Hall mbarëkombëtar: Pëllumb Xhufit i mbetet hatri për Rexhep Qosen

 

Hall mbarëkombëtar: Pëllumb Xhufit i mbetet hatri për Rexhep Qosen

Aman sa në siklet kemi qenë ca ditë ne të kafenesë! Ky doktori s’është në terezi hiç! Si ore ka lënë Rexhep Qosen pa ftuar në festimet e pavarësisë?! Ai ka qenë dhe mik me komandantin tonë “legjendar”. Asnjë fjalë nuk tha as për masakrën e Tivarit, as për kosovarët që futnim burgjeve, se dihet që ne komunistët nuk i duronim dot ata. Në fakt, ne nuk duronim dot të gjithë Shqipërinë, por me këta e kishim më keq se me veriorët, se dinim që nuk na donin dhe aq. Por Rexhepi ishte ndryshe, ai ishte komunist i devotshëm. Dhe gjëma më e madhe ishte kur tha dhe Pëllumb Xhufi se do t’i braktiste dhe ai aktivitetet për 100-vjetorin. Bobooo, kjo është akoma më keq, se Pëllumbi është dhe dhëndër në familjen e komandantit “legjendar”! Filluam të mendonim ç’të bënim dhe vendosëm t’i shkonim Pëllumbit te dera e shtëpisë dhe t’i luteshim: “Aman, o Pëllumb, se të kemi gojëflori, të kemi! Aman, se na mbytën tradhtarët dhe kolaboracionistët! Vetëm ti na u ke dalë në mbrojtje djemve tanë, që vërtet kokëgdhe ishin dhe as nuk e kishin haberin se çfarë ishte komunizmi, por ama arritën ta mbajnë pushtetin kaq vjet dhe nuk lanë njeri pa vrarë e pa prerë. Aman, Pëllumb, se pa ty dhe pa Arben Puton, që eshët akoma më komunist, s’kanë kuptim festimet!

 

Spiro gjenerali bën debat me Rremën për vrasjen e Kajo Karafilit

Spiro gjeneralit nuk i dilte e keqja teksa lexonte në gazetë se Kajo Karafili na ishte vrarë si lepur në mes të 200 e ca partizanëve. Tashi, atij çoç i kishte kapur veshi nga këto muhabete, po porosia e partisë ishte që të shpallej se Kajo Karafili ishte vrarë në luftë në përpjekje me armiqtë. Në të vërtetë ai ishte vrarë duke parë teatër partizan. Erdhi e erdhi vërdallë, më në fund i dha karar të tregonte atë historinë e famshme të Shnajderit në kafene. Pra, ka qenë gjermani Shnajder që ka sjellë gjermanët në Lis-Patros, ku e palosën Kajon (!). Por sapo filloi të fliste, ia preu fjalën Rremë tironsi. “O Spiro, po mos ia fut kot, mër burrë i dheut! A ke qenë na i herë në Lis-Patros ti dajë? E çere dojte gjermoni aqe, mër, për ca zgjebarakë? Or ti dajë, s’keni shti asnji pushkë, vallahi. Kët ma ka kallzu dhe baba mu. Ramë Habili qëllojte harabelin në ajër tu fluturu e kishte kohë që e kërkojte Kajën për mish lepri. Atë Kajon tuj, po lene atë muhabet tashi, se e botë baltë fare! Kina kaq vjet që e ligjojmë: osht vra këtu e osht vra aqe. Vallahi ne tironsit e zona e Shijakut e Kavajës e ka ditë mirë kët punë, po ku të lejshit ju me fol? Kërcejshit përpjetë për Kajon! E i çik pusht ka qenë ai, t’i lejmë llafet, karafil mo!” – tha Rrema, që e mbylli muhabetin dhe u ngrit të porosiste një raki në banak.

 

Nasho veterani fillon mbledhjen e firmave për referendumin e LGBD-së

 

Nasho veterani kishte ditë që nuk ishte dukur në kafene. Na thanë se kishte filluar analist te një sajt në internet dhe tashti mbahet rëndë-rëndë. Është bërë dhe anëtar i një shoqate të shoqërisë civile dhe mbulon të drejtat e komunitetit LGBD. Kur e pyesim në telefon se pse nuk vjen në kafe, thotë se është shumë i zënë me takime. Të vërtetën na e zbuloi një miku ynë, të cilit i kishte thënë i biri se kishte parë se Nashoja në “Tuiterin” e tij kishte vënë si status se po kërkonte të mblidhte firmat për të bërë një referendum, që komuniteti gej të dilte lirshëm, madje dhe me veshjen që ata kanë qejf më shumë dhe të mos guxojë njeri t’u thotë as një fjalë goje. Natyrisht, ne të gjithëve na shkoi mendja se kjo do të ishte ide e antiglobalistes Sëet_Baby, së cilës Nashoja nuk ia prish për asgjë. Por nga ana tjetër morëm vesh se vendimi i KQZ-së për ato plehrat ia kish prerë hovin Nashos, sepse, kur atyre ua lanë më 2014, imagjino kur i vjen radha Nashos, që s’ka mbledhur as 30 firma! Nga ana tjetër, aty kërkohet të kesh dhe kartën e identitetit, por dhe firmën. Eeee, s’është aq kollaj, se kush del me flamur e thotë se “po më ha torrovelja”… Jo për gjë, po mund të përsëritet ajo shprehja që i tha i ati të birit kur i tha se ishte gej: “Or çun, gej është Xhorxh Majkëll, Elton Xhon, kurse ti je kokrra e!…”

 

Erion Veliaj i shqetësuar se Fatos Nano ka sulmuar doktorin me deklarata

Erioni i Veliajve ishte në siklet të madhe të enjten. “Lëvizja Nano” kishte sulmuar Berishën, dhe kjo s’po i pëlqente hiç. Jo për gjë, por, sa sulmonte PS-në, Erioni ishte rehat, se thoshte sa andej-këndej: “Hë mo, ju doli llafi im që Nano s’e ka dashur ndonjëherë PS-në? Edhe kryetar kot e vutë. Sikur të më kishit pyetur mua, s’do të kishit humbur as zgjedhjet më 2005. Ja, sa kam ardhur unë në PS dhe këshilloj kryetarin bashkë me shokët e “Mjaftit”, shikoni se sa mirë kanë ecur punët! Vërtet s’kemi fituar, po ama kemi bërë opozitë. Kurse me Nanon mund dhe t’i fitonim zgjedhjet, por ama do të devijonte nga idetë tona liberale…” Por pas deklaratës së Nanos kundër Berishës i ra dhe alibia e fundit që kishte para elektoratit. Mendoi se tani nuk është e habitshme që kryetari ta shohë dhe vëngër, se dihet: ai si të fryjë era i krijon mendimet. Apo s’ka dhe atë Gramozin afër, që s’e sheh dot me sy! “Duhet të bëj ndonjë gjë patjetër që të bie në sy se jam aktivist i devotshëm, përndryshe më iku nga duart Ministria e Jashtme kur të vijmë në pushtet! Po ç’të bëj?! Po kjo Griselda a është këtej vërdallë, se ka kohë që s’e kam parë? Ajo ma zbardh faqen mua! Hajt se do flas njëherë me të, të sajojë ndonjë gjë ajo dhe të bëjmë ndonjë sensibilizim ndërkombëtar”, – i vuri kapak Erioni.

 

 

Kiço spiuni hap sajtin e tij të lajmeve dhe analizave nga bashkëpunëtorët

Kiço spiuni po mendon të hapë një sajt interneti për analiza, ku të rrëfejë për punën e “lavdishme” të Sigurimit të Shtetit. Në muhabetin e javës së shkuar ai kishte treguar për rekrutimet në Çorovodë, por tashmë e ka vendosur që të mbledhë të gjithë bashkëpunëtorët dhe bijtë e bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe të bëjnë analiza atje kundër pushtetit. Ka parë një sajt të tillë, që ishte mbushur plot nga ata që i kishte rekrutuar vetë me dorën e tij. Tani ata hiqen sikur nuk janë dhe s’i durojnë dot padrejtësitë që po u bën pushteti i Berishës, por Kiçoja e di shumë mirë se ku fle lepuri. Tani ka marrë vendimin që t’i bëjë një propozim: te sajti i parë të shkruajnë me emrat që kanë, ndërsa te sajti i Kiços të shkruajnë me pseudonime, që në rast se i kanë harruar, he-he ua kujton Kiçoja, se i ka defterët një e nga një të gjitha aty. Ideja iu duk brilante dhe mori e u shkroi një imeil të gjithë kalemxhinjve: “Të nderuar bashkëpunëtorë! Që sot e tutje keni shkruar me emrat tuaj në sajtin tuaj, tani e tutje do të hap unë një sajt, ku do të vazhdojmë luftën tonë me pseudonimet që keni mbajtur gjatë viteve të lavdishme. Refuzimet nuk pranohen, se e dini ju pastaj! Mjaft e shitët menderen sikur çoç jeni, se dhe menderen jepnit për kauzën e partisë dhe të diktaturës së proletariatit!” – mbyllte imeilin Kiçoja.

 

Kreshniku i kuqezinjve ëndërron të bëhet ministër Drejtësie, po fitoi PS-ja

 

Kreshniku i kuqezinjve ishte shumë i lumtur pas intervistës së Majkos dhënë në një televizion. Tashi duket se ia hodhi dhe do t’i dalë ndonjë kockë, po e mori PS-ja pushtetin, se që kur e hoqën nga KLD-ja ka pasur shpenzime të mëdha. Po ja, e dha shenjën e parë Majkoja. Është i madh ai atje lart, nuk të lë pa gjë. Tani Kreshniku po planifikon se çdo të kërkojë në zgjedhjet e ardhshme. Ah, sikur ta bënin ministër Drejtësie, ta shikonin ata gjyqtarët dhe anëtarët e KLD-së që s’e merrnin asnjëherë seriozisht dhe qeshnin nën zë për budallallëqet që nxirrte nga goja! Do të ishte kapak floriri. Po dhe ndonjë lek del, se, kur ishte vetë nënkryetar, s’para i doli ndonjë gjë e madhe. Eh, ku lë Laroja të hajë Baloja!… Dhe filloi të mendonte se ku do t’i kalonte pushimet pas një viti dhe çfarë do të blinte sapo të bëhej ministër. Do t’u blejë dhe nga një bluzë me flamur çunave të Aleancës, se pa gjë s’do të rrinë edhe ata. Janë lodhur, janë këputur për këtë ditë, po hajt, duke parë e duke bërë!… “Myslimin do ta çojë andej nga Ministria e Mbrojtjes, se ai i kullandris ato punë, po e ka dhe ndonjë punë tjetër. Lisieni i kërkon diplomacinë e kështu me radhë derisa më në fund e kuptoi se po i merrte të gjitha ministritë Aleanca Kuqezi dhe kryeministër mbetej vetëm Rama. “E mo mirë, pse mos të m’i japë?!” – tha me vete kreshniku dhe filloi të bënte listat e ministrave.

 


3 Responses to Hall mbarëkombëtar: Pëllumb Xhufit i mbetet hatri për Rexhep Qosen

  1. Atdhetari Reply

    December 14, 2012 at 9:05 pm

    Pse ti mbetet hatri pér Rexhep Qosjen qé ashté enveristé i bindéshémé dhe ska ndérgegjé kombétar?.Nuké mjafton titulli Akademik,duhet té sqjarohen faktet e kohés mallkueme e komunizmit pér para se té na shitni mendé Zoti Profesor!!

  2. alija Reply

    January 24, 2013 at 8:18 am

    na rrofshi o pellumb xhufi bashke me Rexhep qosjen!!!!
    pershendetje

  3. olindo Reply

    February 20, 2013 at 5:20 am

    Persa u perket ketyre mendimeve,ndjen keqardhje jo vetem se autori eshte anonim,por per me teper se eshte i ceket ne arsyetimin e tij rreth temave qe eshte munduar te paraqese per ne.
    Megjithate ka nje lidhje qe i bashkon te gjithe keto mini shkrime: dashuria deri ne verberi(e autorit) per dike qe pjesa e madhe e kryefjales(ne shkrimet) kane treguar hapur se jane kunder “Atij” ne menyre publike.
    Kunder Atij eshte dhe Rexhep Qosja qe e ka cilesuar si Kadafin Shqiptar.
    Sa i vogel te duket ky lloj autori kur ne hapje flet per dy nga figurat e Akademise se Shkencave.
    Por eshte treguar i sinqerte kur ka pohuar qe ne fjaline e pare: “Aman sa në siklet kemi qenë ca ditë ne të kafenesë!”
    Kafeneja kunder Akademise..
    Pasataj mundet qe secili te nxjerr konkluzionin…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>