Guroret, këshilltarët bashkiakë u heqin taksën e transportit

Anomali në Këshillin Bashkiak Ura-Vajgurore, kryebashkiaku: Marrin urdhra nga “bosët” e këtij biznesi

BERAT – Një fenomen tepër shqetësues konstatohet në veprimtarinë e këshillave komunal dhe bashkiakë kohët e fundit. Ka mëse një vit që Këshilli Bashkiak i Urës-Vajgurore mblidhet pa një tematikë të miratuar nga vet këshilli, pasi janë marrë vendime pa materialet e përgatitura në specialistë të zyrave dhe të bazuara në aktet ligjore. Ky fenomen ndodhi edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ditën e djeshme ku këshilltarët nuk ishin lajmëruar jo sipas kërkesave pesë ditë para, por vetëm 12 orë para mbledhjes. Vetë këshilltarët që në fillim të mbledhjes deklaruan se nuk ishin lajmëruar për tematikën e kësaj mbledhjeje dhe për çfarë ata do të vendosnin. Me miratimin e buxhetit të bashkisë për vitin 2012 këshilltarët e djathtë kërkuan që në paketën fiskale të hiqej taksa e qarkullimit të subjekteve që ndikonte në infrastrukturë dhe të zëvendësohej me taksën e transportit sipas tonazhit. Ky ndryshim u justifikua se ishte kërkesë e biznesmenëve të gurorëve, të cilët nuk transportonin me mjetet e tyre materiale ndaj kjo taksë t’u kalohej bizneseve që qarkullonin dhe transportonin vet bazën materiale. Po kështu ata mendonin se ndikimin në infrastrukturë dhe ndotjen e ambientit e sillnin këto biznese në këto ambiente. Në këtë mbledhje të këshillit ishin prezent edhe përfaqësuesit e karierave të guroreve, të cilët ishin dakord dhe i mëshuan fort heqjes së taksës nga bizneset e tyre dhe transferimit të automjeteve të transportit. Miratimi i kësaj takse nga vet këshilltarët e djathtë u kundërshtua nga kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormënaj, dhe zyra e Tatim Taksave me argumentin se kërkohej një studim për infrastrukturën që do të përdorej për mbledhjen e kësaj takse.

Taksa

Vendosja e kësaj takse kërkonte forca shtesë të personelit si agjentë tatimorë që kërkonte shtim të fondit të pagave, kërkonte përcaktimin e biletave me siguri të lartë për të shmangur korrupsionin, tabelat, konet, trekëndësha disiplinim kalimi, uniformë dhe e gjithë baza materiale kapte një vlerë të konsiderueshme lekësh, por këto nuk u morën parasysh, por u vendos me shumicë votash pasi të djathtët përbëjnë 9 nga 17 që është numri i anëtarëve. Vendimi për vendosjen e kësaj takse u miratua në datën 20. 04. 2012 nga vetë këshilltarët e djathtë në prani të përfaqësuesve të bizneseve, i cili u konfirmua dhe u gjet me bazë ligjore nga prefekti. Mbështetur në kompetencat ligjore kreu i Bashkisë Ura Vajgurore, Syrja Ormënaj, u detyrua të pranonte këtë vendimmarrje nga Këshilli Bashkiak për mbledhjen e taksës së transportit sipas tonazhit, pasi bënte pjesë e të ardhurave në buxhet për vitin 2012. Pasi u përgatit e gjithë infrastruktura e nevojshme, ku u përgatiten biletat e sigurisë së lartë me një vlerë prej 500 mijë lekësh të reja u përgatitën gjithçka e nevojshme dhe e domosdoshme për realizimin e zbatimin e vendimit të këshillit për mbledhjen e taksave. Organizimi i punës dhe fillimi i mbledhjes së kësaj takse me sa duket ra ndesh me disa biznese, të cilët u kërkuan këshilltarëve të djathtë ta anulonin këtë vendim, heqjen e kësaj takse dhe pa material të kërkuar nga administrata e bashkisë dhe kryetari Syrja Ormënaj pa projektvendim pa u konsultuar me komunitetit, madje dhe të shumicës së biznesmenëve që operojnë në karierat e Guroreve të Bashkisë Ura Vajgurore u mblodhën në 19.06.2012 të vendosin që ta hiqnin taksën që vet e kishin miratuar dy muaj më parë. Reagimi i kreut të Bashkisë ishte i menjëhershëm, pasi heqja e kësaj takse në gjysmë të vitit shkakton anomali, mosrealizim të treguesve të planifikuar të të ardhurave, mosrealizim në buxhet të treguesve të planifikuar, mungesë investimesh për mirëmbajtjen e rrugëve të shkatërruara nga vet automjetet e rënda moskryerje të shërbimeve ndaj komunitetit etj. Megjithëse ky vendim u mor në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore në fuqi dhe në shkelje të funksionimit dhe veprimtarisë së këshillit ku i gjithë procedimi dhe veprimi ishte kontradiktor dhe antiligjor, reagimi nga prefektura e qarkut Berat është se duhet të miratohet ky vendim nga Këshilli Bashkiak me një mbledhje tjetër. Menjëherë pas këtij vendimi kreu i Bashkisë Ura-Vajgurore reagon me një shkresë në të cilën i kërkon institucionit të prefektit që vendimi i Këshillit Bashkiak Ura Vajgurore të mos aprovohet nga prefekti, pasi vjelja e taksës së transportit kap shumën 2. 960. 000 lekë dhe heqja e kësaj takse cenon rëndë buxhetin e bashkisë sidomos në mes të vitit mbasi nuk realizohen të ardhurat, cenohen interesat e komunitetit për shërbime, si pastrimin, infrastrukturën etj. Heqja e kësaj takse nuk justifikon shumën e harxhuar për bazën materiale të përgatitur në 500 mijë lekë, humbje e krijuar nga heqja e kësaj takse është 3.360.000 lekë, vlerë e cila lë pa shërbim, pastrim Bashkinë e Urës Vajgurore për 5 muaj. Ndërsa pas 16 ditësh Këshilli Bashkiak i Urës Vajgurore mblidhet për aprovimin e vendimit mbi heqjen e taksës së transportit e vendosur nga vet ky këshill.

Debatet

Pas debatesh dhe kundërshtish nga kryetari i Bashkisë dhe këshilltarët e majtë vendimi mbi heqjen e taksës së transportit u miratua nga anëtarët e djathtë të këtij këshilli pasi përbënin shumicën e votave. Brenda kompetencave ligjore kryetari i Bashkisë Syrja Ormënaj ndërrmori nismën duke ju kërkuar këshilltarëve të djathtë që ta shikonin me arsyetim të thellë dhe duke mos shkelur interesat e komunitetit. Sipas kryebashkiakut të Urës Vajgurore, Syrja Ormënaj, në mbledhjen e fundit datë 19.07.2012 u pa qartë lidhja e këshilltarëve të djathtë me biznesmenë të veçantë, të cilët vunë interesat e tyre përmbi ato të komunitetit. Një nga këshilltarët e djathtë Agur Paja në fjalën e tij theksoi se kreu i Bashkisë Ormënaj ka të drejtë, por ne jemi të detyruar të pranojmë heqjen e kësaj takse, ndërsa një tjetër këshilltar po i djathtë Dane Guri ka pohuar se nuk di sesi funksionojnë këto hallka, por jam i detyruar ta aprovoj vendimin. Biznesmeni Tori Xhemali i cili ka edhe vet karrierë guri ka pohuar me zë të lartë se dihet pasojat që kanë sjellë këto biznese pasi askush nuk do tia dijë për komunitetin, por gjithsecilin për xhepin e tij.

Në fund para miratimit të këtij vendimi mbi heqjen e taksës kreu i Bashkisë Ura Vajgurore, Syrja Ormënaj, ka bërë edhe njëherë apel për ta shikuar këtë proces me gjakftohtësi nga anëtarët e këshillit krahut të djathtë në interes të komunitetit komform ligjit.

 

Si po vdes jeta në këtë qytet

Bizneset e guroreve, makthi i banorëve

 

Në Bashkinë e Urës Vajgurore kryejnë veprimtarinë e tyre mbi 17 biznese në gurore kariera, të cilat përpunojnë dhe transportojnë lëndë në destinacione të ndryshme brenda dhe jashtë rrethit. Krahas detyrimeve që paguajnë në bashki është vendosur prej 15 vjetësh edhe taksa e transportit sipas tonazhit, e cila në vitin 2007 u zëvendësua me taksën e qarkullimit të subjekteve që ndikojnë në infrastrukturë e bazuar në ligj kjo taksë është mbledhur rregullisht, midis bashkisë dhe bizneseve ka pasur mirëkuptim dhe bashkëpunim. Por për vitin 2012 këshilltarë të djathtë të ndikuar nga biznesmenë të veçantë për interesa personale kanë arritur të krijojnë anomali në buxhetin bashkisë duke e hequr këtë taksë. Gjatë këtyre viteve edhe pse janë bërë investime nga bashkia për rrugët dhe mbrojtjen e ambientit shqetësimet kanë qenë dhe janë të mëdha në komunitet, pasi veprimtaria e këtyre bizneseve ka dëmtuar rrugë, ka sjellë ndotje në mjedisin nga shkelja e rregullave, shumë herë banorët e lagjes “28 nëntori” kanë ngritur zërin e tyre mbi problemet që kanë hapur veprimtaria pa kriter e këtyre firmave. Shpërthimet me lëndë eksplozivi kanë dëmtuar banesat e tyre, ndërsa pluhuri tepër shqetësues ka sjellë pasoja në jetën dhe në shëndetin dhe në mjedisin përreth këtyre guroreve. Nga dita në ditë zhduken sipërfaqe të tëra me gjelbërim, e konsideruar frymëmarrja e qytetit. Disa herë zëri i tyre është ngritur në forma proteste a peticionesh deri në instancat më të larta, por askush nuk ua ka vënë veshin, duke lënë të qetë firmat, të cilat pasurohen nga dita në ditë. Ky komunitet, i cili duhet të jetë prezent për shqetësimet që ai ka nuk përfillet nga të zgjedhurit e tyre si këshilltarë, të cilët jo vetëm nuk janë transparentë në lidhje me vendimet që marrin, por nuk e respektojnë asnjëherë mendimin e këtij komuniteti madje nuk i ftojnë zgjedhësit e tyre as në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

 

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>