Ku gënjen Paskal Milo, replikë me pseudohistorianin e “nderuar”

Nga Mërgim Korça

Tek lexova intervistën e të nderuarit prof. Paskal Milo ndërmjet katër intelektualëve të intervistuar nga gazeta “SOT” lidhur me vlerësime figurash e personalitetesh të së kaluarës, nisur nga jo pak kundërshti rreth pohimeve të tij, më kaploi një mëdyshje e theksuar: të replikoja ndaj thënieve të profesorit apo më mirë të heshtja? Por, nga ana tjetër, mënyra e pahijshme se si profesori i nderuar (i cili dikur ka qenë jo vetëm anëtar qeverie, por dhe kryediplomat i vendit tonë) i drejtohet personit të Kryeministrit duke nëpërkëmbur jo vetëm normat më fillestare të mirësjelljes qytetare, pale të etikës diplomatike, fushë në të cilën profesori është specialist, kristalizoi dhe plotësoi në sytë e mi nivelin e qytetarisë së këtij të katapultuari në majat më të larta të shkencës, kulturës, politikës si dhe të drejtimit të vendit tonë. Pse e theksoj se kësisoj u kristalizua dhe u plotësua para syve të mi figura e profesorit në fjalë? Sepse, pa dashur aspak t’i numëroja zotit Milo atë demonstratë të madhe në Tiranë të të dënuarve dhe të të vuajturve nga diktatura për t’iu kundërvënë vendimit që mori si dhe zbatoi ish-ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme Paskal Milo, që vendosi në sallën e hyrjes së Ministrisë Punëve të Jashtme fotografitë e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, që në krye të shkëlqente portreti i diktatorit Enver Hoxha! As nuk kisha ndër mend të merresha me tubimin me rastin e përkujtimit të Konferencës së Pezës, ku zoti P. Milo doli me tezat e tij himnizuese, që gjithsecili i di rreth figurës së diktatorit. Shtoj këtu se nuk kisha ndër mend të merresha as me enigmën kur si deus ex machina zoti Milo nxori letrën dorëshkrim të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, që kurrë nuk u mor vesh në ishte fotokopje, sepse origjinali i saj, me sa jam unë në dijeni, nuk gjendet në dokumente arkivore. Po të qe origjinali, a ka se si profesori i nderuar e ka përvetësuar nga materiale arkivi?

Pra, nisur nga qëndrimi i tij gjatë intervistës në fjalë, dhe unë prirem t’ia vë në dukje pa as më të voglin mllef, sepse gjithsecili bën të tijën, kundërshtitë e mia sa u takon pohimeve të profesor Paskal Milos, të cilat fillojnë që në krye të intervistës te pohon se “pa llogaritur këtu Ahmet Zogun, i cili përveç akuzës për vrasjet e Bajram Currit, Avni Rustemit etj. ka shitur te jugosllavët edhe Shën-Naumin. Dhe pa llogaritur faktin tjetër se ai bëri pakt me jugosllavët për kalimin e Shqipërisë brenda shtetit jugosllav…” Me sa më rezulton mua, nuk ekziston asnjë pakt as me Serbinë e as me nëntë njësitë jugosllave të Karagjeorgjeviçit për ta inkuadruar Shqipërinë e asaj kohe brenda saj. Aq më tepër që, me aq sa di unë, nuk ka ekzistuar asohere akoma një shtet i quajtur mirëfilli “Jugosllavi”. Konfederata e Jugosllavisë është shpallur zyrtarisht me atributet e një shteti jugosllav më 29 nëntor 1945 (sërish me aq sa di unë). Gabim shprehjeje e zotit historian? Mundet. Mbase ai, duke e pasur disi të mbingarkuar kujtesën historike, pa asnjë prapamendim të keq të na i pështjellojë mendjet tona, që e ndjekim profesorin e nderuar me shumë vëmendje të mësojmë prej tij në këtë lëmë, i ka ngatërruar emrat e dy drejtuesve të vendit tonë dhe mënyrën se si u shpreh Enver Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë më 15 dhjetor të vitit 1947, ku tha shprehimisht: “Duhet të fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin de facto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur e aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…” Siç duket, gabimisht dhe pa asnjë keqdashje profesori i nderuar ia ka veshur sikur e ka thënë Ahmet Zogu. Gabime që ngjasin.

Në vazhdim jam i detyruar t’i paraqis lexuesit shprehimisht pyetjen drejtuar zotit P. Milo nga intervistuesi: “Berisha thotë se Abaz Kupi nuk ka bashkëpunuar as me gjermanët, as me komunistët. Ju si mendoni?” Përgjigjja e zotit P. Milo ishte e prerë, kategorike: “Abaz Kupi është një tradhtar tipik, që ka bashkëpunuar me okupatorin.”

Tashti kemi ardhur në një pikë ku nuk mundem të vazhdoj më gjatë pa i kujtuar profesor P. Milos një kriter shkencor themelor historik, i cili gjatë analizave të tilla nuk ka sesi të shmanget: për çdo ngjarje koordinatat hapësinore si dhe ato kohore janë të lidhura mes tyre, së pari, në vartësi të zhvendosjes së vrojtuesit dhe në vazhdim; së dyti, gjykimet e dhëna nga vrojtuesi janë në vartësi të vetë pozicionimit as hapësinor dhe as kohor, por interesave të vetë vrojtuesit.

Ku qëndrojnë. pra, sipas meje, dy gabimet themelore të profesorit të nderuar P. Milo në pohimet që ai bën nisur thjesht nga interesat e tij? Fillimisht nisemi nga vetë deklarata e bërë prej tij kohë më parë se “unë jam historian dhe politikan”. Ky pohim i tij është dukshëm pështjellues, hutues. Ai me pozicionimet e tij gjatë periudhës së diktaturës komuniste nuk ishte gjë tjetër veçse zëdhënës i egër i frymës së PPSH-së, qëndrim të cilin ai, fillimisht të maskuar e me ndrojtje e dora-dorës duke e zbuluar sa vjen e më dukshëm, nuk e ka ndryshuar as sot e kësaj dite. Më falni! Do të shtoja se diçka ka ndryshuar pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste te profesori ynë i nderuar: ka ndryshuar forma e të përshtaturit me mjedisin. Kjo po, pa as më të voglin dyshim. Doemos pas këtij pohimi natyrshëm lind pyetja: në se konsiston ky kamuflazh i tij? Fillimisht ai u tërhoq zvarrë dhe u integrua me të ashtuquajturën “Partia Socialdemokrate”. Pse e quaj kamuflazh? Sepse në esencë po ai person, po me bindjet e tij politike pro sistemit komunist erdhi dhe u strehua në partinë emri i së cilës kishte një të kaluar bindshëm demokratike. Si gjeti çerdhe zoti Paskal Milo në të? Sepse në krye të saj ishte vënë një komunist fanatik dhe ministër qeverie gjatë diktaturës komuniste: shoku Skënder Gjinushi. E në vijim si vazhdon dhe e thellon përshtatjen ndaj mjedisit profesor P. Miloja? I largohet komunistit tashmë të kthyer në socialdemokrat dhe krijon partinë e tij të re, që e pagëzon “Demokracia Sociale”! Ka më gjë për t’i shtuar këtij plani të parë? Po, ka. Do të doja që lexuesi i këtyre radhëve ta shikonte sfondin e përflakur të kësaj ballíne skene të shfytyruar, ta mësonte dhe ta shikonte se ku përfunduan themeluesit në vitin 1943 të Partisë Socialdemokrate Shqiptare: letrarja e talentuar si dhe atdhetarja Musine Kokalari, juristi e atdhetari Skënder Muça. Pa e zgjatur fare, Skënder Muçon e kapën dhe e pushkatuan forcat gjermane. Po me Musine Kokalarin ç’ngjau? Fillimisht pushteti komunist më 12 nëntor 1944 i pushkatoi pa gjyq dy vëllezërit: Mumtazin dhe Vesimin. Pastaj e arrestuan vetë Musinenë, e cila pas 16 vjetësh burg dhe 22 vjetësh internim, duke punuar punëtore krahu në bujqësi dhe në ndërtim, i mbylli vitet e punës si fshesare rrugësh në Rrëshen! E në prag të cakut fundor të jetës së saj, që ia shkurtoi sëmundja e kancerit, ajo qe shprehur me ngashërime: “Kam 38 vjet që nuk e di se çdo do të thotë FAMILJE!”

Në vazhdim e shikoj me shumë keqardhje se si kujtesa historike zotit Paskal Milo i bëka shumë lojëra, duke mos dashur ta pranojë në asnjë mënyrë se anashkalimet e fakteve ai i bën qëllimisht. Por nuk mundem të mos i kujtoj profesorit të nderuar faktin se dikur në traktet e emërtuara gjatë luftës, “Zëri i popullit”, Enver Hoxha shprehej se “mbështetur në luftën prej luani që po bën Bazi i Canës, askush nuk mund ta nënshtrojë Shqipërinë…” Në vazhdim a nuk qe Abaz Kupi që në Konferencën e Pezës, më 16 shtator 1942, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar? (Sa për një kujtesë, shtatë ishin të zgjedhurit në KPNÇl, prej të cilëve vetëm Enver Hoxha dhe Myslym Peza mbetën “heronj”, kurse pesë të tjerët u emërtuan nga E. Hoxha në vazhdim si tradhtarë”) E kjo gjendje u kristalizua qartë pas Mbledhjes së Mukjes, të zhvilluar nga 1 deri më 3 gusht 1943, ku u ravijëzua qartë vija ndarëse mes nacionalistëve si edhe internacionalistëve. Që nga ajo periudhë Abaz Kupit jo që filloi t’i mohohej lufta e bërë, por komunistët e shpallën edhe armik. Doemos, i gjendur para këtyre ballafaqimeve me fakte historike, nga njëra anë, dhe pohimeve të çuditshme të profesor Milos, nga ana tjetër, i cili vazhdon dhe thotë: “Berisha me këtë që thotë po më bind përfundimisht se nuk e njeh fare historinë. Ai duhet të lexojë dokumentet e kohës, sidomos materialet e arkivave britanike, ku aleatët tanë anglezë dëshmojnë bashkëpunimin kriminal të Abaz Kupit me pushtuesit gjermanë. Në qoftë se Berisha nuk i ka këto dokumente, ose në qoftë se ai nuk i gjen dot, këto dokumente ia jap unë.” Pa u nisur fare as nga etika e të shprehurit, pale nga konsiderata personale, por thjesht nga e vërteta historike, nuk kam sesi të mos ndërhyj dhe të saktësoj se tashti “shoku Paskal” mund dhe duhet t’i bëjë publike ato dokumente që disponuaka, por duhet ta ketë mirë parasysh faktin se secilido njohës i historisë së kaluar dhe me logjikë të ruajtur, duke bërë krahasimet përkatëse di të arrijë në përfundimin se oficerët anglezë në pozicionimin e tyre që nga fillimi i asaj që u quajt “Lufta Nacionalçlirimtare” për asnjë çast nuk janë nisur nga interesat kombëtare shqiptare, por vazhdimisht kanë parë, gjykuar dhe vepruar vetëm sipas interesave të Britanisë Madhe.

Për ta ndriçuar këtë fakt (lidhur me dokumentet e kohës që pretendon zoti P. Milo), pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, 21 dhjetor 1912–23 mars 1913, periudha më kuptimzezë    e asaj konference për shqiptarët qe ajo që u dha sllavëve troje të banuara vetëm nga shqipfolës. E sa për ta nënvizuar këtë skandal ta mësojë lexuesi se vetëm Serbia mori 20 000 km2 troje shqiptare, kur e gjithë Shqipëria sot numëron 28 748 km2! Ministri i Jashtëm i Anglisë, Sir Eduard Grej, pohonte: “Objektivi kryesor i konferencës, ruajtja e marrëveshjes dhe mirëkuptimit mes fuqive të mëdha, u arrit …” Ndërsa historia provoi se ajo, me gjithë nëpërkëmbjen që u bëri interesave shqiptare, nuk ia arriti fare baraspeshës që gjoja kish si pikësynim. Ç’e provon këtë pohim timin? Vetë shpërthimi i Luftës I Botërore. Me këtë rast nuk kam sesi të mos i kujtoj lexuesit se do të kishte qenë shumë mirë për historianët tanë t’i kishin mirë parasysh se si e kaluara historike ka lidhje thelbësore të brendshme me të tashmen. Mjafton të kujtojmë se jo vetëm pas Luftës I Botërore, por edhe pas Luftës së Dytë problem nga më kryesorët vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite stabiliteti në Ballkan.

Në vazhdim të ndjekjes së fillit të arsyetimeve të historianit tonë Paskal Milo, i cili, kur pyetet nga intervistuesi: “Çfarë shkruhet aty?” (lidhur me ç’kanë shkruar oficerët britanikë), përgjigjet shprehimisht: “Çfarë nuk shkruhet thuaj, më mirë! Të gjitha të zezat e Abaz Kupit janë shkruar mbi të bardhë. Dhe këto i shkruajnë vetë oficerët britanikë që qëndruan në shtabin e Abaz Kupit. Bashkëpunimi kriminal i Abaz Kupit me pushtuesit është kaq i thellë, saqë britanikët nuk kishin çfarë t’i bënin më për ta larguar nga kjo rrugë e tradhtisë.”

Dhe ne, kureshtarë ta mësojmë të vërtetën e mirëfilltë, ja se ç’gjejmë në librin The Great Betrayal (“Tradhtia e madhe”), me autor Nicholas Bethel [anëtar i Dhomës së Lordëve nga viti 1967 deri më 1999 si dhe anëtar i Parlamentit Europian nga viti 1979 deri më 994 si edhe nga 1999-2003 edhe specialist i politikave të ndjekura në Europën Qendrore si dhe Lindore], në faqen 13 shprehet: “Shqipëria iu la italianëve, por në vitin 1941 vihet ré fillimi i një lëvizjeje rezistence, ku Abaz Kupi, një luftëtar i shquar dhe mbështetësi më i fuqishëm i mbretit Zog, filloi rekrutim forcash për restaurimin e monarkisë.” Po aty, në faqen 21 thuhet shprehimisht: “Shtabi i Përgjithshëm i SOE-së(1) qé informuar sërishmi rreth akteve jomiqësore të E. Hoxhës, por ata vazhdonin ta mbështetnin.” Kjo është dhe pika kyçe, që akoma vazhdon dhe e mban të ndezur shkëmbimin e replikave ndërmjet oficerëve britanikë që morën pjesë në luftë në Shqipëri… Pse Shtabi i Përgjithshëm i SOE-së nuk e pranoi mbështetjen e aleatëve të natyrshëm të Britanisë së Madhe, por mbështeti lëvizjen komuniste? A nuk do të kishte qenë ndryshe, në qoftë se ata do të kishin furnizuar legalistët dhe ballistët? A do ta kishte ndryshuar ky fakt rezultatin e luftës civile në Shqipëri? McLean, Smiley si dhe Amery kanë besim të plotë pozitiv në këtë drejtim dhe janë të bindur se Britania bëri një gabim duke mos e kuptuar që në krye se si vetë komunizmi kishte për të qenë në një të ardhme kundërshtari për t’u përballuar me të. Kurse Hiberti, Davidsoni si edhe Uatrousi besuan në të kundërtën dhe (sipas tyre – shënim M.K.), McLean, Smiley dhe Amery po luftonin kundër armikut të gabuar. Emery i përshkruan këto ngjarje shumë gjallërisht në librin e tij Sons of the Eagle (“Bijtë e Shqipes”), se Abas Kupi kërkonte ndihma të hedhura me parashuta, në një kohë që në gusht të 1944-s nacionalistët kishin filluar të vepronin ashpër në Verí. Këtë gjë Amery edhe McLean ia kishin raportuar Shtabit Qendror të SOE-së, i cili kishte lëvizur nga Kajroja në Bari, porse ndihmat britanike nuk po dukeshin në horizont… Njerëzit në Bari e kishin ndarë mendjen se me vlerë ishte furnizimi i partizanëve. Me një ndërhyrje sado të vogël britanike ose amerikane ne mund ta kishim shpëtuar Shqipërinë në gjirin e Perëndimit.” Nuk mund të lihet pa përmendur edhe fakti që në faqen 41 autori Nicholas Bethel vë në dukje se si McLean si edhe Emery pas lufte i mbanin lidhjet e tyre me ish-shokët e armëve shqiptarë Abaz Kupin me shokë: “Ne u detyrohemi këtyre njerëzve si në shkallë kombëtare, ashtu dhe personale. Ata kanë shpëtuar jetë britanikësh si dhe amerikanësh. Po të mos kishte qenë ana politike e problemit, atyre do t’u jepeshin dekorata britanike. Ata pa dyshim që i meritonin ato. Ja, pra, këto të vërtetat e palës britanike të dokumentuara, që e përforcojnë tezën se si ata në plan të parë edhe pas lufte kishin interesat e tyre.

E lëmë tashti gjithë këtë ballafaqim me realitetin e atëhershëm të dokumentuar dhe u rikthehemi pohimeve të zotit Milo, që thotë: “Më vonë britanikët, kur panë se rruga e kolaboracionizmit të Abaz Kupit me gjermanët nuk kishte kthim prapa, u detyruan t’i shkruajnë Londrës për të hequr bashkëpunimin me të në lidhje me çlirimin e Shqipërisë. Unë, por edhe shumë të tjerë, disponojmë letrat e aleatëve drejtuar Londrës, ku vazhdimisht i kërkohej e njëjta gjë: braktisja e Abaz Kupit nga aleatët. Dhe atje më në fund u diskutua përfundimisht se Abaz Kupi nuk ndreqej më. Prandaj erdhi urdhri i braktisjes së Abaz Kupit, meqenëse ai kishte shkuar shumë në thellësi me lidhjet ushtarake që bënte haptazi me oficerët gjermanë.

Meqë mendoj se nuk kam më se ç’të zgjatem me referenca për t’iu kundërvënë pohimeve të natyrës romaneve-historike që historiografë ish-komunistë, sot të shtirë si demokratë-socialë, na paraqesin, nuk kam se si të mos e ftoj lexuesin e interesuar të qëmtojë se si ata britanikë që kanë njohur dhe bashkëpunuar me Abaz Kupin e quajnë “hero shqiptar”, daç David Smailey, po ashtu Julian Emery te libri “Sons of the Eagle” dhe në vazhdim edhe Peter Kemp te “No colour or Crest”.

Ja edhe pyetja e fundit e intervistuesit drejtuar profesor Milos rreth Abaz Kupit si dhe përgjigjja e tij lakonike:

“A është e vërtetë se komunistët e kanë dënuar me vdekje Abaz Kupin në listën e tyre?” Përgjigja e profesorit të nderuar Paskal Milo e shkurtër dhe kategorike: “Kanë kërkuar që të sillej në Shqipëri për të dalë para gjyqit për ato që kishte bërë.”

Zoti Milo i vlerëson gjyqet ku K. Xoxi me B. Spahiun fillimisht dënonin atdhetarët, intelektualët si dhe klerikët nga më të shquarit shqiptarë e pastaj dora- dorës ata vetë, kryetari si dhe prokurori i trupit gjykues, u dënuan si tradhtarë! Shumë konsekuent dhe logjik, zoti Milo. A nuk qenë po ato gjyqe që s’lanë Hero të Popullit pa dënuar? Në qoftë se nuk i di faktet, unë pa fare përtesë i ofroj zotit Milo dokumentacionin e gjyqeve të T.Sejkos, B. Ballukut, P. Dumes, A. Këllezit, K. Theodhosit etj., etj. e deri te vrasja apo vetëvrasja tamam enigmë e M.Shehut, e në vazhdim edhe gjyqet farsë të K.Hazbiut e Feçor Shehut. E pikërisht përpara kësaj drejtësie profesori i nderuar mëton të gjykohej edhe Abaz Kupi, për të cilin emisarët britanikë flasin disi shumë më ndryshe nga ç’mëton ta paraqesë historiografia komuniste. Apo jo?

Në vazhdim të intervistës i drejtohet edhe një pyetje tjetër profesor Milos: “Po për Muharrem Bajraktarin çfarë mendoni?”

Sa e matur, e drejtpeshuar, tamam një përgjigje prej historiani-politikan (siç e ka përcaktuar veten e tij zoti Paskal Milo), vjen edhe përgjigjja e profesorit të nderuar: “Për të ende nuk kam krijuar një optikë të saktë. Duhet të thellohem akoma në studime për të thënë diçka të saktë dhe precize. Përgjigjen për të do ta jap kur të vijë momenti, pas shfletimit të dokumenteve ekzistuese të kohës.”

Ngaqë Muharrem Bajraktari u largua nga atdheu i tij 67 vjet të shkuar dhe ndërroi jetë në vitin 1989, tashmë 23 vjet të shkuar (e sa për kureshti pikërisht ditën përkujtimore të vdekjes së Leninit, më 21 janar), patjetër që profesor Miloja ka sa të dojë kohë që jetën dhe veprën e Muharrem Bajraktarit ta mbulojë sadopak tisi i harresës së bashkëkohësve të tij e kësisoj historianët-politikanë i kanë pastaj të gjitha mundësitë të spekulojnë rreth të vërtetave, t’i fshehin e t’i shpërfytyrojnë ato sipas interesave të tyre. Kjo është arsyeja pse profesori ynë P. Milo do kohë t’i studiojë faktet. Mirëpo për rastin konkret, sido që ta vërtitin punën historianët, të cilët bashkëpunimet (kolaboracionet) tradhtare dhe në dëmin e Shqipërisë të Enver Hoxhës, fillimisht lidhur me interesa grupi e në vazhdim për interesa thjesht personale, duke i zhdukur një nga një të gjithë ata që e ngritën, e mbështetën dhe u flijuan verbërisht për të, nuk arrijnë t’i zhdukin faktet e dokumentuara, që kujtesa e bashkëkohësve ka arritur t’ua transmetojë pasardhësve e kjo trashëgimí verbale e lidhur edhe me dokumente autentikë të kohës, flasin si vijon lidhur me figurën e Muharrem Bajraktarit:

Ai kthehet në Shqipëri më 1940 dhe menjëherë vihet në udhëheqje të rezistencës antifashiste në zonën e Kukësit. Në vazhdim të luftës, në shtatorin e vitit 1943, Muharrem Bajraktari në krye të forcave kundëritaliane, çliron qytetin e Kukësit.

Më 10 gusht 1944, në kuadër të organizimit më të thelluar të luftës pa kompromis ndaj ushtrive gjermane, Muharrem Bajraktari organizoi me krerët e Lumës si dhe të Hasit atë që u quajt “Besëlidhja e Lumës”. Duke e parë se si po fuqizoheshin forcat kundërgjermane të udhëhequra nga Muharrem Bajraktari, Partia Komuniste u përpoq ta hidhte në krahun e saj, por ai i kuptoi qëllimet e tyre. Duke qenë se M. Bajraktari nuk pranoi të bashkohej me ta, një nga dëshmitë e politikës terroriste që bënte PKSH-ja në vazhdën e luftës civile të ndezur po prej saj, qé atentati që u bë kundër tij në Gostil të Kukësit (gjëra të cilat kategorikisht mundohet t’i fshehë profesori ynë i nderuar Paskal Milo). Mirëpo veç morísë së dëshmive të tjera është edhe ajo e Sejfulla Malëshovës në Plenumin II të Beratit (23-27 nëntor 1944), ku Enver Hoxha pranoi se metodat sektare të përdorura nga PKSH-ja të drejtuar prej tij e kishin kthyer partinë në një parti terroriste. Për këtë E. Hoxha kërkoi ndjesë publikisht para Plenumit.

Që profesori ynë i nderuar Paskal Milo ta ketë më të kollajtë dhe t’i sqarojë lehtësisht idétë e tij të mjegullta rreth figurës së Muharrem Bajraktarit, po e adresojmë te dy dokumente arkivi:

1. Fjala e Manush Myftiut në mbledhjen e Komitetit Qendror të PKSH në nëntorin e vitit 1944: “S’kemi pasur pikëpamje të qartë se si duhej të silleshim me Bajraktarët. Dinim vetëm që Bajraktarët ishin pjesë e reaksionit… Për Muharrem Bajraktarin, kur kemi dëgjuar se ky kishte filluar të luftonte gjermanët, ne u dëshpëruam, se ky element i pademaskuar dhe i pakomprometuar do të fitonte influencë dhe do të tërhiqte turmat me vete. […] Ky qëndrim i rrezikshëm na e forcoi bindjen për ta zhdukur. Zhdukja e tij ishte e domosdoshme. Ne menduam dhe për mënyrën si ta zhduknim. […] Populli e pa se ne e goditëm Muharrem Bajraktarin prapa krahëve, kur ai kishte ardhur të na jepte dorën…

Lidhur me qëndrimin e Muharrem Bajraktarit flet shquar edhe letra e dërguar nga ish-sekretari i parë politik i qarkut Abedin Shehu dërguar KQ, në të cilën shkruante: “Siç kemi referuar dhe herë të tjera, Muharrem Bajraktari është një njeri që, duke përfituar nga moskomprometimi direkt me okupatorin dhe reaksionin në kohë të mëparshme, ka influencë të konsiderueshme në Lumë si dhe në zonat e tjera të malësive të Veriut, bilé ka filluar të shtrijë ndikimin e tij edhe në Kosovë.”

Për ta mbyllur edhe me pyetjen drejtuar zotit Paskal Milo lidhur me figurën e Muharrem Bajraktarit (duke marrë parasysh edhe përgjigjen e tij), krejt natyrshëm më vjen ndër mend përfundimi i sinqertë: mundësitë janë dy: ose profesori ynë i nderuar ka dijeni për këto dy dokumenteve dhe ngaqë këto, në vend që ta diskreditojnë M. Bajraktarin, na e ngrenë në atë piedestal që i takon dhe që e përforcojnë pikërisht tezën se LNÇL u transformua nga PKSH në luftë civile, fakt që profesor Miloja mundohet ta kundërshtojë deri me ofeza personale duke i quajtur edhe të pandershëm ata që e mbështetin këtë tezë dhe i kundërvihen pikëpamjes aq të mbrojtur nga profesori ynë se nuk ka pasur luftë civile. Kurse mundësia e dytë (të cilën as nuk dua ta mendoj se është e mundur), historiani partiak nuk e di ekzistencën e këtyre dy dokumenteve, gjë që flet nga ana tjetër, se si personat e ideologjizuar si zoti P. Milo nuk mund të jenë historianë.

Vijmë edhe te pyetja e fundit drejtuar profesorit të nderuar Paskal Milo:    Po për Bahri Omarin?”

Edhe kësaj here zoti Milo, profesor i nderuar, por edhe i indoktrinuar, nuk shmanget dot nga vija e tij ideologjike edhe përgjigjet: Sa emra hedh Berisha në ditë, nuk do të rrimë që t’i analizojmë të gjithë…”

Profesor P. Miloja me përgjigjet e dhëna, e që i trajtuam më sipër, është më se i lexueshëm dhe i tejdukshëm si sa i takon frymës që mëton të përcjellë nga lart poshtë e duke u shprehur vazhdimisht ex catedra nëpër mediet televizive, që (asaj kategorie pseudohistorianësh ua hapin dyert pa kursim, tamam si përfaqësues të denjë të njeriut të ri socialist, krijesa të diktatorit Enver Hoxha), gjithashtu edhe lidhur me këmbënguljen e tij mbështetur në po atë ideologjí që e ka udhëhequr gjatë periudhës diktatoriale. Kështu që ai mundohet ta anashkalojë një personalitet si Bahri Omari pa e përfillur fare, sepse është i ndërgjegjshëm se kundërvënia ndaj tij nuk është se do të ishte aq e lehtë për profesorin e nderuar. Megjithatë, shkurt, fare shkurt, i rikujtojmë se Bahri Omari ka qenë zgjedhur anëtar i parlamentit të parë shqiptar. E doemos duhet t’ia rifreskojmë kujtesën historike e t’i rikujtojmë se si i vetmi kusht që të zgjidheshe mis i atij parlamenti, si letër kredenciale shërbente lufta dhe përpjekjet e bëra për të arritur pavarësisë shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, me shumë ndrojtje guxoj t’i vë në dukje profesor Paskal Milos së nderuar se Bahri Omari që nga viti 1915 e deri më1919 qe drejtor i gazetës “Dielli” të Bostonit. Në vazhdim, kur u kthye në Europë nga Shqipëria (mbasi e mori pushtetin Ahmet Zogu), ishte anëtar i Bashkimit Kombëtar. E gjatë këtyre pak ndalesave, gjatë këtij fluturimi simbolik për të treguar pozicionet që ka mbuluar Bahri Omari, nuk mund të mos e zëmë në gojë faktin se ai ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Shtetit si specialist në formulimet sa më të sakta të ligjeve. E do ta ndaloj vrapin rreth një pozicioni shumë delikat që ka mbuluar Bahri Omari duke pranuar portofolin e Ministrit të Punëve të Jashtme në qeverinë e kryesuar nga Rexhep Mitrovica. Dua t’i hedh dritë pikërisht atij pozicioni sepse në aq muaj sa Bahri Omari e mbuloi drejtimin e atij dikasteri (doemos i mirëkuptuar edhe nga kryeministri), ka pasur një shkëmbim këmbëngulës shkresash me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë derisa u arrit që të liroheshin nga burgjet e kampet e Gjermanisë shqiptarët që ishin deportuar atje. Për t’u nënvizuar është edhe e veçanta se kërkesat emërore për personat që kërkohej të liroheshin nuk bënin asnjë dallim në se subjekti kishte qenë arrestuar dhe internuar si nacionalist apo si komunist. Bahri Omari i jepte rëndësi faktit që personi në nevojë mbështetjeje ishte shqiptar. E kjo një meritë e madhe si e kryeministrit Rexhep Mitrovica e gjithashtu edhe e ministrit të Jashtëm Bahri Omari.

E për ta mbyllur edhe me personalitetin e patriotit Bahri Omari, që u gjykua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special, ku pretencën e bëri prokurori Bedri Spahiu dhe vendimin e dha trupi gjykues i kryesuar nga Koçi Xoxe, do t’i vë në dukje profesorit tonë të nderuar Paskal Milo shënimin në ditarin e tij, ku Bedri Spahiu, tashmë i çliruar nga vargonjtë ideologjikë, më 28 dhjetor 1969 ka shkruar shprehimisht: “Një çast po kujtoj vrasjen e Bahri Omarit. Ai para pushkatimit u thirri shokëve: ‘Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm.”

Gjatë kësaj hullíe nuk kam si    të mos vë në dukje faktin se si profesori ynë i nderuar Paskal Milo, po t’i ishte përgjigjur pyetjes së intervistuesit rreth Bahri Omarit, së pari duhej të përballohej me vazhdimin e nxirjes (sipas stilit komunist) të figurës së një atdhetari të shquar, por, nga ana tjetër, do të ballafaqohej edhe me problemin tjetër se si i kunati i Bahri Omarit, Enver Hoxha, e sakrifikoi burrin e së motrës si dhe mirëbërësin e tij, duke e lënë motrën vejushë si dhe nipat e tij jetimë. E kjo vetëm që ta merrnin vesh vartësit e tij e deri poshtë te populli i thjeshtë se me ç’tiran të pashpirt kishin të bënin! Mirë këto, po profesori ynë i nderuar duhej pastaj të ballafaqohej edhe me një problem tjetër, i cili në pamje të parë as që del në pah: si duhej ta përligjte ai këtë qëndrim kriminal të Enver Hoxhës, nga njëra anë, dhe në vazhdim ta himnizonte atë si udhëheqës të ndritur mbështetur në bëmat e tija, siç vazhdon e bën edhe sot?!

Ndonëse profesori i nderuar Paskal Milo me bindjet e tij komuniste nuk ka të ngjarë t’ua vërë veshin se ç’kanë thënë dhe si vepronin personalitete të përkushtuar fésë, pavarësisht se besimesh të ndryshme fetare, pale të vlerësojë thënie figurash vërtet madhore të kombit shqiptar. Megjithatë, unë do t’u drejtohem thënieve të tyre. Mos i përfilltë profesori ynë, le t’i mësojë lexuesi (ai që nuk i di), e t’i gjykojë si profesorin e gjithashtu ato personalitete që diktatura, dhe në emrin e saj zozi Milo, i përbalti dhe vazhdon t’i përbaltë.

 

Nënë Tereza lutej përditë: “O Zot, bën që atje ku ka gabime unë të sjell të vërtetën.”

 

 Edhe Baba Rexhebi lutej e thoshte: “Mua nuk më takon gjë tjetër veçse të mëshiroj edhe të fal, kurse shoqërisë i takon të gjykojë në bazë të së vërtetës e të vendosë vetëm duke u bazuar në drejtësí.”

 

Këto të vërteta si edhe drejtësí na i predikojnë Nënë Tereza si edhe baba Rexhebi e po për këto të vërteta si edhe drejtësí vuan edhe ndërgjegjja e kombit.

Ndërsa Mustafa Kruja, nënshkruesi i dokumentit të Pavarësisë si edhe ai që aq shumë sakrifikoi për Shqipërinë duke pranuar të bëhej kolaboracionist i prirë vetëm nga interesat e vendit, në kundërshtim flagrant me Enver Hoxhën, që u bë kolaboracionist herë me njërën palë e herë me tjetrën i prirur nga interesat e tij egoiste të sunduesit absolut e duke i nëpërkëmbur haptas interesat e vendit, Mustafa Kruja me librin e tij “Shkrime historike” (në citatin e kopertinës pasme të librit) shtron një platformë thellësisht shkencore lidhur me kriteret themelore që duhen respektuar nga shkencëtarët që i vënë vetes detyrën skajshëm të rëndë ta shkruajnë historinë. Ja se si shprehet ai: “Kush merr pêndën me shkruem historí, ai do të harrojë përkohsisht deri kombsín e vet, në qoftë se vêhet me shkruem historí për tê, njipërnjí sikur nji gjyqtár qi kishte me pasun për të gjykuem nji njerí të vetin. Këtu nuk flas për historinë edukative qi mësohet nëpër shkolla, por për historín’e kombit shkurt. Veçse as historisë edukative gënjeshtra nuk i lejohet kurrë, mund t’i lejohet vetëm heshtja për ndonji të vërtetë fort t’idhët qi mundet me lânë gjurmë negative n’edukatën patrijotike të nxânsit ende të papjekun për me kuptuem rolin e vërtetë të historisë, qi âsht me na mësuem se s’ka komb, sikur s’ka as individ, pa të meta, dhe me na rrëfyem me shêmbujt e mirë të saj rrugën se si me i qërtuem këto.”

Jo rastësisht po e mbyll replikën ndaj një interviste, ku mbizotëron fantazía keqdashëse e një njeriu, i cili me pretendimet e një historiani dhe shkencëtari të mirëfilltë, veç me mllef, mendjemadhësi, si dhe cektësí në lëmin që trajton, i jep konsideratat e tij, duke e ballafaquar këtë mendësí tipike komuniste me një mësim tamam shkencor se si ai që pseudohistorianët dhe lakénjtë e diktatorit si edhe ideologjisë mbrapshtë proletare e quajtën përgjatë 47 vjetve të diktaturës egër komuniste kolaboracionist, fashist dhe tradhtar të vendit! Mirëpo populli ka fjalën e urtë, e cila thotë: “E vërteta dhe e drejta vonojnë, por nuk humbasin. Vjen dita e dalin në shesh.”

Kësisoj lexuesi ka mundësinë të gjykojë se si Mustafa Kruja, njeri nga e gjithë plejada e atyre që luftuan dhe punuan ta ndërtonin Shqipërinë me përkushtim të madh atdhetár për të dhe të mirën e saj, i cili tërë jetën ia përkushtoi atdheut si dhe shkencave gjuhësore e historike, ku vetëm ndër rezultatet e parë ishte fakti se qé radhitur me nënshkruesit e Aktit të Pavarësísë Kombëtare, dhe vetëm me shtatë radhë ai vendos e përcakton kriteret mbi të cilat duhet të mbështetet shkrimi i historisë së një kombi. E pikërisht sepse këto kritere janë nëpërkëmbur gjatë 47 vjetve të diktaturës komuniste dhe në vazhdim, e kur sot, me sa duket, 21 vjet pas shkërmoqjes së komunizmit në Shqipëri, janë pjekur kushtet që këto kritere shkencore më në fund të zbatohen me themel dhe tekstet e historisë të paraqesin të vërtetat dhe vetëm të vërtetat historike duke i zëvendësuar përfundimisht ato të mbushurat me mashtrimet, shtrembërimet, shfytyrimet si edhe fantazítë e gënjeshtërta që për dhjetravjeçarë me radhë u shkruan dhe u publikuan nga ata që rrethanat e sollën të ishin pjesë e fituesve mbas Luftës II Botërore. Me pak fjalë, të shkruhet historia e vërtetë me fakte të plota dhe dokumente të kohës, e përfundimisht të zëvendësohen ata tekste historie ku vetëm botimi i fundit rekomandohej si zyrtari dhe i vërteti, sepse ishte konform masave të fundit partiake në kuadër të asaj lufte që bënte diktatori brendapërbrenda partisë së tij e me vrap historishkruesit servilë i formulonin tekstet sipas frymës së fituesit.

 

11 korrik 2012

1) SOE ishte një organizëm tepër sekret britanik gjatë Luftës II Botërore, krijuar më 22 korrik të vitit 1940 me detyrë të mblidhte të dhëna karakteri ushtarak, të organizonte dhe të udhëhiqte spiunazhin si dhe sabotazhin në Europën e okupuar kundër fuqive të Boshtit, si dhe të mbështeste lëvizjet e rezistencës.

Titulli eshte redaksional. Titulli ne origjinal: Replike me shume druajtje me historianin e nderuar Paskal Milo


11 Responses to Ku gënjen Paskal Milo, replikë me pseudohistorianin e “nderuar”

  1. Alban Reply

    July 13, 2012 at 12:33 pm

    Mergimi si gjithmone i bie rrotull e nuk ka guxim te shkruaje apo thote te verteten. Edhe ketu e tjerr gjate muhabetin sipas skemave te historiografise zyrtare ku damkosen “kolaboracionistet” e himnizohen “partizanet”… kur ne fakt sipas interesave kombetare do te duhej te vleresoheshin kolaboraconistet e te stigmatizoheshin partizanet qe luftonin per flamurin me draper e cekan, si bij te Stalinit!
    Kur Mergimi, i biri i Xhevatit shkruan keshtu, cfare pritet te thote nje tjeter qe s’e ka haberin per keto gjera dhe qe eshte i indoktrinuar ende edhe sot 22 vite pas renies se komunizmit!

  2. Feridon Reply

    July 13, 2012 at 6:31 pm

    Lexova komentin e zotit Mergim Korca,drejtuar Historianit/Paskal Milo/dhe te them te drejten u befasova nga ky koment i zotit Korca,qe i prek gjerat dhe problemet e kohes ne menyre prefekte,dhe me fakte te dekumentuara per kete e pergezoj ne menyre te vecante,dhe i uroj gjithmon qe te replikoj,dhe ti kundershtoj gjithmon me fakte,dhe te flitet gjithmon sic ka qene realiteti,dhe jo te shtremberohet ne menyre te paskrupullt,dhe kete zoti Korca e di me mire se ata zoteri qe e mbajne veten si Historian,se mendojne shume ceket per interesat e tyre,dhe nuk i japin verdiktin kryesor,dhe ti japi gjithsekujt ate qe i takon,Prandaj zoti Milo duhet te jete realist,edi qe e ka me siklet per ti bere Lavdi,por ky eshte realiteti do apo nuk do zoti Historian Milo.Prandaj zoti Korca e njef me mire Historin,dhe e argumenton me baza dhe dekumentcione.Urime zoti Korca dhe zoti ta shtofte jeten.Je njeri qe ke vlera dhe per kete te admiroj.U.S.A MI Detroit.

  3. Gazetari Daresise Reply

    July 13, 2012 at 9:21 pm

    Milo gjithe kohen mendon te instaloje historite e Enverit dhe regjimit diktatorial qe vrau te gjithe ata qe mendonin ndryshe. Milo ne ate kohe ishte dhe minister i PPSHse, Milo ka qene nje (farketare) mendimesh…. Shpifes i peshtire.

  4. ilir hoxha Reply

    July 14, 2012 at 1:59 pm

    jake fut kot omergim pe korce.

  5. artdashesi Reply

    July 14, 2012 at 10:21 pm

    Zoti Milo eshte nje peshtjellim i historianit, politikanit, njeriut te implikuar ne diktature dhe qe dikush ja varr melçite e veta prapa qafe neqoftese do te shkruante ndryshe. Keta bij komunistesh duhet ta mbyllin njehere e pergjithmone gjuhen e helmatisur sepse abuzojne me demokracine , pra me fjalen e lire. Me bemat e theniet e tij , ai harron se mund te rendoje rishtas ne shpirt e moral njerzit pjestare te familjeve patriote qe u poshteruan, u masakruan, eliminuan dhe syrgjynosen nga regjimi mizor i Enver Hoxhes. Turp o pseudoprofesor, pseudo historian dhe pseudo politikan qe nuk i duhet atij kombi. Ata duhen demaskuar dhe hedhur ne koshine plehrave te historise

  6. Këndrevisa Reply

    July 15, 2012 at 5:32 am

    Mërgimi është ende në mërgim…i duket sikur e di historinë,por sipas “kryehistorianit” botëror,Sali Berisha…

  7. edi Reply

    July 15, 2012 at 8:19 pm

    Kam patur fatin ta njoh zotin Korca nga afer ketu ne michigan ku jetoj.Nje personalitet i njohur ne shume rangje te larta emarikane.Ka dhen dhe mesim ne nje nga universitetet me precioze ketu.Ai vjen ne kete artikul me nje bote te pasur shpirterire ku demaskon komunstet e tipit Milo pseudohistorianae qe harojente kaluaren e tyre dhe kerkojne te “veshin” veladonin e dmokratit ne kohe te reja.Largimi ne kohe dhe hapsire i te vertetes e ben te beshtire p[er brezat qe do vijne per te demaskuar deri ne fund faren e kuqe ku ben pjese dhe Milo e comp.Mjere ai popull qe akoma nuk kupton pasojat qe po heq nga ai sitem ku milo ka qene.Nje dite e djathta e vertete do triumfoj.

  8. Arbri Reply

    July 15, 2012 at 10:12 pm

    E pergezoji autorin e keti shkrimin z Mergim Korqa per ket replik brilante.
    Qudi qysh ende po i mban toka komunistat si ky tipi Pas-kali i Millos.Turp te tillet e kan vendin ne burg e jo qe ende tju mundesoheji te bajn shkenc.
    Por fajet i ka demokracija qe frymojn ende keto gjallesa te brishta komunistesh.

  9. tina Reply

    July 16, 2012 at 10:05 am

    Mos u merrni me Berishen,por shikoni se mbase mesoni ndone gje lidhur me historine shqiptare,se jemi i vetmi komb qe nuk e njohim historine tone Ju more zoterinj u eshte bere opsesion Berisha, mjafton te shani ate dhe jeni ne rregull. Pse jeni kaq besuas ndaj cdo gjeje antishqiptare dhe mosbesues ndaj cdo mendimi te ndryshem nga ato qe ju kane mesuar deri tani Une e di qe skeni faj, por largohuni pak nga historia e shkruar se prapthi, degjoni cfare thone dhe te tjeret se na ben te gjitheve mire per kombin tone dhe te ardhmen e tij

  10. Matiani Reply

    August 12, 2012 at 10:51 am

    Paskal Milo ka marue shkollén e Enverit dhe né vendé qé té dénojé tradhétiné dhe krimet e shokvet komunisté akuzon heroin e kombit Abaz Kupin dhe harron se Mbreti Zog I ishjte ajé qé formojé shtetin modern shqiptar dhe refuzojé ultimatumin e Duçes kur Italia fasshiste kercnoi Shqipniné.Historianét si Paska lMilo gjinden shumé né listén e nostalgjikve té regjimit kuqé.

  11. Oroshi Reply

    August 15, 2012 at 11:05 am

    shkrimi i Z.Mergim eshte i persosur,ska as ofendime dhe as nenvlersime te padobishme ne nje analize/kritike ndermjet intelektualesh,pavarsisht se Milo komunisti nuk meriton te sillesh me edukate.Milo komunisti eshte nga ata legena qe i duhet vene nje jevg ta perdhunoje nga mjesi deri ne darke:-))).Abaz Kupi asht nje nder patriotet shqiptar me te spikatun te kohes,i cili bani edhe ai gabimet e veta,se perndryshe nuk do kishin ardh komunistet ne pushtet ne ’45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>