Rivlerësimi i banesave, Qirjako: Nxitoni, nuk ka më kohë!
Qytetarët e interesuar për të bërë rivlerësimin e banesës me vlerën e tregut u ka mbetur më pak se një muaj e gjysmë kohë. Amnistia fiskale për pasuritë e paluajtshme përfundon më 31 gusht. Drejtori i përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Patundshme, Arben Qirjako, theksoi për “AS” rëndësinë që ka rivlerësimi i pronës dhe fton qytetarët të jenë pjesë e procesit. “Deri në fund të gushtit qeverisa shqiptare ka shtyrë afatin për rivlerësimin e banesave vetëm për qytetarët. Duhet t’u bëj thirrje atyre që të shfrytëzojnë rastin për të përfituar nga kjo amnisti dhe të mos kujtohen në ditët e fundit, siç ka ndodhur dhe herë të tjera. Në muajin mars të këtij viti vetëm në dy javët e fundit në zyrën e vendore të Tiranës aplikimet arritën në 700 mijë për rivlerësim të banesave”, – shpjegoi Qirjako. Pjesë e rivlerësimit janë banesat e ndërtuara para viteve ’90. Qytetarëve u jepet mundësia që prona e tyre të marrë vlerën e tregut aktual, duke paguar si taksë vetëm 1 për qind të vlerës së pronës pranë hipotekës. “Kjo lidhet me taksën e kalimit të pronësisë dhe rivlerësimi për një pasuri qytetari duhet ta dijë sa vlen sot. Vetëm në rastin e kalimit të pronësisë qytetari duhet të paguajë 10 për qind të diferencës midis çmimit që e ka blerë dhe çmimit që po e shet. Në rast se kjo rivlerësohet dhe rivlerësimi është 1 për qind e vlerës së objektit, në rast të kalimit të pronësisë, kjo taksë do të jetë zero”, – deklaroi Qirjako. Sipas të dhënave nga tregu i shitblerjeve të apartamenteve në Tiranës, mësohet se procesi i rivlerësimit ka nxitur njerëzit të shesin pasuritë e tyre të paluajtshme gjatë fundit të vitit 2011, duke bërë që ky sektor të ketë pasur 25 për qind më shumë shitje se në fund të vitit 2010. Agjencitë imobiliare kanë deklaruar se rreth 70 për qind e emigrantëve të ardhur për pushime kanë bërë rivlerësimin e banesave të tyre. Madje, agjentët theksojnë se emigrantët këtë vit erdhën më parë se vitet e shkuara në atdhe, pikërisht për të përfituar nga rivlerësimi i pasurive me 1 për qind të shumës së vlerës së banesës. Sipas statistikave zyrtare, deri në fund të marsit është futur në treg nga zbatimi i ligjit të faljes fiskale për zërin “rivlerësim pasurish të paluajtshme” një vlerë prej 171. 7 miliardë lekësh. Ligji për amnistinë fiskale, ku përfshihej edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme të qytetarëve, ishte në fuqi deri më 31 mars të këtij viti. Qeveria vendosi të shtyjë afatin vetëm për rivlerësimin e banesave deri më 31 gusht për t’u dhënë mundësi emigrantëve të bëhen pjesë e procesit.
Hipoteka
Procedura, si aplikohet për të bërë rivlerësimin
Personat e interesuar me një dokument identifikimi paraqiten pranë sporteleve në zyrat e hipotekës dhe të plotësojnë në dy kopje formularin e aplikimit, ta nënshkruajnë dhe ta dorëzojnë pranë punonjësit të zyrës së hipotekës. Ky punonjës verifikon saktësinë e informacionit në formular dhe llogarit masën e tatimit të rivlerësimit dhe, pasi nënshkruan formularin e aplikimit, një kopje të tij ia jep qytetarit. Pasi të ketë përfunduar këtë procedurë, i interesuari shkon në bankë dhe bën pagesën në shumën 1 % të rivlerësimit të pasurisë për të cilën ka aplikuar. Me mandatpagesën e tatimit riparaqitet te punonjësi i ZVRPP-së dhe depoziton kërkesën për shërbimin e lëshimit të kopjes së kartelës së pasurisë apo të vërtetimit të pronësisë së paluajtshme. Brenda 10 ditësh zyra e hipotekës dërgon me postë kopje të kartelës së pasurisë.