu si brenda saj me malin fushën, kodrat, komunikon lirshëm nëpërmjet këngës dhe me zogjtë dhe / Me duket e habitshme / Që zogu pushoi nga kënga ime / Dhe vetëtimthi çohem / Mos jam në ëndërr?……/ Patjetër nuk jam te “Ethet”… Në të tjera poezi Sholla i mëshon forcës së mendimit; “Jeta”, është një nga poezitë e saj më të veçanta ku ajo kërkon të tregojë se vërtet jeta duhet jetuar e se ndryshimet duhen kërkuar për të mos lënë pas asnjë copëz mendimi të ngrysët, asnjë pendim e asnjë çast pa jetuar. Mes të tjerave ajo citon. “Ç’është kjo jetë … / A mos vallë dhe majmunet e mendonin për vete / Por faza ku ishin i pengonte të merrnin vesh arsyen ? / Edhe në jetojmë, sepse e tillë është faza jonë ?,… / Apo, nuk dimë ta ndryshojmë…. / Majmuni s’e ndryshonte dot, se nuk fliste, nuk…nuk / Po ne ?…….”, ndërsa po në këtë poezi shton dhe fuqinë që duhet të veproj nëse ky ndryshim nuk ndodh me forcën e mendimit teksa shkruan. – / Do doja të isha e fuqishme / Të shkatërroja gjithçka të ndërtuar keq / dhe jetën ta rindërtoja, jo se duhej / Por se e donim ne të ishte ashtu / Ah, që s’kam fuqi t’i bëja gjërat siç duheshin…. / Dhe njerëzit të mos jetonin se duhej jetuar, / Por të ngrija një parajsë, sepse jeta duhet shijuar.
E është pikërisht kjo dëshirë për jetën e lumturinë që vjen nga çdo moment lindjeje e rilindjeje që shpeshherë na çon në dëshpërim e indinjatë. Në poezitë e saj Lumturi Sholla i përgjigjet dhunës i kthehet me një thirrje për falje, ndonëse në shpirt ajo është e fyer e vrarë e masakruar nga veprimet jo dinjitoze të njerëzve, kështu ajo citon: “E fyer në shpirt e vrarë e masakruar / Nga thellësia e zemrës thërras.. / Sot është lindja e “Krishtit’’, Sot është dita e mbretërisë së faljes… .. /
Por thuajse në të gjitha krijimet e saj poetja kontabiliste i përkushtohet rinisë, vargjet për të cilën nuk mungojnë edhe këtu tek kjo poezi: “Rinia si një fllad pranvere / Si fëshfërimë si gonxhe trëndafili / A mundem t’i marr erë?…… ndërsa vijon në strofën tjetër / Më pëlqen maja më e lartë / Më pëlqen vallëzimi / Kur jam në shoqëri, më e bukur ndjehem / Por kur shoh përreth zymtohem… – Ëndrra rini po kalon…. / Me pengesa të ndryshme / Ekonomia të rrënon…. Ndërsa rinia të ngazëllen. Në tjetrën poezi atë të indinjatës poetja ka krijuar: “Ah që s’kam një grusht / T’i bie me sa forcë që kam / Ta shkërmoq këtë shtresë që është krijuar.. / Në ricklim ta çoj… e duke krahasuar dy kohët e indinjuar citon – “Dhe grushti me mbetet i mbledhur / Nuk godas dot… / Më tepër godisja dje…. / Nuk e kuptoj përse….
Në poezinë “Martesa” janë tre strofa që i kushtohen jetës, familjes, martesës e lindjes, pra shpresës dhe engjëjve të jetës: “Një përcjellje nuseje…./ Mua shpirtin ma drithëron / Me kujtohet dasma ime / Kujtimet që kisha në shtëpinë tonë…. Janë të shtrenjta ditët e vajzërisë / Të paharruara ato vite të bukura / Kur ishim bashkë të gjithë / E ndarjen se mendonim kurrë…. Sërish vijon – Natyra e jeta ka rrjedhën e saj / E bukur është martesa / Të bësh vajzë apo djalë/ Po ku ka si koha e parë… shpresa…..
Këto dhe shumë poezi të tjera të poetes Lumturi Sholla që erdhën përmes këtij shkrimi tregon se shumë shkrimtarë ende kanë krijime të pabotuara që kanë mbetur si ëndrra në sirtarët e tyre të mbërthyer në pritje të një “çlirimi”. Ndjenja, zemërim njerëzor e dëshirë për të rilindur pas çdo fjale të thënë pa dashje përmes të cilave vijnë jo vetëm botime apo krijime në copa letrash na bëjnë të mendojmë për ato ëndrra të mbetura në sirtar nisur nga arsye të pathëna ndonjëherë ose thjesht të mentaliteteve të mykur.