Bien rrëmbimet e personave, policia ndikoi në uljen e numrit të vjedhjeve
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në një raport për tendencat e krimit në Shqipëri për vitet 2008-2011, ka analizuar me detaje shifrat e kriminalitetit. Gjatë këtij raporti dilet në përfundimin se ka pasur tendencë rritje të krimeve kundër jetës dhe pronës gjatë 3 viteve. Qendra për Çështjet Evropiane dhe të Sigurisë (CESA) këtë punë kërkimore e realizoi në kuadër të mbështetjes institucionale për IDM nga ana e OSI Think Tank Fund (Fondi për Organizatat Studimore i OSI-t) Budapest-Hungari. Mendimet e shprehura në këtë raport janë të autorëve. Si redaktor përgjegjës është Gjergji Vurmo, ndërsa këshilltar i lartë është Sotiraq Hroni. Faza e parë e punës kërkimore konsistoi kryesisht në identifikimin e literaturës bashkëkohore mbi përqasjet e mundshme metodologjike dhe hartimin e metodologjisë së punës kërkimore të IDM, duke shqyrtuar eksperiencat dhe studimet e ndryshme mbi kriminalitetin. Faza e dytë u zhvillua në kontekstin e bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (DPSHP). Mesatarja e trendeve në rritje që shënojnë vepra të tilla penale si “vrasje”, “plagosje e lehtë me dashje”, “vjedhje me dhunë” apo “vjedhje të tjera” në periudhën 2010- 2011, përveç performancës së dobët institucionale sugjerojnë gjithashtu një lidhje indirekte me faktorë të tjerë si gjendja ekonomike apo klima politike në Shqipëri. Veçanërisht i dukshëm shfaqet korrelacioni midis rritjes së numrit të këtyre veprave penale prej vitit 2009 e në vazhdim me “situatën politike në vend”, ku kjo e fundit, nga një situatë paqësore dhe bashkëpunim pozitë-opozitë në vitin 2008, është transformuar dukshëm në një krizë tipike politike prej vitit 2010 e në vazhdim. I vetmi përjashtim nga ky korrelacion është vepra penale “krime kundër lirisë së personit”, mesatarja e të cilit nga gjysma e dytë e vitit 2010 e në vazhdim është 0.6 vepra penale për tremujor, ndërkohë që për periudhën janar 2008-qershor 2010 kjo mesatare ka qenë në shifrat e 12.9 vepra të tilla penale për tremujor.
Vrasje e plagosje
Krimet kundër jetës shfaqin një tendencë të lehtë rritjeje të mesatares vjetore të këtyre figurave të krimit në dy vitet e fundit (2010- 2011). Numri më i lartë i “Krimeve kundër jetës” përgjithësisht regjistrohet në tremujorët e dytë dhe të tretë të vitit (periudha “prill-shtator”) dhe pjesa më e madhe e kësaj kategorie (thuajse 2/3 e totalit) i përkasin veprës penale të “vrasjes në tentativë”. Veçanërisht shqetësuese është rritja thuajse me rreth 40% e numrit të veprave penale “Vrasje” në 2 vitet e fundit (2010-2011) krahasuar me periudhën 2008-2009. Statistikat ndërkombëtare për Shqipërinë konfirmojnë një “kërcim” nga niveli i 2.9 dhe 2.7 vrasje për
100.000 banorë për 2008 dhe 2009 respektivisht, në 4 krime të tilla për 100.000 banorë gjatë
vitit 2010. Numri i “vrasjeve” për 100.000 banorë në Shqipëri është ndër më të lartët në rajon.
Më konkretisht për periudhën 2008-2009 Shqipëria renditet menjëherë pas Malit të Zi kurse
për vitin 2010 ajo ka shifrën më të lartë në të gjithë rajonin. Tendenca të dukshme rritjeje (duke filluar prej 2009-ës e në vazhdim) shfaq edhe krimi “plagosje e lehtë me dashje”. Numri më i ulët i veprës penale “plagosje” i regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2008 (115 raste) figuron i trefishuar në pjesën më të madhe të tremujorëve të 2 viteve të fundit (2010-2011). Thuajse 80% e totalit të “plagosjeve” përgjatë periudhës 4-vjeçare ka ndodhur në vitet 2009-2011 dhe viti 2011 ka shënuar edhe rritjen më të lartë, me një total “plagosjesh” të regjistruara sa 1/3 e numrit të përgjithshëm (për të 4 vitet). Vlen të theksohet korrelacioni midis kurbës së kësaj vepre penale me tendencat e numrit të regjistruar të krimit “armëmbajtje pa leje” përgjatë 4 viteve të fundit.
Vjedhjet
Vepra penale “vjedhje lokal tregtie” më shumë sesa për tendencën shfaqet interesante për
filozofinë e ndërhyrjes nga ana e organeve të rendit. Më konkretisht, thuajse pas çdo “piku” të
numrit të kësaj vepre penale pason edhe rënia drastike. Filozofia e “Përgjegjësi-vetëm-e-Policisë” nga ana tjetër bën që pas një farë kohe numri i këtyre veprave penale të rritet sërisht,
madje me një intensitet më të lartë. Ndryshe nga ndjeshmëria për të vepruar kundër “vjedhjeve lokal tregtie” reagimi i policisë është inegzistent në rastin e “vjedhje të tjera”, të cilat janë në rritje të pandërprerë prej vitit 2008. Më konkretisht, të dhënat për numrin e “vjedhje të tjera” në tremujorin e fundit të 2011 krahasuar me tremujorin e fundit të 2008 shënojnë një rritje prej thuajse 500%.
Procedimet penale për “armëmbajtje pa leje”
Përveç rritjes së numrit të procedimeve penale për “armëmbajtje pa leje”, një tjetër përjashtim nga tendencat alarmante të figurave të krimit të marra në analizë në këtë raport është vepra penale “krime kundër lirisë së personit”, ku tendenca e kësaj vepre penale është dukshëm në rënie. Më konkretisht, mesatarja e këtij krimi nga gjysma e dytë e vitit 2010 e në vazhdim është 0.6 vepra penale për tremujor, ndërkohë që për periudhën janar 2008-qershor 2010 kjo mesatare ka qenë në shifrat e 12.9 vepra të tilla penale për tremujor.