Kombëtarja sot “debutimi” shqiptar i De Biazit, me gjenerator!

Luhet në orën 20:30 ndeshja me Moldavinë, me drita, por me gjenerator, sepse CEZ nuk furnizon me elektricitet stadiumin. Sot në mbrëmje testi i madh për eliminatoret

Pas tri ndeshjeve në transfertë, ato me Gjeorgjinë në Tbilisi, Katarin në Madrid dhe Iranin në Stamboll, trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, do të bëjë prezantimin e parë në Tiranë, pikërisht me takimin kundër Moldavisë, të programuar për ditën e mërkurë, me 15 gusht. Në tri sfidat e para, bilanci i italianit është i suksesshëm: 2 fitore dhe 1 humbje. Shqipëria humbi 2-1 në Tbilisi (në një takim ku portieri Samir Ujkani priti dy penallti), si dhe fitoi 2-1 me Katarin në Madrid (me Bogdanin që u ngjit në kuotën e 16 golave) dhe 1-0 me Iranin në Stamboll (gol i Emiljano Vilës). Trajneri Xhani De Biazi pranoi se ndeshje me Gjeorgjinë ishte kontakti i parë i tij me Kombëtaren shqiptare, ndërkohë që mënyra sesi ai përgatiti skuadrën në dy sfidat pasuese, të fituara, la një shije të mirë te specialistët shqiptarë të futbollit. De Biazi për herë të parë provoi disa lojtarë të rinj, përfshirë portierin Etrit Berisha dhe mbrojtësin Mërgim Mavraj, ashtu siç thirri për herë të parë Edgar Çani, ky i fundit debutoi me gol në miqësoren kundër Gjeorgjisë. Për herë të parë nën urdhrat e De Biazit do të jetë dhe sulmuesi Hamdi Salihi, pasi shkodrani që luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (me DC Junatid) nuk ka mundur të vijë në tri ndeshjet e mëparshme të kuqezinjve. Lojtarët do të grumbullohen ditën e hënë në një nga hotelet e kryeqytetit, ndërkohë që vetë De Biazi ka planifikuar një konferencë për shtyp, po atë ditë (10:30), në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Pak ditë më parë, Shqipëria ngjiti një vend në ranglistën e FIFA-s, për muajin gusht 2012, duke u pozicionuar tani në vendin e 74-të nga 208 kombe që aderojnë në qeverinë botërore të futbollit, teksa në qershor renditeshim në vendin e 75-të. (Në maj ishim të në vendine 79-të). Moldavia, kundërshtarja e Shqipërisë, në miqësoren e 15 gushtit (në “Qemal Stafa”), është 58 vende pas nesh, e 137-ta (213 pikë) duke ngjitur një vend, por kjo nuk dot të thotë aspak se takimi do të jetë i lehtë për vendin tonë. ( Qipro, kundërshtari i parë në eliminatoret e Botërorit 2010, klasifikohet në vendin e 123-të, me 266 pikë).

 

 

Ndeshja me drita por me burim alternativ

Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për Shqipërinë miqësorja me Moldavinë mbrëmjen e së mërkurës. Ky takim do të jetë testi i fundit për rreth 34 lojtarë që ka parë e stërvitur trajneri De Biazi, për të seleksionuar edhe grupin që do të përbëjë përfaqësuesen tonë për eliminatoret e Botërorit 2014.

Ndeshja miqësore me Moldavinë, përfundimisht do të zgjidhet vetëm me gjenerator. Federata ka vendosur të mos ndryshojë orarin, as për kundërshtarët dhe as për FIFA-n, duke i qëndruar vendimit të parë, por në mungesë të bashkëpunimit me CEZ-in, çështja e energjisë i është besuar gjeneratorëve. Të mërkurën në “Qemal Stafa”, ora 20:30, Shqipëri-Moldavi, testi i parë i trajneri De Biazi, përballë publikut shqiptar.

 

 

Kuqezinjtë stërvitja e fundit me dyer të mbyllura

Xhani De Biazi ka vendosur që të zhvillojë stërvitjen e fundit ta bëjë pa praninë e mediave. Me dyer të mbyllura trajneri ka zhvilluar një stërvitje të fundit para ndeshjes me Moldavinë. Trajneri ka dashur që të mos zbulojë skuadrën e cila do të zbresë sot në fushën e lojës. Stërvitjen e djeshme e ka ndjekur edhe presidenti i FSHF-së Armando Duka. Ndërkaq sot skuadra e De Biazit do të jetë në fushën e lojës për ndeshjen e parë në tokën shqiptare këtë 2012-të.

 

 

 

Cana: Do të të fitojmë çdo ndeshje në Shqipëri

 

Lorik Cana, kapiteni i Shqipërisë beson se grupi i ri i lojtarëve ka elementë shumë të mirë. Lojtari i Lacios që është edhe futbollisti më i rëndësishëm i skuadrës shprehet se çdo ndeshje ka historinë e vet. “Çdo ndeshje ka rëndësinë e saj dhe çdo ndeshje është e rëndësishme. Koha në dispozicion është shumë e shkurtër dhe duke pasur parasysh që pas kësaj ndeshje trajneri duhet t’i ketë gjërat sa më të qarta për të ditur se si do të luajmë në fazën kualifikuese”, deklaroi kapiteni i përfaqësues, Lorik Cana.

-   Një ndeshje e rëndësishme me Moldavinë?

-   Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, por duke pasur parasysh që kemi vetëm këtë për të përgatitur ndeshjen zyrtare pas tri javësh, ne së pari duhet të jemi të kënaqur dhe të lumtur që kemi kthyer pas 3 muajsh me përfaqësuesen, Hamdiun dhe më shumë se tre muaj. Kemi ardhur me një qëllim që të jemi me një dëshirë të madh e dhe me një përqendrim të madh për t’u përgatitur. Koha e shkurtër dhe në këtë ndeshje trajneri duhet t’i ketë gjërat më të qarta për të ditur se çfarë duhet të bëjë në këtë ndeshje eliminatore.

-   Moldavia ekip më i fortë se Shqipëria?

-   Vlerësojmë respektin e trajnerit kundërshtar. E kemi parë dhe e njohim kundërshtarin. Në nivelin e Anglisë, mbase bëhemi, por nuk jemi. Shqipëria ka kualitete është një skuadër që ec përpara do jetë një ndeshje e fortë dhe interesante. Ne jemi fokusuar më shumë në punën që na pret ne dhe jemi përqendruar te kundërshtari, jo emër i madh, por kualitetet dhe lojtarë me talent.

-   Lala ka thënë që duhet të përmirësohemi në mbrojtje?

-   Çdo gjë që thuhet, sidomos kur thuhet nga Altini, duhet dëgjuar dhe vlerësuar. Ai e njeh mirë kombëtar dhe e di se çfarë i duhet kësaj kombëtareje sidomos kur vjen nga Altini që ka peshë në kombëtare. Ne duhet të përmirësohemi në çdo repart, por difensivi më i forti sepse duke e nisur nga loja mbrojtëse dhe duhet të jetë një pikë e fortë. Skuadrat më të forta në botë, ato që pretendojmë se janë më të mirat në sulm, gjithçka e nisin nga mbrojtja. Kemi lojtarë që në aspektin ofensive mund të bëjnë diferencë dhe mund të përmirësohemi edhe më. Po mundohemi që të ecin përpara si skuadër në çdo repart.

-   Objektivi këto eliminatore?

-   Duke pasur parasysh që jemi në vazon e katërt, tregon që jemi të katërtit si favoritë dhe qëllimi është që minimalisht të mos shkojmë më poshtë, por më lart. Ka skuadra me nivel dhe rezultat më të lartë se Shqipëria dhe mendoj për Norvegjinë e Zvicrën, por nuk ka skuadra që janë shumë favorite si Franca. Cdo skuadër do të jetë shumë e fortë, kemi kapur skuadrat më të forta të vazos 5-6 dhe kjo e bën grupin shumë të fortë. Pretendent kryesor është Zvicra, do të luajmë shansin tonë të deri në fund dhe për  të herë të parë do të kërkojmë të fitojmë çdo ndeshje në Shqipëri dhe do  të kërkojmë të marrim pikë jashtë. Nuk është më i lehti ky edicion, por shumë interesant.

-   I sakrifikuar për mbrojtjen

-   I sakrifikuar është një lojtar që nuk dëshirë dhe e detyrojnë. Te ekipi kombëtar nuk ka sakrificë, ka detyrë dhe kënaqësi. Është një detyrë që e kam kryer dhe realizuar shumë herë më parë edhe me Olimpikun dhe Gallatasarajin. Te Lacio jam aktivizuar në mesfushë, por trajneri në prespektivë mund të më tërheqë dhe në mbrojtje. Të jesh polivalent nuk të bën negative, për mua ka qenë një plus. Te ekipi kombëtar jam më i nevojshëm në mbrojtje.

-   Skuadra është në rinovim. Duket qartë shumë të rinj?

-   Sigurisht që ajo është e domosdoshme, rinovimi. Duke mos përsëritur ca kemi thënë në të kaluar sepse ata që kanë ikur kanë dhënë jashtëzakonisht shumë, por është e domosdoshme dhe kur sheh lojtarë të rinj që vijnë me cilësi dhe dëshirë të madhe me krenari dhe secili duhet të ketë edhe fatin që të ecë në klub dhe të sjellë kualitete dhe përvojën për të ngritur cilësinë dhe nivelin e kombëtares më lart. Në këto gati 10 vite me kombëtare po shoh disa gjenerata të mira, grupi i ri, ambient i pastër.

 

 

Hamdi Salihi është gati për t’i treguar Xhani De Biazit sesa vlen. Ai është rikthyer pas një mungese prej 5 muajsh në kombëtare por i “uritur” për gola

Salihi: Tani jemi ndryshe

Hamdi Salihi është gati për t’i treguar Xhani De Biazit sesa vlen. Ai është rikthyer pas një mungese prej 5 muajsh. Sulmuesi  shkodran që aktualisht po kalon një forme të mirë tek skuadra e D.C United në Amerikë tani është gati për. Kjo është hera e tij e parë që do të vendoset në dispozicion të De Biazit. Nga seanca e parë stërvitore, Salihi ka kuptuar se ndryshe nga trajnerët paraardhës që ai ka pasur në përfaqësuese, italiani nuk mjaftohet vetëm me kurajën. “Është normale që kur vjen një trajner i ri, të gjithë pyesin dhe presin të shohin se çfarë do të ndryshojë. Është diçka e re dhe secili ka atë stilin e tij. Trajneri është italian, i përqendruar më shumë tek taktika se sa tek zemra në fushë siç e kemi pasur më parë. Më parë jemi përqendruar vetëm tek vënia e zemrës në fushë, por nuk arrihet gjithçka pa taktikë. Është gjithmonë mirë te kthehesh në kombëtare e njëjta kënaqësi e mrekullueshme. Mos t’i ndajmë rolet me persona, por si ekip fazë mbrojtje sulmuese. Nëse do  të jemi të suksesshëm dhe do t’i kryejmë detyrat do të kemi më shumë suksese. Ndoshta te kombëtarja mungon ai kualiteti i lartë i së shkuarës por ka një energji shumë të madhe nga djemtë e rinj. Konkurrenca ka qenë gjithnjë dhe nuk është se kemi pasur ndonjëherë komodidete. Ka pasur gjithnjë mungesa sulmuesish, ka pasur gjithnjë lojtarë të shkëlqyer dhe kërkonin të lënin emrin e tyre në kombëtare. Do të ketë konkurrencë sepse janë lojtarë të zgjedhur mirë. Në Amerikë për të huajt për të shfrytëzuar një ofertë të mirë një eksperiencë të re gjithçka shkon “ok” pavarësisht anëve të tjera jashtë sportit distanca dhe largësia, por është siç e kisha imagjinuar”,-është shprehur Hamdi Salihi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>