Levan–Tepelenë, më 1 gusht hapet segmenti i parë

Drejt përfundimit aksi Levan–Damës, 35 kilometër i gjatë

Olldashi: Ky segment ishte pjesa më e vështirë e rrugës së re

Më datën 1 gusht do të hapen për kalimin e automjeteve 35 kilometrat e parë të rrugës Levan–Tepelenë. Këtë e konfirmoi dje ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi gjatë një inspektimi që zhvilloi në mbikalimin e Levanit, aty ku lidhen rrugët Levan–Vlorë, Levan–Tepelenë dhe bajpasi i Fierit. “Kemi ardhur të shikojmë asfaltimin e nyjës së Levanit, një mbikalim shumë i rëndësishëm, që do të bëjë lidhjen e aksit Fier–Vlorë në të ardhmen të bajpasit të Fierit me aksin Fier–Tepelenë”, – deklaroi ministri Olldashi. Duke folur mbi afatet kohore si dhe për vështirësinë që ka ndërtimi i këtij aksi rrugor, Olldashi theksoi se “synimi është që më 1 gusht ne të hapim për trafikun segmentin e parë të rrugës Levan–Tepelenë, 35 km e parë, që janë më të vështirët sot, segmentin nga Levani në Damës, për t’u lidhur aty me segmentin e dytë Damës–Tepelenë”. Ndër të tjera ministri theksoi faktin se “hapja e këtij segmenti është shumë e rëndësishme për të gjithë fluksin e trafikut që shkon drejt Jugut të vendit, për shkak se eliminon gjithë rrugën e vështirë nga Patosi deri në Ballsh e më tej drejt Fratarit dhe përmirëson në mënyrë të ndjeshme cilësinë e udhëtimit”. Segmenti Levan–Damës përbën gjysmën më të vështirë të projektit Levan–Tepelenë, gjithsej 70 kilometra, dhe hapja e tij për trafikun shënon një lehtësim të ndjeshëm të udhëtimit drejt Jugut të vendit, pasi eliminon trajektoren e vështirë Patos–Ballsh–Fratar. Ky segment është tërësisht në një trajektore të re, që shtrihet përgjatë luginës së Vjosës, duke i dhënë rrugës një karakter tërësisht fushor. Shpejtësia e parashikuar e lëvizjes varion nga 80 deri më 100 km në orë. Ndërkohë punimet vazhdojnë me intensitet edhe në segmentin nga Damësi në Memaliaj. Segmenti rrugor Levan–Tepelenë është i ndarë në dy lote: Levan–Damës, me gjatësi 37.5 km, me vlerë 39.1 milionë euro; dhe loti i dytë, Damës–Tepelenë, me gjatësi 32.5 km dhe vlerë 28.6 milionë euro. Gjerësia e asfaltuar e rrugës do të jetë 10.5 metra, me dy kalime, sipas standardeve europiane të rrugës kombëtare, ndërsa në aksin rrugor Krahës–Tepelenë parashikohet të ndërtohen mbi 30 vepra arti të vogla, prej të cilave katër ura me gjatësi mbi 50 metra dhe lartësi mbi 70 metra. Punimet për këtë aks rrugor do të përfundojnë plotësisht verën e ardhshme.


One Response to Levan–Tepelenë, më 1 gusht hapet segmenti i parë

  1. Albani Reply

    July 28, 2012 at 3:51 pm

    Zoti Olldashi ty dhe shoferit tuaj amil Gjuta do pergjigjeni penalisht per abuzimet e bera me miljona euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>