Heqja e imunitetit, Kryeministri Berisha sërish ftesë Ramës që të votojë pro
Kreu i mazhorancës uroi që data 6 gusht ta frymëzojë lidershipin e PS-së
Apeli në adresë të lidershipit socialist për të dhënë votën pro heqjes së imunitetit më datën 6 gusht nuk mungoi as gjatë ditës së djeshme nga ana e Kryeministrit Sali Berisha. Në këtë ftesë të radhës kreu i mazhorancës i mëshoi me forcë faktit se asnjë lloj argumenti nuk mund të justifikojë refuzimin e një votë pro kërkesës së faktorit ndërkombëtar për një çështje të tillë. “Unë uroj që data 6 gusht ta frymëzojë. Uroj që të mendojë për të gjithë ata qytetarë që sot janë të papunë dhe që me heqjen e imuniteteve, me një shoqëri më transparente nxitet më shumë punësimi në tërësi, nxitet më shumë dhe shoqëria bëhet më e drejtë, të drejtat e njeriut bëhen më të garantuara”, – vlerësoi Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Po në këtë linjë, kreu i ekzekutivit e ftoi Ramën që “të ngrihet në lartësinë e përgjegjësive që duhet të ketë çdo drejtues në interesin më të mirë të qytetarëve të vendit për të votuar një ligj që u hartua nga ekspertët më të mirë të doktrinës së imunitetit, qoftë për parlamentin dhe qeverinë, qoftë për drejtësinë”. Sipas tij, refuzimi i PS-së është shumë e rëndë dhe në kundërshtim me interesin jetik të çdo qytetari të këtij vendi. Në gjykimin e mazhorancës mosmiratimi i kësaj nisme do të thotë vendosja e një muri në rrugën drejt integrimit në BE. “Në një rrafsh është një mur që ngrihet në procesin e integrimit dhe detyra jonë është të shembim mure dhe jo të ngremë mure, që pengojnë. Në rrafshin njerëzor imunitetit është gjenerator kryesor i korrupsionit, i dhunimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, i pabarazisë së qytetarëve. Nuk mund të mbrohet, tani nuk mund të ketë, sepse shumica erdhi në kushtet që kërkove, zoti Rama. Kërkove me ndryshim kushtetute dhe ne e pranuam”, – vlerësoi Berisha. Po kështu, duke synuar në argumentonin e këtij qëndrimi, Berisha u bazua në analizën që sjell lidershipi socialist për të justifikuar refuzimin e tij. “Në qoftë se ka një gjë që s’mund të ketë asnjë lloj kushti, është zhveshja pa kushte ndaj imunitetit. Asgjë nuk qëndron në analizën e tij. A nuk patën ata një prokurori që botonte çdo ditë gjithçka nga dosjet për të ndihmuar ata? Kjo e pengoi për të hequr imunitetin? Jo, nuk e pengoi. Janë interesa të ngushta të një grupi, absolutisht ato të grupit të miliarderëve, i cili dikton gjithçka në atë parti. Ata janë gati të lëshojnë pallate të tëra, por të mos lëshojnë imunitetin. Por këtu është detyra e drejtuesit, i cili merr për bazë në çdo rast interesat e qytetarëve”, – u shpreh Berisha. Gjithashtu argumentin e tij kreu i qeverisë e vijoi dhe më tej, duke hedhur poshtë dhe një tjetër pretendim të kryetarit Rama. “Nuk kam asgjë personale me asnjërin prej tyre, por fakti që e marrin peng imunitetin e vendit përbën një problem shumë serioz. Megjithatë, unë uroj që deri më datën 6 të arrihet të studiohen më me vëmendje ato ligje. Nuk shkon kjo që të thuash ‘këtu është Evropa, këtu kam Xhafën unë’. Dakord, e ke Xhafën, dhe ai është jurist, por edhe ne kemi juristët tanë. Nuk u ndryshua asgjë, i prumë siç i sollën. Edhe Xhafa dhe të gjithë juristët e Kuvendit kanë për detyrë t’i mbështesin ato”, – nënvizoi Berisha sa i takon një çështje të tillë. Njëkohësisht Kryeministri rikujtoi faktin se të gjitha përpjekjet në vite të PD-së për heqjen e imunitetit janë kundërshtuar nga PS-ja.
Kryetari i PS-së
Ftesës së Kryeministri Berisha për të votuar heqjen e imunitetit kryetari i Partisë Socialiste i është përgjigjur përmes një reagimi të shkurtër në adresën e tij rrjetin social “Tuiter”, ku ironizoi me mënyrën me të cilën kreu i ekzekutivit drejtoi këtë ftesë. “Nga ultësira e tij morale KM nuk mund t’i imponojë opozitës as vizionin, as variantin e tij të ndryshimit të Kushtetutës. Kemi qëndrimin tonë. Po heqjes së imunitetit, jo arnimit qorrazi të Kushtetutës. Vota jonë në parim është pro, po ndryshimi kushtetues të bëhet me një proces publik”, – theksoi Rama.
Kryeministri Berisha
Për mazhorancën lidershipi socialist nuk mund të nxjerrë asnjë lloj justifikimi që të mund të argumentojë refuzimin e datës 6 gusht për heqjen e imunitetit. Kjo pasi propozimi i shumicës, as më shumë e as më pak, është sjellë në variantin që ka kërkuar PS-ja. “Unë uroj që data 6 ta frymëzojë Ramën që të mendojë për të gjithë ata qytetarë që sot janë të papunë dhe që me heqjen e imuniteteve, me një shoqëri më transparente punësimi nxitet më shumë dhe shoqëria bëhet më e drejtë, të drejtat e njeriut bëhen më të garantuara”, – tha Berisha.