Fëmijët e zonave rurale më të rrezikuarit

Kequshqyerja, 19 % e fëmijëve nën 5 vjeç prapambetje në rritje

Ministria çel konkursin “10 nënat më të mira të vitit”

Kequshqyerja është një nga faktorët kryesorë që po mban ende në nivele të larta vdekshmërinë foshnjore në vend. Pavarësisht masave të marra gjatë viteve të fundit, raportimet e bëra nga strukturat shëndetësore tregojnë se rreth 19 për qind e fëmijëve nën moshën pesë vjeç paraqesin prapambetje në rritje si dhe komplikacione të tjera shëndetësore, problem ky që bëhet edhe më i theksuar në zonat rurale. Këto të dhëna alarmante janë konfirmuar gjatë ditës së djeshme edhe nga ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo, i cili kërkoi që mjekët e familjes dhe gjinekologët të informojnë nënat e reja për mënyrat e ushqyerjes që në foshnjëri, duke filluar nga qumështi i gjirit. “Ndonëse në këto vite statusi i të ushqyerit të fëmijëve është përmirësuar, mund të them se ende ka rreth 19 për qind të fëmijëve nën moshën 5 vjeç që paraqesin prapambetje në rritje. Studimet tregojnë se prapambetja në rritje është më e shpeshtë në zonat malore (28 për qind) dhe në fëmijët e familjeve të varfra”, – ka bërë me dije Tavo. Më tej konfirmohet se vetëm 39 për qind e fëmijëve ushqehen vetëm me gji deri në muajin e gjashtë të jetës. Aktualisht vetëm një e treta e fëmijëve ushqehen në bazë të praktikave të rekomanduara të ushqyerjes. Ministria e Shëndetësisë në partneritet me UNICEF-in ka shpallur konkursin “10 nënat më të mira të vitit”. Nënat e interesuara për të marrë pjesë në konkurs mund të gjejnë formularët në të gjitha qendrat shëndetësore. Për 10 nënat fituese do të ketë dhurata që ndihmojnë në mirërritjen dhe ushqyerjen e fëmijëve. Konkursi zhvillohet në kuadër të programit për reduktimin e kequshqyerjes së fëmijëve shqiptarë, financuar nga fondi spanjoll në partneritet me kombet e bashkuara, me qëllim nxitjen e nënave të reja drejt informimit për mënyrat e reja dhe më të mira të ushqyerjes së fëmijës, që do të jetë i hapur për aplikime deri në fund të muajit tetor, kur do të shpallen fituesit. Sipas ministrit Tavo, e reja e kësaj fushate është prania e një personaliteti të dashur në fushën e artit në Shqipëri, zonjës Roza Anagnosti, e cila do të jetë “ambasadore” e çështjes së ushqyerjes së shëndetshme. Anagnosti do të jetë në rolin e një supergjysheje, që do të kërkojë dhe lobojë nëpërmjet spoteve mediatike dhe aktiviteteve publike për mbështetjen e gjithë shoqërisë ndaj nënave të reja për zbatimin e mënyrave të reja të ushqyerjes së shëndetshme të fëmijëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>