Ngrihet task-forca për penalizmin e subjekteve që gjenerojnë zhurmë
Berisha: Masa ndaj bizneseve që prishin imazhin e vendit
Qytetarëve u kursehet zhurma dhe shqetësimi i orëve të vona nga ana e lokaleve dhe bareve. E njësuar dita dhe nata për lokalet që zhvillojnë bizneset e tyre në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare, nuk kanë një limit kohor se kur nis dhe mbaron aktivitetit i tyre. Por kjo është njëra anë, ajo që është më shqetësuese është zhurma dhe shqetësimi që krijojnë te qytetarët pikërisht operimi i një aktivitetit të tillë. Ardhur në një pikën kulminante, me apelin permanent të qytetarëve, qeveria shqiptare ka reaguar duke i ardhur në ndihmë komunitetit. Kështu, me qëllim zgjidhjen e një problematike të tillë, ekzekutivi ka ngritur një task-forcë, e cila do të ndërmarrë masat e nevojshme kundrejt të gjitha subjekteve që do të gjenerojnë zhurmë. Një vendim i tillë u mor gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave.
Vendimi
Këshilli i Ministrave miratoi dje aktin normativ “Për krijimin e task-forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare.” Ky akt parashikon krahas masave për subjektet që shkelin orarin e lejuar, duke shkaktuar zhurma në mjedis, edhe masa ndaj punonjësve publikë që janë përgjegjës për zbatimin e ligjit, por e neglizhojnë atë. Në këtë mënyrë, referuar situatës së krijuar nga zhurmat e diskotekat, të krijohet përshtypja se vendi bëhet një vend surrealist, që në zona të tëra shëmbëllen më tepër si një vend i realizmit fantastik. Për këtë arsye, ministrat përkatës kanë marrë porosi për hartimin e këtij akti dhe të gjitha sanksioneve të nevojshme. Njëkohësisht përmes aktit normativ përcaktohet qartë se do të ketë zero tolerancë në tejkalimin e përcaktimeve ligjore.
Deklarata
Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë bëri publik vendimin lidhur me një problematikë të tillë, ku ftoi “me shumë njerëzi e miqësi pronarët e këtyre lokaleve që të mos i verbojë babëzia e të mendojnë se ka një orar, pas së cilit njerëzit duhet të flenë; të mendojnë se përreth lokaleve të tyre ka të moshuar, të sëmurë, foshnja, që përtej një kohe të caktuar nuk mund ta tolerojnë zhurmën që ata krijojnë me lokalin e tyre”. Sipas tij, ky problem ka arritur aty ku nuk mund të tolerohet më tej. “Nuk po kërkojmë veçse të bëhemi një vend normal dhe nuk ka asgjë më anormale se kjo që ndodh në brigjet tona, që ndodh në zemër të Tiranës, që ndodh në Shqipëri. Është njësoj si të lexosh novelat e realizmit fantastik. Ky akt normativ parashikon masat më të rrepta dhe të menjëhershme ndaj të gjithë atyre që shkelin orarin e përcaktuar. Akti normativ përcakton shkarkime e ulje në detyrë ndaj të gjithë atyre që nuk e zbatojnë aktin dhe që janë përgjegjës për zbatimin e tij, qofshin inspektorë të Inspektoratit të Mjedisit, të Shëndetit Publik apo të Policisë së Shteti”, – vuri në dukje Berisha lidhur me këtë çështje. Madje, po në këtë linjë, ai shtoi faktin se “nëse dikush, në çmenduri, mendon të tronditë një qytezë deri më tre të mëngjesit dhe të dalin turistët të terrorizuar nga zhurma, ky është shërbimi më i keq që i bëhet vendit, është mekanizmi për të nxjerrë famën: ‘Mos shkoni në Shqipëri, se atje nuk fle dot nga zhurmat’”.