Mbrojtja eliminon Skënderbeun

Korçarët janë mundur 3:0 në Hungari nga Debreceni duke u eliminuar nga Liga e Kampioneve. Skënderbeu ka paguar gabimet e mbrojtjes, duke u mundur thellë nga një kundërshtar me një nivel jo shumë larg të tijit

Ëndrra e korçarëve është shuar dje në Hungari. Në Budapesht, Skënderbeu është mundur 3:0 nga Debreceni në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Ligës së Kampioneve, duke hedhur poshtë avantazhin e krijuar nga fitorja 1:0 në ndeshjen e parë në Korçë. Debreceni në këtë ndeshje ka qenë e përforcuar me lojtarët që i munguan në ndeshjen e parë dhe tregoi një fytyrë tjetër. Gjithsesi hungarezët nuk ishin në ndonjë nivel aq shumë të lartë nga kampionët tanë. Skënderbeu ka paguar më tepër gabimet e mbrojtjes dhe hezitimin e trajnerit Levi për të rrezikuar më shumë në momentin që kualifikimi ishte i humbur. Pavarësisht rezultatit të thellë lojtari më i mirë në fushë për ekipin korçar ka qenë portieri Shehi, i cili me pritjet e tij e ka mbajtur me shpresë deri afër fundit të ndeshjes ekipin e tij.

Hungarezët kanë hyrë shumë fuqishëm në ndeshje duke ushtruar presion në portën e Shehit që në sekondat e para. Pa kaluar minuta e parë e takimit Debreceni kishte fituar dy goditje këndi dhe që në minutën e parë iu afrua shumë golit. Pas një goditje këndi i vetëm përballë Shehit godet me kokë, por portieri i Skënderbeut ka grushtuar dhe më pas hungarezët nuk e shtyjnë dot topin në rrjetë. Presioni i vendasve ka vazhduar dhe korçarët përpiqen të balancojnë lojën, por humbasin duelet në mesfushë. Në minutën e 9-të hungarezët nisin të festojnë, por goli i Kulibalit anulohet me të drejtë nga gjyqtarët estonezë për pozicion jashtë loje. Në minutën e 11-të janë përsëri vendasit pranë golit, por Mbengono i vetëm me Shehin godet dobët, pret pa problem portieri ynë. Debreceni vazhdon të sulmojë me forca të shumta, ndërsa mbrojtja e Skënderbeut nuk reagon siç duhet duke u treguar e ngadaltë në disa raste nga ku vjen edhe ndëshkimi. Në minutën e 12-të kapiteni i hungarezëve Szakali shpërthen nga e majta, hyn në zonë godet, Shehi grushton, por në kthim të topit ndodhet Kulibali që e dërgon atë në rrjetë, 1:0. Pësimi i golit sjell edhe një farë reagimi nga lojtarët e Skënderbeut, që përpiqen të kundërpërgjigjen, por sulmet e tyre nuk kanë forcën e duhur dhe ia vlen të përmendet vetëm një depërtim i Muzakës, në minutën e 18-të, që u ndal në momentin e fundit nga mbrojtja hungareze. Debreceni tani që ka barazuar rezultatin e ndeshjes së parë është më i qetë dhe e kërkon golin e dytë me më pak lojtarë, por me aksione të shpejta. Kështu në minutën e 22-të hungarezët ishin shumë pranë golit, por Shehi ka shpëtuar Skënderbeun.  Szakali me shumë zgjuarsi e ka nxjerrë Bodin të vetëm përballë Shehit, por portieri ka fituar duelin duke pritur në dy kohë. Mbas minutës së 25-të Skënderbeu fiton terren dhe bëhet i rrezikshëm duke kërkuar golin e barazimit. Korçarët kanë rastet e tyre, por në 27’ Muzaka nuk godet saktë me kokë dhe në 28’ Orelesi ndalet nga portieri Novakoviç. Në minutën e 37-të edhe Plaku kërkon golin, por sërish Novakoviç është aty. Deri në fund të pjesës së parë ekipi korçar luan mirë, madje në disa minuta është më lart se kundërshtari, por pa pasur rrezikshmërinë e duhur. Me fillimin e pjesës së dytë janë hungarezët ata që kontrollojnë lojën, pavarësisht se goditja e parë drejt portës i përket ekipit tonë me Orelesin në 47’, por që është pritur pa vështirësi të madhe nga Novakoviç. Në 49’ Debreceni shfaqet rrezikshëm, kur pas një harkimi në zonë nga Bodi, Szakali i lirë në zonë godet me kokë, jashtë. Hungarezët janë më kërkues dhe në 58’ arrijnë atë që kërkojnë, golin e dytë. Pasi thyejnë një sulm të Skënderbeut në mesfushë, hungarezët realizojnë një kundërsulm perfekt. Bodi kroson nga e djathta, Szakali godet me kokë, Shehi si gjithmonë i gatshëm grushton, por mbrojta korçare sërish nuk është e shpejtë në reagimin e saj dhe topi i mbetur në mes të zonës goditet nga Varga dhe 2:0. Ky gol e godet psikologjikisht Skënderbeun që e sheh veten të eliminuar dhe përpak sa nuk pëson shumë shpejtë edhe të tretin, por gjuajtja e Korhut është ndalur nga shtylla. Trajneri Levi ka hedhur në fushë Kërçikun në 68’, por çuditërisht është kujtuar për ndonjë lojtar tjetër me tipare sulmuese si Kuli vetëm në minutat e fundit të ndeshjes. Gjithsesi, korçarët janë përpjekur që të bëjnë diçka po kanë qenë të pafuqishëm. Aksionet e tyre nuk kanë pasur vizion të qartë dhe hungarezët nuk janë vështirësuar shumë të mbrohen, pavarësisht se niveli i tyre ka qenë mëse mesatar. Në 81’ Debreceni ishte pranë golit të tretë, por Shehi sërish ka qenë shpëtimtar i Skënderbeut. Meszaros ka dalë i vetëm me portierin e ekipit korçar pa mundur t’i shënojë. Por, në minutën e 87-të Shehi nuk ka mundur të bëjë dot asgjë. Rezes jep me finte një pasim të shkëlqyer për Kulibalin, i cili përballë portierit ka sjellë qetësinë për Debrecenin, 3:0.

Skënderbeu i ka dhënë fund ëndrrës Champions, duke vërtetuar edhe një herë diferencën e madhe që ka kampionati ynë edhe nga ato modeste në Evropë. Debreceni ishte një kundërshtar që mund të mposhtej, por jo nga një ekip që bën aq shuam gabime në mbrojtje dhe që jashtë fushe ka frikë të sulmojë. Mëkat sepse ky ishte një rast shumë i mirë për korçarët që tani do t’i kthehen rutinës shqiptare, ku milionat e presidencës pinë ujë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>