Por vëmendja kryesore ishte dje tek një udhëheqës që pëlqehet nga dy të tretat e amerikanëve, sipas një ankete të fundit. Këto përqindje janë shumë më të larta se përkrahja për Presidentin Obama. Ekspertët thonë se kjo është një ndër arsyet përse Presidenti Klinton u ftua të flasë. Norm Ornstein punon për Institutin American Enterprise: “Për Obamën kjo është një lëvizje prej mjeshtri, pasi askush nuk është aq popullor sa Bill Klintoni dhe askush nuk mund ta përcjellë mesazhin si ai”
Punimet e Kuvendit Kombëtar Demokrat u shoqëruan me nota të forta dramatike mbrëmë, kur delegatët dëgjuan nga një ndër simbolet më të njohura të partisë. Ish-Presidenti Bill Klinton mbajti një fjalim të apasionuar për emërimin e Presidentit Obama për një mandat të dytë. Pastaj zoti Obama u ofroi delegatëve demokratë një surprizë: Presidenti Barak Obama përqafohet me një udhëheqës që drejtoi vendin vite para tij, ish-presidentin Bill Klinton – në një moment uniteti për një parti që përballet me problemin e një elektorati të përçarë. Dy udhëheqësit kanë pasur momentet e tyre konfliktuale, kur bashkëshortja e Presidentit Klinton, Hillari, konkurroi kundër Presidentit Obama për të marrë emërimin e Partisë Demokrate në vitin 2008.
Por parmbrëmë, Bill Klinton emëroi Barak Obamën për një mandat të dytë presidencial: Presidenti Klinton është një ndër figurat më popullore të politikës amerikane, megjithë njollat mbi mandatin e tij nga një skandal seksual në Shtëpinë e Bardhë. Tani ai parashtron argumentet për pasardhësin e tij demokrat: “Ne besojmë se ideja për ta përballuar së bashku këtë betejë është shumë më e vlefshme se ideja e përçarjes”.
Zoti Klinton argumentoi se demokratët krijojnë më shumë vende cilësore pune se republikanët: “A jemi më mirë se ishim katër vjet më parë”? Një ditë më parë në këtë sallë u dëgjuan kundërshtime, kur delegatët votuan për të rikthyer fjalën ‘Zot’ në diskutimin e politikave demokrate, apo kur u ritheksua që Jeruzalemi të jetë kryeqytet i Izraelit. Partia Demokrate është tani në mospërputhje me politika zyrtare të administratës Obama.
Jashtë sallës së Kuvendit, protestues kundër abortit sfiduan qëndrimin e demokratëve në mbështetje të së drejtës së gruas për abort. Partia Republikane i përmbahet politikës për ndalimin e aborteve.
Por vëmendja kryesore ishte dje tek një udhëheqës që pëlqehet nga dy të tretat e amerikanëve, sipas një ankete të fundit. Këto përqindje janë shumë më të larta se përkrahja për Presidentin Obama. Ekspertët thonë se kjo është një ndër arsyet përse Presidenti Klinton u ftua të flasë. Norm Ornstein punon për Institutin American Enterprise: “Për Obamën kjo është një lëvizje prej mjeshtri, pasi askush nuk është aq popullor sa Bill Klintoni dhe askush nuk mund ta përcjellë mesazhin si ai”.
Nga ish-presidenti tek Presidenti aktual. Sot Presidenti Obama do të mbajë fjalimin e tij para delegatëve, i cili shënon edhe mbylljen e Kuvendit dhe më pas vëmendja e vendit do të kthehet tek mesazhi i dy kandidatëve në muajt e fundit të fushatës.
Hillary, në 16000 km distancë
Ndërsa ish-presidenti amerikan Bill Klinton mbajti fjalimin entuziast në Kuvendin Kombëtar Demokrat, bashkëshortja e tij, Hillary, ishte gati 16 mijë kilometra larg duke përmbushur detyrat e saj si sekretare e shtetit. Hillary Clinton ishte në vendin e vogël të Timorit Lindor si pjesë e një turneu në pesë vende të Azi-Paqësorit dhe Rusi. Gjatë një konference për shtyp me Kryeministrin Gusmão Kay Rala, ajo tha se bashkëshorti i saj pati nderin të emërojë Presidentin amerikan Barak Obama për të garuar si kandidat i partisë në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.
Por ajo tha se ishte e rëndësishme për të që të mos ishte e përfshirë në kuvend për shkak të pozicionit të saj si shefja e diplomacisë amerike. “Zyrtarisht, më lejoni të them se për dekada sekretarët e shtetit nuk kanë ndjekur kuvendet politike për shkak të natyrës jo-partiake të politikës sonë të jashtme. Mendoj se ky është një rregull i mirë që unë sigurisht e pranoj. Ky është kuvendi i parë që kam humbur në, shumë e shumë vite”.
Zonja Klinton më vonë pa një regjistrim të fjalimit të bashkëshortit të saj në ambasadën amerikane. Zoti Obama fitoi ndaj Hillary Clintonit në fushatën brenda Partisë Demokrate në vitin 2008. Por familja Klinton mbetet një forcë e fuqishme politike në parti, duke bërë që shumë të parashikojnë se ajo do të provojë edhe një herë tjetër të garojë për në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016.
Këtë javë demokratët po i kundërpërgjigjen republikanëve që e kanë cilësuar politikën e jashtme të administratës së Presidentit Obama si të dobët dhe jo të përqendruar. Ish-Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright e mbrojti politikën e jashtme të Presidentit Obama në një intervistë me korrespondenten e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti:
Në Siri vazhdon gjakderdhja dhe republikanët akuzojnë demokratët se po i shpërfillin masakrat dhe nuk po bëjnë sa duhet. Lidhur me luftimet në Afganistan dhe Irak, demokratët kundërpërgjigjen se republikanët nuk duan që të mbyllin konfliktet atje dhe janë të prirur të fillojnë luftrat në Siri dhe Iran.
Presidenti Obama nënshkroi traktatin e ri START me Rusinë në vitin 2010. Rivali i tij, Mitt Romney tha se ky nënshkrim mund të ketë qenë gabimi më i madh politik i Presidentin Obama. Kandidati republikan thotë se kjo e rrezikon sigurinë e Amerikës dhe është lëshim ndaj kërkesave ruse. Ish-Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright që ka shërbyer në një administratë demokrate, reagon. “Të thuash që Rusia është problemi ynë politik numër një do të thotë se jeton në të kaluarën. Është një nga çështjet, Rusia është një vend i ndërlikuar, por ta quash problemin numër 1, tregon mungesë të plotë njohjeje të gjendjes ndërkombëtare, se çfarë problemesh ka bota e shekullit të 21-të”.
Por Brian Darling i Fondacionit Heritage nuk është dakord. “Politika e jashtme e Mitt Romney-t nuk është aspak e vjetëruar. I ka rrënjët në politikën e jashtme të Ronald Reganit: paqe përmes forcës. Është e lidhur me politikën e jashtme të ish-Presidentit George W. Bush, i cili besonte tek sulmi ndaj armiqve dhe parandalimi i kërcënimeve në botë”.
Zonja Albright thotë se ndryshimi mes dy partive është se demokratët zgjedhin diplomacinë në vend të forcës. “Është thelbësore të dëgjosh se ç’thonë vendet e tjera, të bashkëpunosh me to. Është shenjë e forcës së Amerikës”.
Condoleezza Rice ishte Sekretare Shteti në një administratë republikane. Në kuvendin republikan javën e kaluar, ajo tha se Presidenti Obama nuk e ka bërë të qartë politikën e tij të jashtme. “Bashkëkombasit e mi amerikanë: ne nuk kemi luksin e zgjedhjes. Nuk mund të ngurrojmë të udhëheqim dhe nuk mund të udhëheqësh nga pas”.
Presidenti Obama pritet të flasë më shumë për politikën e jashtme në një mandat të dytë, kur të japë fjalimin në kuvendin demokrat nesër. Sigurisht që kandidatët do të flasin edhe më shumë për këtë temë gjatë dy muajve të ardhshëm deri në zgjedhjet e nëntorit.