Policia shton aksionet në argjendari për gjetjen e floririt të vjedhur
Dy tregtarë të paligjshëm floriri dhe një person që mbante ilegalisht bono privatizimi janë proceduar penalisht nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e përgjithshme të Policisë Tatimore. Masat po merren në kuadër të një plani të përbashkët me qëllim parandalimin dhe zbulimin e ngjarjeve të rënda të vjedhjeve me dhunë, goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e tregtimit, transportimit dhe ruajtjes e depozitimit të artikujve të floririt, si dhe sekuestrimin e mallrave kontrabandë e ushtrimin e ndjekjes penale ndaj të gjithë atyre që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm të tregtimit të floririt. Aktualisht, janë kryer një sërë kontrollesh në njësitë e tregtimit të artikujve të floririt duke sekuestruar të gjithë sasinë e artikujve të floririt që nuk shoqërohet me dokumentacionin përkatës dhe proceduar të gjithë personat që do të rezultojnë me shkelje. Pranë sheshit “Skënderbej” u kapën dy shtetas ndaj të cilëve do të fillojë procedimi penal, për “tregtim të mallrave kontrabandë”. Kështu u kap Fatmir Pllaha, 48 vjeç, banues në Tiranë, pasi ju sekuestruan mallra që dyshohet se janë kontrabandë, kryesisht bizhuteri floriri, në momentin e kapjes posedonte me vete një peshore elektronike që përdoret për të peshuar bizhuteri, një makinë llogaritëse, një lupë të vogël, një copë xhami të zezë, dhe një sasi e konsiderueshme floriri. Po ashtu u procedua Petrit Tota, 40 vjeç, sepse është kapur në flagrancë duke tregtuar mallra që dyshohet se janë kontrabandë, kryesisht bizhuteri floriri. Në momentin e kapjes posedonte peshore elektronike, lupë zmadhuese karta me numra të vodafon, një shumë prej 136500 lekë, kartëmonedha të prerjeve, konkretisht kartëmonedha prerje 5000 lekshe 4 copë, kartëmonedha prerje 1000 lekshë 79 copë, kartëmonedha prerje 2000 lekëshe 17 copë, kartëmonedha prerje 500 lekshe 7 copë. Ndërkaq, filloi procedimi penal për shtetasin Çerçiz Avdia, 63 vjeç, banues në Tiranë sepse është kapur duke kryer shkëmbime valutore. Në momentin e kapjes i janë gjetur me vete dhe më pas janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale bono privatizimi të prerjeve 10000, 20000 dhe 40000 copë.