Mbetësit e Maturës, datat për provimet e vjeshtës

Kushtet për t’u regjistruar në provimet e vjeshtës. Testimet në data 7, 11 dhe 14 shtator

Notat kaluese i lejojnë që të vijojnë studimet e larta në publik e privat gjatë 2012-ës

Shpallen datat e ridhënies së provimeve për mijëra maturantë që rezultuan mbetës në një nga testimet e Maturës gjatë sezonit të muajit qershor. Udhëzimi i hartuar nga Ministria e Arsimit është zbardhur gjatë ditës së djeshme në Fletoren Zyrtare të Qeverisë, në të cilën gjenden të detajuara të gjitha procedurat që këta maturantë duhet të ndjekin për t’u përfshirë sërish në provime për marrjen e notave kaluese. Konkretisht në kalendarin e datave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit konfirmohet se dhënia e provimit për mbetësit në gjuhë shqipe dhe letërsi do të zhvillohet më 7 shtator. Ndërsa për matematikën mbetësit kanë një tjetër shans për të marrë notë kaluese në testimin që do të zhvillohet më 11 shtator, si dhe për lëndët me zgjedhje është përcaktuar data 14 shtator 2011. Sipas autoriteteve të arsimit, ka një numër të konsiderueshëm maturantësh që kanë më shumë se një provim për të dhënë në sezonin e vjeshtës. Këto data u rikthyen sërish për t’u dhënë një shans të dytë të rinjve, që të mos u digjet e drejta për të vijuar studimet e larta gjatë këtij viti, si në universitetet publike, ashtu dhe në ato private. Udhëzimi ka të përcaktuara katër kategoritë e maturantëve që mund të rijapin provimet e mbetura gjatë sezonit të vjeshtës. Për maturantët që kanë mbaruar studimet e mesme jashtë vendit, si dhe ata që kanë kryer studimet para 2012-ës, që të mos rrezikojnë pjesëmarrjen në provime më parë duhet të bëjnë regjistrimin në shkollën e mesme ku kanë zhvilluar mësimin. Ndërkohë që do të plotësojnë edhe formularin A1Z me lëndët që duan të japin si provime me zgjedhje. Këta kandidatë mund të plotësojnë formularin më datat 30 gusht deri më 3 shtator. Përzgjedhja e testit për secilin nga provimet e sesionit të vjeshtës do të bëhet nga specialistë të caktuar nga Ministria e Arsimit, të cilët emërohen përzgjedhës të testit përfundimtar në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AKP-së. Procedura e hartimit dhe dhënies së provimeve do të jetë e njëjtë me atë të përdorur gjatë sezonit të parë. Udhëzimi përcakton po ashtu se edhe shtetasit shqiptarë që duan të studiojnë në programet e studimit të universiteteve publike që janë me kohë të pjesshme, përveç kritereve të parashikuara u nënshtrohen edhe kritereve të veçanta që janë përcaktuar për këto programe, ku një ndër to është edhe mbrojtja e gjuhës shqipe.

 

Në provimet e vjeshtës kanë të drejtë të marrin pjesë:

a)Maturantët/kandidatët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime në sesionin e parë të Maturës Shtetërore 2012.

b) Maturantë që rezultuan mbetës në vitin shkollor 2011-2012 dhe i shlyejnë provimet shkollore në datat 27 dhe 29 gusht 2012.

c)Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2012, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore dhe për arsye të ndryshme nuk kanë plotësuar formularin A-1Z.

d) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njehsuar dokumentet shkollore në komisionin e posaçëm të ngritur në MASH.

•Për maturantët e pikave a, b është i vlershëm formulari Al për dhënien e provimeve të sesionit të dytë.

•Kandidatët e pikave c, d që do të japin provimet në sesionin e dytë, të regjistrohen në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm ose në shkollën që i cakton DAR/ZA e vendbanimit. Për këtë kategori plotësimi i formularit A1Z do të bëhet nga data 30 gusht deri 3 shtator 2012

 

Datat kur do të zhvillohen provimet për mbetësit

Gjuha shqipe dhe letërsia                      7 shtator 2012

Matematika                              11 shtator 2012

Provimet me zgjedhje                     14 shtator 2012.

Në sesionin e dytë, provimet e Maturës Shtetërore fillojnë në orën 10:00.

 

Përmbajtja e pyetjeve në test

Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 kërkesa, nga të cilat 13 kërkesa do jenë me përgjigje alternative dhe do vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 kërkesa do jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 37 pikë. Provimet e 1ëndëve të detyruara të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila. Procedurat e hartimit të testeve përcaktohen në rregulloren “Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 10 pikë, kurse 20 pyetje të jenë me zhvillim dhe të vlerësohen me 30 pikë. Provimet e lëndëve me zgjedhje të zgjasin 3 orë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>