Garë e ashpër, vetëm 200 kuota për transferim studimesh

Fluks kërkesash për transferim drejt Universitetit të Tiranës

Gara për transferimin e studimeve ndërmjet universiteteve publike apo dhe kalimit nga privati drejt publikut gjatë këtij viti pritet të jetë tepër e ashpër. Kjo pasi vetëm një numër i vogël kandidatësh që arrijnë të përmbushin kriteret e përcaktuara do të lejohen të transferojnë studimet drejt universiteteve të caktuara. Vendimi i qeverisë për pranimet në universitetet publike gjatë vitit të ri akademik 2012-2013 ka aprovuar vetëm 200 kuota, që do t’u vihen në dispozicion studentëve që duan të transferojnë studimet. Fakultetet e Universitetit të Tiranës rezultojnë të kenë kërkesat më të larta nga studentët që duan të transferojnë studimet në vitet e ndërmjetme. Shumë prej të rinjve që vijojnë studimet në universitetet e rretheve duan të vijnë në fakultetet e kryeqytetit, sikundër janë paraqitur kërkesa edhe nga studentë të fakulteteve private dhe atyre që kanë ndjekur programe të caktuara studimi jashtë vendit. Burime pranë Universitetit të Tiranës bëjnë me dije se vijojnë procedurat e regjistrimit të dosjeve për aplikantët që duan të transferohen në programet studimore të këtij universiteti. Fluksi i kërkesave paraqitet i lartë, ndaj procedurat e pranimit të kërkesave do të qëndrojë e hapur edhe për rreth dy javë të tjera.

Transferimi në Universitetin e Tiranës

Udhëzimi i nxjerrë nga Universiteti i Tiranës mbi procedurën e transferimit përcakton: “Aplikimi për transferim studimesh bëhet individualisht pranë zyrës së protokollit në Rektoratin e UT-së (nuk është e nevojshme që të merret leje nga institucionet ku studiojnë apo të përcillen zyrtarisht nga këto institucione). Ky universitet ofron mundësi transferimi studimesh midis programeve të të njëjtit cikël si dhe nga programet e mëparshme në programe të studimeve të ciklit të parë”. Aplikimet do të pranohen dei mdatën 17 shtator 2012. Pjesë e rëndësishme e dosjes me dokumentet e kërkuara është edhe plotësimi i formularit që gjendet në www.unitir.edu.al, ku kandidati duhet të argumentojë arsyet se pse duhet t’i njihet e drejta e transferimit të studimeve. Me mbylljen e afatit të aplikimeve komisioni, në përbërje të cilit janë ekspertë të fushës, do verifikojë një nga një të gjitha dosjet e paraqitura. Pas kësaj procedure zbardhet lista e kandidatëve që u njihet e drejta për transferimin e studimeve.

 

 

Pranimi i dosjes skadon më 17 shtator 2012

 

Dosja e aplikimit duhet të përmbajë:

  • Formularin e aplikimit për transferim studimesh, i plotësuar nga aplikanti.
  • Planin dhe programin e studimit.
  • Listën e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara (në formë zyrtare me firmë dhe me vulë).
  • Kopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme.

Për institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit dokumentacioni i dorëzuar duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri

Të gjitha dokumentet duhet të jenë origjinale ose të noterizuara.

  • Fotokopje të kartës së indentitetit
  • Mandat arkëtimi (informacionin për bankën dhe tarifën e aplikimit do ta gjeni pranë zyrës së protokollit në Rektoratin e UT-së në kohën e plotësimit të formularit për aplikim).

Formulari mund të shkarkohet në www.unitir.edu.al.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>