Pa surpriza, Kupa e Shqipërisë ka mësuar skuadrat kualifikuese. Bardheblutë e kanë fituar sfidën me të kuqtë me formacionin titullar, pa u kursyer në funksion të transfertës delikate të fundjavës në Vlorë, në kuadër të javës së 6-të të Superiores. Besa e Ilir Dajës nuk e ka pasur të vështirë për t’i shkaktuar Burrelit një tjetër disfatë të thellë, ashtu si 7 ditë më parë. Kukësi e ka parë veten në disavantazh fillimisht, falë golit të Grudës për lezhjanët, por kjo s’i ka trazuar shumë “gjakrat” e debutuesve në Superiore, sepse kishin komoditetin e fitores 4-2 në sfidën e para një jave. Gjithsesi, Kukësi ka arritur që brenda pjesës së parë ta rikthejë ekuilibrin rezultativ me anë të Gramit, duke shkuar në dhomat e zhveshjes, në pushimin mes dy pjesëve në barazpeshë. Në të dytën kanë shënuar sërish për avantazhin 2-1 lezhjanët, me anë të Pepajt, duke u kthyer reston” verilindorëve për humbjen e një jave më parë. Megjithatë, kualifikimi për në turin tjetër të kupës shkon për kuksianët e Armando Cungut. Flamurtari e ka pritur Naftëtarin në fushën ku kryen stërvitjet, konkretisht në kompleksin e ndërtuar mes pishash në bregdet, me fushë bari sintetik, ku e ka mundur 4-1. Skënderbeu e ka marrë shtruar me Olimipikun, pa u tendosur shumë dhe shpenzuar energji, por duke shënuar plot 7 herë në portën e Olimpikut. Kastrioti ka menduar ta luajë në stadiumin e Fushë-Krujës ndeshjen e kthimit me Himarën, teksa e ka mbyllur në barazim pa gola pjesën e parë, por e ka gjetur golin shumë shpejt me fillimin e fraksionit të dytë, kur shkodrani Sykaj do të zhbllokonte shifrat. Himariotët, gjithsesi, kanë arritur ta shënojnë golin e tyre të nderit në këtë transfertë, me anë të Xhanit, edhe pse nuk kishin ndonjë pretendim në këtë kompeticion. Në fund të ndeshjes, Kastrioti ka gjetur edhe golin e fitores, duke e mbyllur edhe kthimin në favor të vet, me rezultatin 2-1. Luftëtari i Nevil Dedes ka fituar thellësisht 5-0 në kthim. Edhe Shkumbini i Peqinit ka mbyllur ndeshje 3-0. Laçi dhe Mamurrasi janë ndarë në “paqe të bardhë” në kthim, duke lënë në fuqi rezultatin 3-0 për bardhezinjtë, të fiksuar një javë më parë, me kurbinasit që vijojnë garën. Të njëjtën rrugë vijon edhe Bylisi i Ballshit, që ka triumfuar minimalisht në kthim me Tërbunin, me golin e Ferkos në minutën e 80-të, duke e mbyllur gjithçka me rezultatin total 3-0, duke llogaritur këtu edhe dy golat e shënuar një javë më parë në portën e pukjanëve. Ishte kualifikuar që në Ersekë skuadra durrsake, ku shënoi pokerin 4-0, por në kthim nuk ka mundur të luajë sërish me kolonjarët për shkak se miqtë nuk kanë udhëtuar fare drejt qytetit bregdetar. Tomori ka shënuar vetëm një gol në kthim ndaj Adës, me anë të Hyskos në pjesën e parë, çka i ka mjaftuar për t’u kualifkuar në turin tjetër. Vllaznia në “aktin e dytë” me Ilirinë, u mjaftua me një fitore të ngushtë 2-1 ndaj fushë-krujasve. Apolonisë i ka mjaftuar goli i Ribajt në pjesën e parë për ta “kaluar lumin” ndaj verdhebluve të Elbasanit. Në Mamurras, ku Kamza priti Dinamon, është përsëritur rezultati i ndeshjes së parë. Kanë triumfuar të besuarit e Sajmir Malkos me rezultatin 1-0, duke u kualifikuar për më tej.