“Më 21 janar 2 makina do të sulmonin eskortën e Kryeministrit Berisha”

Dëshmi tronditëse e komandantit të komanduar të Gardës, Artan Hoxha

Qëllimi i vetëm i forcave të Gardës dhe Policisë ditën e protestës së dhunshme të 21 janarit ishte mbrojtja e jetës së Kryeministrit Berisha nga sulmet me dy makina. Ky fakt i ri dhe tronditës ka dalë dje në dritë për herë të parë dhe personi që e bëri atë publik ishte kryekomandanti i komanduar aktual në Gardën e Republikës Artan Hoxha. Ai dëshmoi dje në gjyqin ndaj ish-eprorit të tij Ndrea Prendi dhe dy të pandehurve të tjerë, Agim Llupo dhe Margarit Kume. Paraditen e djeshme komandanti Hoxha i tha trupës gjykuese se më 21 janar 2011, rreth orës 13:00, kur donte edhe një orë nga nisja demonstratës të PS-së, forcat e Gardës kishin marrë informacion prej Drejtorisë së Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit se do të sulmohej eskorta e Kryeministrit. Sipas Hoxhës, sulmi ishte koordinuar nga organizatorët dhe eskortën do ta sulmonte një makinë me targa të Shkodrës, ndërsa tjetra ishte me targa të huaja. Gjithçka ishte planifikuar të ndodhte në çastin kur Sali Berisha do të nisej për në shtëpinë e tij në rrugën e Elbasanit. Duke iu referuar dëshmisë së Artan Hoxhës, forcat e policisë i kishin njoftuar efektivët e Gardës se një grup prej 300-400 personash, mes të cilëve kishte njerëz me precedentë penalë, ishin instruktuar që të qëndronin në afërsi të rrugës së Elbasanit dhe do të sulmonin godinën e Kuvendit. Ndërkaq Hoxha ishte shef shtabi në Gardë dhe ishte në dijeni të të gjitha zhvillimeve të asaj dite. Ai tha në gjykatë se ishte zhvilluar një takim mes ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha si dhe vetë Hoxhës. Ky i fundit shpjegoi me detaje se kur demonstrata ishte në kulmin e saj, ish-ministri Basha dhe ish-komandanti Prendi janë takuar në ambientet e brendshme të godinës së Kryeministrisë. Komandanti i komanduar i Gardës së Republikës shpjegoi dje për gjykatën se Ndrea Prendi i kishte kërkuar ministrit të Brendshëm që të ringrihej kordoni i policisë në pjesën e jashtme të rrethimit të Kryeministrisë, pasi jeta e efektivëve të Gardës ishte e rrezikuar. Sipas Hoxhës, ish-ministri Basha i ishte përgjigjur se po punohej për këtë gjë. Kështu, dëshmia e djeshme e Hoxhës, e dalë për herë të parë në publik, nëse do të çmohet si efektive dhe e dobishme nga gjykata, përbën një prej fakteve më flagrante dhe më të rënda për tonalitetin e lartë të tensionit apo planifikimit për demonstratë jo vetëm të dhunshme, por dhe sulmuese gjer në asgjësimin e kreut të qeverisë. Praktikat ndërkombëtare të këtij sensi i kanë dhënë përparësi absolute sigurisë fizike të kreut të shtetit, pa marrë parasysh asnjë rrethanë tjetër. Duhet kujtuar se deri tani nuk është penalizuar asnjë nga planifikuesit e asgjësimit fizik të Kryeministrit të Shqipërisë (nëse do të vërtetohej dëshmia e kryegardistit Hoxha). Ngjarja ka rrjedhur kryesisht në tone politike, ndërsa të arrestuar ndodhen vetëm mbrojtësit e Gardës, pra gardianët e sigurisë fizike të Kryeministrit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>