Tirana ka mundur 2-1 Skënderbeun në kryeqytet duke marrë trofeun e parë të sezonit të ri. Një autogol i Radasit në fundin takimit i dhuron kupën Tiranës. Bardheblutë fitojnë trofeun e 11-të të superkupësTirana ka fituar Superkupën e Shqipërisë duke mundur Skënderbeun me rezultatin 2:1 në një ndeshje emocionuese në “Qemal Stafa”. Sikurse dhe një vit më parë Skënderbeu nuk ka arritur t’ia shkëpusë superkupën Tiranës, madje në takimin e zhvilluar mbrëmë korçarët ia kanë dhuruar trofeun bardhebluve, pasi ka qenë Radas, që me autogolin e tij në minutën e 90 që ka vulosur triumfin e Tiranës. Në harkun e 90 minutave ndoshta Skënderbeu ka qenë skuadra më e mirë në fushë, por në fund ka qenë Tirana që ka triumfuar, madje me 10 lojtarë në fushë pas daljes me të kuqe të Dushkut, të cilit në kohën shtesë i është shtuar dhe Gilman Lika. Për fituesen e kupës së Shqipërisë kjo ishte superkupa e 11-të në histori. Ndërsa Skënderbeu duhet të mendojë për një tjetër herë për ta çuar në Korçë këtë trofe. Gjithsesi Tirana tregoi se ka mjaft probleme për të zgjidhur kur mbetet vetëm një javë nga starti i kampionatit.
Ndeshja është pritur me interes në kryeqytet për vetë rivalitetin që kanë pasur këto dy skuadra në dy sezonet e fundit, inatet e tifozerive e me radhë. Fillimi ka qenë më i mirë për Skënderbeun që ka qenë mjaft mirë i vendosur në fushë, ndërsa Tirana ka pasur vështirësi për të dalë në lojën e vet. Jo më kot dhe rasti i parë i rrezikshëm i takon korçarëve kur Kuli i vetëm me portën bosh e dërgon topin mbi traversë. Me kalimin e minutave Tirana arrin të balancojë lojën, madje tregohet më e saktë. Pikërisht i riu Afrim Taku pesë minuta para fundit të pjesës së parë gjen golin e avantazhit për Tiranën. Mesfushori i bardhebluve shfrytëzon mjaft mirë një hezitim të Orelesit dhe i vetëm me Shehin gjuan fort duke shënuar. Me këtë rezultat mbyllen 45 minutat e para. Në pjesën e dytë Josa shtyn skuadrën përpara dhe Skënderbeu gjen golin e brazimit. Sërish një gabim në mbrojtje, këtë herë në atë të Tiranës dhe Plaku shfrytëzon mjaft mirë këtë moment duke shënuar i vetëm me Likën (51’). Gjithçka nis nga e para dhe Skënderbeu duket më i karikuar. Goli ka bërë efektin e vet te korçarët, që shtojnë ritmin, ndërsa Tirana mendon më shumë për mbrojtjen. Korçarët krijojnë një sërë mundësish me Orelesin (67’) apo Çaushajn (72’). Situata bëhet më e vështirë për Tiranën kur shtatë minuta nga fundi i takimit bardheblutë mbeten me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Dushkut (dy kartonë të verdhë). Skënderbeu përpiqet të shfrytëzojë epërsinë numerike dhe kërkon të shënojë golin e fitores pa e dërguar ndeshjen në shtesë. Dhe tri minuta nga fundi Plaku i vetëm me Ilion Likën gjuan mbi traversë. Kur nuk shënon pëson dhe kjo i ka ndodhur Skënderbeut. Pikërisht kur mendohej se takimi do të shkonte në shtesë një gabim i mbrojtësi Radas i dhuron kupën Tiranës. Pas një krosimi nga e djathta, Radas në tentativë për të larguar topin e dërgon në rrjetën e vet. Tirana kalon në avantazh, ndërkohë që Gilman Lika lë skuadrën me nëntë lojtarë pasi merr kartonin e dytë të verdhë dhe për rrjedhojë atë të kuq. Gjithsesi këto nuk e ndryshojnë fatin e ndeshjes, Tirana mund Skënderbeun për të dytin vit radhazi dhe fiton superkupën e Shqipërisë.