Autor Çelnik Meleqi 27 vjeç, kishte lidhje dashurie me viktimën. Familja apel për fëmijët
Arrestohet një 27-vjeçar për masakrimin e Fatjona Sulës, nënë e 2 fëmijëve, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë poshtë një ure në Qafë Thanë. Policia e Korçës sqaron se Çelnik Meleqi nga fshati Rrajcë i Librazhdit ka pranuar krimin e rëndë dhe se e ka kryer për motive xhelozie.
Arrestimi
Çelnik Meleqi , 27 vjeç, është ndaluar në afërsi të banesës së tij, pasi policia vërtetoi se ai është autor i vrasjes së 24-vjeçares Fatjona Sula, 24 vjeç e divorcuar me 2 fëmijë. Meleqi është shprehur para bluve, pasi ka pohuar krimin makabër, se arsyet që e detyruan ta godiste për vdekje me gurë dhe të hidhte në rrugë trupin e Fatjonës, ishin ato të xhelozisë. Ky person dyshohet se ka pasur një lidhje me viktimën prej disa kohësh. Sipas rrëfimit që ka bërë për forcat e policisë, ai shprehet se: “E kam kryer vrasjen në kushte të rënda psikologjike. Dyshoja se Fatjona Sula më tradhtonte, jam penduar”.
Familja Sula
Familja Sula jeton në fshatin Orenjë të komunës me të njëjtin emër rreth 15 km larg Librazhdit. Vetëm një javë më parë ata e kanë parë vajzën e tyre Fatjolën, e cila ka qëndruar një ditë me fëmijët e saj dhe familjarët. Ata nuk kanë vënë re ndonjë sjellje ndryshe veç problemeve ekonomike dhe vështirësive që kalojnë si familje për shkak të invaliditetit të babait dhe sëmundjes së nënës. Ata jetojnë me 70 mijë lekë në muaj, që është pensioni për invaliditetin e kryefamiljarit. Ai nuk flet e nuk dëgjon, ndërsa e ëma vuan nga një sëmundje kronike. E vetmja që mund të përgjigjet është e motra e viktimës, Blerina dhe vëllezërit e nënës së saj, të cilët janë duke u përgatitur për mort. Ata thonë se ajo punonte në Përrenjas në një bar-restorant motel në qytetin e Përrenjasit si kamariere dhe banakiere. Pronarja e këtij lokali është marrë në pyetje një natë më parë nga policia dhe ka dëshmuar se nuk kishte kontakte me punonjësen e saj dhe se nuk kishte dijeni ku kishte shkuar. “Vajza si kishte bërë keq njeriu. Kishte hallet e veta”, thonë ata. Tashmë ndërsa presin trupin pas ekspertizës, familjarët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit që të paktën të gjendet një sistemim për fëmijët e saj 3 dhe 5 vjeç, të cilët kanë mbetur jetimë e nuk kanë askënd që të kujdeset për ta. Varrimi i 24-vjeçares do të bëhet mesditën e së premtes në fshatin e lindjes. Të gjithë familjarët të tronditur, pasi kanë mësuar vrasjen kërkojnë nga policia dënimin maksimal të autorit.
Martesa e dështuar
Fatjona Sula ka qenë e martuar në fshatin Xhyrë, komuna Hotolisht të Librazhdit me shtetasin Safet Fatja, me të cilin është e divorcuar 3 vjet më parë. Burri i saj rezulton i martuar me një shtetase kosovare dhe jeton dhe punon në Kosovë. Ndërkohë ende nuk jepen detaje për atësinë e fëmijëve, por mësohet se babai nuk është interesuar më dhe i ka mbetur gruas së re të punojë për t’i mbajtur.
Vrasja
Trupi i pajetë i Fatjonës është gjetur i hedhur poshtë një ure, me fytyrën të dëmtuar plotësisht nga goditjet me gur. Ka qenë një bari i zonës, i cili pasditen e së mërkurës ka arritur të dallojë trupin e pajetë në Qafë-Thanë dhe ka njoftuar menjëherë forcat e policisë. Dyshimet janë se krimi mund të jetë kryer në orët e para të së mërkurës, kur dhe qyteti i Pogradecit është përfshirë nga reshjet e shiut. Nga ana tjetër, nga këqyrja e vendngjarjes, është konstatuar se viktima është tërhequr zvarrë përreth 15 metra, me qëllim për t’u fshehur poshtë urës. Kufoma është gjetur e veshur vetëm me të brendshme, ndërkohë që një fustan i zi, një këmishë e bardhë dhe një palë shapka, janë gjetur të shpërndara pranë vendit ku u gjet trupi i pajetë. Nuk është gjetur çantë në vendin ku është gjetur kufoma.