Mungojnë avokatët, e njëjta histori me procesin gjyqësor
Gjyqësori nuk gjen paqe, nuk merret asnjë masë
E djeshmja shënoi numrin rekord të 125 seancave të shtyra gjyqësore për Dritan Dajtin, të akuzuar për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në Durrës. Edhe dje Gjykata e Krimeve të Rënda kreu ritualin e shtyrjes së procesit në ngarkim të Dritan Dajtit, Erges Xhoxhit dhe Mariglen Mucajt. Gjithashtu u njoftua Dhoma kombëtare e Avokatisë për mungesën e palës mbrojtje. Që prej muajit mars të këtij viti ky gjyq po vijon të mbahet peng e megjithë kohën që ka kaluar, gjyqësori nuk po gjen zgjidhje për ta kthyer situatën në rrjedhën normale. Nga të dhënat e faqes zyrtare të Gjykatës së Krimeve të Renda rezulton se në procesin ndaj Dajtit dhe dy të tjerëve i çelur më 29 dhjetor 2010, nga 125 seanca gjyqësore të caktuara në kalendar, 84 prej tyre kanë dështuar për shkak të mosparaqitjes së avokatëve mbrojtës, 10 të tjera për shkak se avokatët kanë lënë sallën duke ndërprerë gjykimin, si dhe për shkak të kohës që ka kërkuar mbrojtja për t’u njohur me materialet e dosjes. Në kalendarin e gjykatës thuhet se procesi ka dështuar disa herë për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve dhe 4 herë të tjera për shkak të mosformimit të trupit gjyqësor. Kjo do të thotë se procesi në ngarkim të Dajtit është një ndër më të shtyrët deri më sot dhe pikërisht për shkak të zvarritjeve Gjykata e Krimeve të Rënda tentoi ta zhvillojë gjykimin çdo ditë, por ende ky proces vijon të mbajë rekord për zgjatje.