Harta e plotë e zjarreve të rëna gjatë orëve të fundit
Momentalisht në të gjithë qarqet e vendit ka gjithsej 9 raste zjarresh në pyje. Ministria e Brendshme njofton se bazuar në informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionin e Prefektëve, Stacionet e PMNZSH-së, Shërbimi Pyjor në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore, si dhe nga pika të tjera kontakti, në nivel qendror dhe vendor, situata e vatrave të zjarrit gjatë ditës së sotme 21 gusht 2012, paraqitet si më poshtë:
Qarku Dibër: Janë shfaqur edhe 2 vatra të reja zjarri, duke e çuar në 4 numrin e vatrave aktive të zjarrit. Zjarri i rënë në ekonominë pyjore Lura 1 në jug të “Parkut Kombetar” në vendin e quajtur “Zhavori”, vazhdon brenda territorit të pjesës së përshkruar nga zjari. Në Parkun Kombëtar Lura 2, vazhdon zjarri në vendin e quajtur “Fusha e Pelave”. Kjo vatër është izoluar dhe digjen lëndë drusore brenda territorit të djegur para dy vitesh. Është shfaqur një vatër zjarri në ekonominë pyjore Zhuri i Pllaut-Qafë Murrë, në pjesën veriore të kësaj ekonomie, në një terren shkëmbor që nuk kalohet as nga këmbësorë. Vatra tjetër e re është vatra e zjarrit në ekonominë pyjore Zall-Gjoçaj, në vendin e quajtur Kodra e Tollës, në rrethin e Matit, në Malin e Bejinit, me përbërje pishë e ah. Zjarri është i mbartur nga rrethi i Mirditës.
Qarku Kukës: Ka 2 vatra zjarri. Aktualisht vazhdojnë të jenë aktive vatra e zjarrit në fshatin Zapod, komuna Zapod, si dhe vatra e zjarrit në Qafë Kom, të cilat janë të izoluara dhe nën kontroll. Vatra e zjarrit e re është në pyllin me pisha të fshatt tjetër Kosharisht, të komunës Zapod, e cila është shfaqur pardje në orën 15.30. Kjo vatër e favorizuar edhe nga era e fortë që ka fryrë gjatë ditës djeshme ka ndikuar në vënien me vështirësi nën kontroll. Sot ka vijuar puna për fikjen e plotë nga forcat e policisë pyjore, forcat zjarrfikëse dhe komuniteti.
Qarku Lezhë: Ka 2 vatra aktive zjarri. Vatër aktive zjarri, është vatra e shfaqur pardje në orën 16.00, në majën e malit të fshatit Pllan, komuna Zejmen. Nga kjo vatër zjarri nuk ka rrezik për banesa. Edhe pse është në lartësi të madhe shërbimi zjarrfikës ka dislokuar mjet zjarrfikës për mbrojtjen e jetës dhe banesave të qytetarëve, në çdo çast. Gjithashtu nga shërbimi pyjor janë dërguar forca shtesë për shuarjen e tij. Vatra e dytë është shfaqur pardje në orën 22.00, në fshatin Malaj, Bashkia Rrëshen. Shërbimi zjarrfikës i rrethit Rrëshen ka dislokuar një automjet zjarrfikës, si dhe një fadromë për çdo eventualitet në rast se zjarri përparon drejt shtëpive të banimit.
Qarku Shkodër: Ka 1 vatër aktive zjarri. Vatra është në rrethin e Pukës, në pyllin mbi fshatin Gojan-Gjegjan, e cila e favorizuar nga era mund të avancojë drejt Livadheve të Hamzit. Kjo vatër është riaktivizuar dje dhe është në një zonë pyjore të shfrytëzuar, ku digjen mbeturina lëndësh drusore. Vatra e zjarrit në fshatin Kryezi, komuna Qafë Mali, u shua plotësisht dje nga zjarrfikësit.
Qarqet Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Korçë, Gjirokastër, Tiranë e Vlorë nuk kanë vatra zjarri aktive.