Mitmarrja, rektori pezullon pedagogun e Matematikës
ELBASAN-Rektori i Universitetit të Elbasanit prof. Dr. Liman Varoshi ka deklaruar se arrestimi i një pedagogu për korrupsion nuk mund të përfaqësojë universitetin “Aleksandër Xhuvani”, por sipas tij padyshim që kjo cenon rëndë moralin universitar dhe do të ketë masa nga ky universitet. “Rasti i ndodhur me pedagogun e Departamentit të Matematikës pa dyshim që cenon rëndë moralin tonë universitar. Por duhet të theksoj se ky rast kurrsesi nuk mund të përfaqësojë krejt profesoratin e këtij universiteti sepse në këtë institucion dominante është fryma e transparencës dhe objektivitetit në procesin e vlerësimit të studentëve.
Z. Varoshi cili ishte reagimi i Universitetit pas arrestimit të një pedagogu për korrupsion?
Sido që të jetë ne kemi marrë masën paraprake kur u njohëm me të gjitha veprimet amorale që ky pedagog kishte kryer në lëndën e matematikës. Ndaj tij është marrë masë administrative dhe më pas është gjykata që do të provojë apo nuk do të provojë fajësinë apo pafajësinë e tij. Rasti në fjalë është sporadik pasi këtu dominon fryma e transparencës, e korrektesës pavarësisht se imazhi ka pësuar një dëmtim nga kjo ngjarje.
A keni deklaruar ju se do të penalizoni studentët në rast se del i pafajshëm pedagogu?
Nuk është thënë në asnjë deklaratë tonën që do të penalizojme studentët nëse pedagogu del i pafajshëm. Personalisht unë kam insistuar tek studentët të denoncojnë shmangien nga procesi mësimor të pedagogëve dhe abuzime të tjera. Unë i kam garantuar ata edhe për anonimatin në rast të denoncimeve të tilla. Jam i vendosur ta luftojmë korrupsionin deri në fund.
Ne kemi marrë dhe do të marrim masat e duhura në ngushtimin e hapësirave që ushqejnë korrupsionin. Kemi ngritur një task-forcë që do të ushtrojë kontrolle në zhvillimin e provimeve të studentëve. Por nuk përfundon këtu pasi i gjithë kontrolli i studentëve do të hyjë në sistem deri tek nota përfundimtare.
A ekzistojnë raste të tjera të pedagogëve që marrin para në këmbim të notës së provimit?
Nuk e kanë të gjatë ata që abuzojnë me provimet e studentëve në këmbim të parave. Individë të tillë janë të paktë pavarësisht se në ndonjë rast zmadhohen e hiperbolizohen. Nuk do të jetë e largët dita kur ndaj tyre do të mbahet qëndrim. Universiteti do të pastrohet nga njolla e korrupsionit. Kjo është sfida ime dhe të jeni të sigurt se do ta realizoj.
Bisedoi: Ledia Lleshi