Gideon Rachman
Në Francën rurale, të dielën në mbrëmje, presidenti i sapozgejdhur francez hipi në skenë dhe deklaroi se do të udhëheqë betejën në Evropë kundër masave të kursimit. Në anën tjetër të kontinentit, votuesit grekë po i përgjigjeshin bllofit të tij. Duke mbështetur kryesisht parti që, ose duan të hedhin poshtë, ose të rinegociojnë marrëveshjen e shpëtimit të Greqisë, ata i kanë vënë përpara një dilemë të dhimbshme z. Hollande. A do të qëndrojë ai në krah të popullit grek kundër masave të kursimit? Apo do të qëndrojë në krah të qeverisë gjermane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, në këmbënguljen që paketa e shpëtimit për Greqinë nuk mund të rinegociohet. Zgjedhja që do të bëjë Hollande do të jetë fatale, për Francën dhe Evropën. Mund të ndodhë që presidenti i ri i Francës të vendoset në krye të rebelëve jugorë të Evropës. Nuk ka dyshim që qeveritë spanjolle dhe italiane – edhe pse nga familje të ndryshme politike – kanë përshëndetur presidentin socialist. Ata, ashtu si grekët, kërkojnë të shohin një sfidues ndaj ortodoksisë kursyese të gjermanëve. Megjithatë, çdo përpjekje franceze për të izoluar Gjermaninë brenda BE do të jetë një ndryshim historik në politikën e jashtme franceze të pasluftës – gjë që është ndërtuar përreth idesë se “çifti franko-gjerman” duhet ta drejtojë bashkë Evropën. Aleanca e Francës me jugun evropian do të dëmtonte edhe imazhin e vetë Francës, si një prej ekonomive më të fuqishme në Evropë. Perceptimi i Francës në tregjet financiare gjithashtu mund të përkeqësohej. Më e dëmshme nga të gjitha, një çarje e hapur mes Francës dhe Gjermanisë do të shkaktonte probleme mbarëevropiane, duke hapur kështu një të çarë sizmike në themelet e BE dhe monedhës së saj të përbashkët. Si rezultat, shumica e analistëve pranojnë se Hollande do të pranojë disa xheste nga Berlini, që do e lejojnë të thotë se ka ndryshuar drejtimin e debatit të BE në favor të “rritjes ekonomike”. Që përpara se të zgjidhej, ekspertët në Berlin dhe Paris po përgatisnin konturet e një marrëveshjeje. Një marrëveshje e supozuar Hollande-Merkel do të shkonte pak a shumë kështu. Hollande, siç e ka lënë të kuptohet tashmë, do të modifikonte kërkesën e tij për të rinegociuar paktin fiskal të BE – marrëveshje që e bën ligjërisht të detyrueshëm balancimin e buxheteve. Ndërsa Gjermania do të binte dakord për një pakt të ri të rritjes ekonomike, me fjalë jo shumë të qarta, që mund të shkonte përkrah paktit fiskal. Në po të njëjtën frymë, ajo do të refuzonte kërkesën e Holland për Eurobonot. Por me shumë gjasa do të binte dakord për “bono projektesh” të mbështetura nga BE, për të financuar projekte infrastrukturorë. Një rritje e huadhënies nga Banka Evropiane e Investimeve gjithashtu do të miratohej. Ky do të ishte një trillim tipik franko-gjerman në BE që do të lejonte të gjithë pjesëmarrësit të tërhiqeshin me dern – duke e lënë botën e jashtme kryesisht të paprekur dhe pakëz të hutuar. Shpërthimi i ri i vullkanit politik grek, megjithatë, e ndërlikon shumë këtë panoramë. Problemi grek është tashmë kaq akut, saqë nuk mund të “ndreqet” me disa klauzola të formuluara me mençuri, që do i shtoheshin një marrëveshjeje të BE. Ai kërkon vendime reale, të fortë dhe të rrezikshëm. Më specifikisht, a do të vazhdojë Greqia me shkurtime të reja disa miliardë euro në buxhet, brenda disa muajve, siç thuhet në marrëveshjen e fundit të shpëtimit? Nëse Greqia refuzon ta bëjë këtë, atëherë FMN e ka bërë të qartë se nuk do të autorizojë lëshimin e transhit të radhës të ndihmës për Greqinë. Kjo, në këmbim, do të thotë që qeverisë greke thjeshtë do i mbaronin paratë. Pas kësaj, shkurtimet e dhimbshëm të pensioneve dhe pagave do të zëvendësoheshin nga diçka shumë më kaotike dhe e rrezikshme. Dalja e detyruar e Greqisë nga euro do të afrohej shumë. Shifrat e pazakonta që dolën nga zgjedhjet në Greqi tregojnë se shumë shpejt mund të ndodhemi përballë kësaj zgjedhjeje të zymtë. Dy partitë kryesore që janë pro paketës së shpëtimit, Demokracia e Re dhe PASOK siguruan vetëm një të tretën e votave. Ato do të luftojnë për të kirjuar një qeveri koalicioni – dhe Greqia shumë shpejt mund të përballet me zgjedhje të tjera. Veç kësaj, edhe Antonis Samaras, udhëheqësi i Demokracisë së Re që vazhdon të jetë ende kandidati me më shumë shanse për kryeministër, do të argumentonte për ndryshime në marrëveshjen me Greqinë. Samaras e di faktin që të dy partitë centriste janë të asociuara tashmë me një paketë kursimesh shumë jopopullore, e imponuar nga të huajt. Kjo është e rrezikshme, sepse i bën nacionalistët dhe ekstremistët e majtë të vetmit që përfitojnë politikisht. Më veçanërisht, Samaras mendon se bizneset greke kanë nevojë dëshpërimisht për taksa më të ulëta. Por ai nuk ka marrë inkurajim në këtë argument nga Angela Merkel – me të cilën ka një marrëdhënie shumë të vështirë. Nëse ia arrin të bëhet kryeministër, Samaras do të pozicionohej si një rebel i arsyeshëm, që do të argumentonte kundër politikave të kursimit kundërproduktive që imponon Gjermania. Kjo e bën të tingëllojë si një aleat natyror të z. Hollande. Në realitet, i përballur me një zgjedhje mes mbështetjes së Greqisë dhe mbështetjes së Gjermanisë, është pothuajse e sigurtë se francezët do të shkojnë me gjermanët. Megjithatë, një zgjedhje e tillë do ta ekspozonte si boshe retorikën e Hollande kundër masave të kursimit. Disa xheste si “bonot e projekteve” do të ishin hiçgjë, krahasuar me pamjen e Francës që qëndron në krah të gjermanisë dhe FMN tek i imponojnë shkurtime të mëdha Greqisë, ndërkohë që ekonomia e vendit tkurret dhe papunësia rritet shumë. Kombinimi i kaosit politik në Greqi dhe FMN jofleksibël sugjeron që Greqia do të hyjë në një krizë tjetër këtë verë. Në këtë pikë, BE do të përballet me një zgjedhje historike. A do të ndërhyjë me më shumë ndihmë për Greqinë, edhe në një kohë kur FMN tërhiqet? Apo do të refuzojë të ndihmojë Greqinë – duke pranuar kështu të gjithë risqet politikë dhe ekonomikë që vijnë bashkë me një zgjedhje të tillë? Përballë një krize të tillë, retorika e paqartë e Hollande për shpëtimin e Evropës nga kursimi i tepruar do të ishte krejt pa lidhje.