Shtegtimi në përjetësinë e krijimit
Nga Jolanda LILA
Humb kontaktet me miqtë dhe familjarët poeti Ali Podrimja. Ndahet nga jeta poeti Ali Podrimja. Dy lajme që pasuan me shpejtësinë e erës njëri-tjetrin, dy lajme që tronditën miqtë dhe të gjithë ata që kishin mundësinë ta njihnin nga afër poetin, mendimtarin dhe studiuesin Ali Podrimja. Poezia ishte lajtmotivi i jetës së tij, ishte zëri dhe tiktaku i shpirtit të tij, që u ndal pikërisht në një nga tubimet poetike të kryeqendrës kulturore evropiane – Francës.
Poezia e Ali Podrimes ka vlera universale dhe është pjesë e fondit të artë të poezisë moderne bashkëkohore mbarëbotërore. Për vlerat e krijimtarisë së Podrimes në letërsi flasim botimet e poezive të tij në rreth 40 gjuhë të botës dhe qindra e mijëra artikuj studimorë të botuar nga studiuesit më të njohur shqiptarë dhe të huaj. Krijimtaria poetike e Podrimes është bërë objekt studimor në qindra punime universitare dhe në shumë punime pasuniversitare dhe doktorale në Tiranë e Prishtinë.
Ali Podrimja është nderuar për së gjalli me titujt më të lartë letrar, ku vlen të përmendim shpërblimin e mirënjohur letrar “Nikolas Linau”, (Shtutgart), të cilin e mori në Gjermani në vitin 1998, më tej në vitin 2005 u vlerësua me çmimin ndërkombëtar të poezisë “Liburna”, ndërsa në vitin 2006 Podrimja renditet mes 400 poetëve më të mirë të Europës, sepse poezitë e tij publikohen në revistën ndërkombëtare italiane “Poesia”, me poetët e shekullit XX.
Ali Podrimja do të kujtohet përjetësisht jo vetëm për krijimtarinë që la pas, por dhe për vlerat e larta njerëzore që shpërfaqte me miqtë e tij. Ai ishte një njeri fisnik, i dashur dhe i gatshëm për të të ndihmuar me çdo gjë, i zhveshur nga veset dhe ndjesitë egoiste e megalomane, edhe pse ishte i vetëdijshëm për përmasat e suksesit të tij. Ai nuk harronte të të telefonte për çdo rast, as të të njoftonte për botimet më të fundit, ishte një konsulent i pakursyer me miqtë dhe dashamirësit e poezisë. Jehona e zërit të tij nuk do të humbasë asnjë ngjyresë tingullore për mua, që pata fatin ta njihja nga afër, por jam e bindur se edhe për ata që nuk e kanë njohur personalisht do ta kenë të pamundur të harrojnë zërin kumbues të vargjeve legjendare, me të cilat janë rritur breza të tërë.
Është e habitshme se si një forcë e brendshme të ysht të kërkosh gjithçka që e rrethonte këtë personalitet krijues. Gjithashtu është e çuditshme të konstatosh se sa mirë e njeh një njeri përmes veprës së tij, një njeri që mund të mos e kesh parë dhe takuar kurrë, por që i përkap çdo ndjesi të shpirtit. Në fund të fundit, ky është misteri dhe magjia që karakterizon vetë letërsinë, sepse ne shtegtojmë në shumë vende, njohim shumë njerëz, njerëz-personazhe, njerëz-autorë, njerëz pa emër, njerëz që gjithnjë formësohen e përçudnohen nga fantazitë tona, njerëz që u përkasin kohëve parake, por që megjithatë ne i njohim aq mirë në bashkëkohësi, sepse vepra e tyre është mjeti që shpreh identitetin e vërtetë. Kështu edhe vepra e Ali Podrimes e ka mëkëmbur prej kohësh identitetin e vet, prandaj çdo lexues miqësohet shpejt me të. Kjo miqësi ka hedhur rrënjë me shpirtrat njerëzore dhe do të vijojë të konsolidohet, sepse lënda poetike e përftuar nga pena e Ali Podrimes është jo vetëm gjithëhapësinore, por edhe gjithëkohore.
Datat kryesore të jetës dhe të veprimtarisë së Ali Podrimes
28 gusht 1942 – lind në Gjakovë Ali Podrimja. Periudha vendimtare për formimin shpirtëror dhe intelektual të poetit janë vitet ’50. Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret më të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më dramatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth 300 mijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie që kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe qe shkolluar, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe.
- 1957 - botoi poezinë e parë me titull “Arabja” në revistën “Jeta e re”, në nr. 4 të saj.
- 1961 – botoi librin e parë me poezi të titulluar “Thirrje”.
- 1966 – përfundon studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Po atë vit fillon punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në sektorin e kulturës.
- 1968 – vëllimi poetik “Thirrje” botohet në gjuhën serbokroate, me përkthim të poetit Esat Mekuli.
- 1969 - boton vëllimin poetik “Sampo” në shtëpinë botuese “Rilindja”, Prishtinë.
- 1971 – boton vëllimin poetik “Torzo”, një nga librat më të vlerësuar nga kritika.
- 1976 - punon në edicionin e botimeve “Rilindja”, ku udhëheq bibliotekat: poezia shqipe, letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave.
- 1996 - u zgjodh anëtar korrespondent në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
- 1999 - u nderua në Gjermani me shpërblimin e mirënjohur letrar “Nikolas Linau”, (Shtutgart).
- 2000 - zgjidhet anëtar i rregullt i ASHAK-së.
- 2005 - merr çmimin ndërkombëtar për poezi “Liburna”, Durrës.
- 2006 - Podrimja renditet mes 400 poetëve më të mirë të Europës, sepse poezitë e tij publikohen në revistën ndërkombëtare italiane “Poesia”, me poetët e shekullit XX.
* Autore e librit studimor “Torzioni i qenies”, mbështetur në krijimtarinë e Ali Podrimes.