Ibra i zhgënjyer nga Milani

Zllatan Ibrahimoviç ka mbetur i zhgënjyer nga Milani, pasi është i mendimit se kuqezinjtë e kanë tradhtuar. Ibra, i cili është bashkuar me Paris SG e sheh veten “viktimë e një marrëveshjeje” jashtë vullnetit të tij, pasi nuk ka pasur asnjë qëllim për t’u larguar nga Italia. Sulmuesi suedez nuk e ka pranuar dot faktin që ka qenë i padëshirueshëm tek Milani, ndoshta ngaqë në të gjitha lëvizjet e mëparshme të karrierës së tij ka qenë ai që ka vendosur se kur dhe si të ndërpresë marrëdhëniet e punës me një skuadër të caktuar. Ibra është larguar nga Ajaksi, Juventusi, Interi dhe Barcelona me vullnetin e tij, ndërsa tashmë situata është ndryshe. Këtë herë ka qenë Milani që ka vendosur të heq dorë nga Ibra, pasi oferta që i ka ardhur nga skuadra e Paris SG ka qenë e parefuzueshme. Pikërisht me këtë lidhet edhe zemërimi i Ibrës me Milanin, pasi ai nuk është mësuar që për të ardhmen e karrierës së tij ta vendosin të tjerët, siç po ndodh në këtë rast. Të afërm të Ibrës kanë bërë të ditur se ai e ndien veten të tradhtuar nga Milani, pasi ka dhënë shumë për këtë skuadër dhe në fund nuk është shpërblyer. Milani po përballet me një periudhë të vështirë ekonomike dhe drejtuesit për të dal nga kjo situatë kanë vendosur të shesin lojtarët më të mirë. Një i afërmi i Ibrës ka bërë të ditur se suedezi ishte shumë i motivuar për sezonin e ardhshëm, sepse Milani i kishte premtuar fanellën me numrin 10-të, e cila ka mbetur e lirë pas largimit të Sedorfit. Ibra ka qenë gati të marrë përgjegjësitë dhe të tërhiqte skuadrën prej dore drejt suksesit. Numri 10-të në fanellë do ta ndihmonte atë për të dhënë maksimumin dhe për të hequr “etiketën” se është një lojtar “i vogël kundër të mëdhave dhe një lojtar i madh kundër të vegjëlve”. Pavarësisht se ka shfaqur disa pakënaqësi, Ibra nuk ka dashur të largohet nga Milani, por kanë qenë këta të fundit që kanë preferuar ta shesin për shkak të ofertës së lartë, sigurisht edhe për shkak të rrogës së tij të majme. Për sa i përket të ardhmes së tij, ai ka arritur një marrëveshje me Paris SG, sepse nuk ka pasur rrugëzgjidhje tjetër. Zyrtarizimi do të vijë sot, pasi Ibra e ka prerë biletën për në Francë dhe rreth orës 16:00 do të bëjë prezantimin. Tek Paris SG, sulmuesi suedez do të përfitojë plot 13 milionë euro në vit. Për momentin nuk dihet saktësisht nëse do të firmosë një kontratë dy apo tre vjeçare, por gjithçka pritet të zbardhet sot. Tek skuadra e re Ibra do të mbajë veshur fanellën me numrin 9-të.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>