Publikohet lista e re me përfituesit në të gjitha qarqet e vendit
Lejet e legalizimit për ndërtimet informale në vend do të shpërndahen edhe për 2000 persona të tjerë. Burimet zyrtare të Agjencisë së Legalizimeve kanë bërë publike dje listën emërore të personave që përfitojnë lejet e legalizimit për të gjithë qarqet e vendit. Të njëjtat burime njoftojnë se ky volum pune është përgatitur brenda një jave nga drejtoritë e ALUIZNI-t nëpër qarqe. Tashmë ky institucion ka intensifikuar punën për pajisje me leje legalizimi, duke përgatitur të paktën çdo javë rreth 2 mijë emra të vetëdeklaruesve që pajisen me leje legalizimi, në mënyrë që i gjithë procesi të mbyllet brenda vitit 2013. Në njoftimin e dërguar dje drejtuesi i ALUIZNI-t, Ardian Kollozi fton edhe njëherë të gjithë ndërtuesit informalë që të përmbushin detyrimet e tyre,duke i siguruar se e gjithë administrata e ALUIZNI-t është në eficencë të plotë për të rritur ritmet dhe përshpejtuar procesin e legalizimit. Nga ana tjetër në kuadër të realizimit të punës, Agjencia e Legalizimit me këtë rast sensibilizon emigrantët, duke qenë se një pjesë e madhe e tyre ndodhen me pushime brenda vendit, të përmbushin detyrimet e tyre, në mënyrë që së bashku të realizojmë objektivin e përcaktuar.
Lista e plotë në numrin e sotëm të “Metropol”