Ndërtimi i dyqanit të Muç Shikut zbuloi bazilikën paleokristiane

Historia e tregtarit që iu desh t’i dorëzonte gjithçka regjimit komunist për të shpëtuar familjen

Zbulimi më i madh arkeologjik në Elbasan do t’i atribuohet shënimeve dhe të dhënave nga një tregtar elbasanas, i cili, ndërsa ndërtonte dyqanin e tij në pazarin e Bezistanit, zbuloi relike të vjetra dhe ia dorëzoi muzeut të atëhershëm bashkë me shënimet që rreth një shekull më pas do të zbulonin rrënojat e asaj që mendohet se është edhe Katedralja e Shën Pjetrit e shtruar me mozaikë nga më të realizuarit në objektet fetare e ndërtuar rreth shekullit VI të e.s. E pikërisht ai që u tregua korrekt duke dorëzuar çfarë u gjet nga punimet në dyqanin e tij do të përballej si shumë tregtarë të tjerë me një tatim të jashtëzakonshëm, me burg e vështirësi ekonomike edhe pse do të mbahet mend si një ndër tregtarët e mëdhenj elbasanas. Muç Shiku nuk ishte vetëm një tregtar. Ai njihte shumë mirë arabishten dhe kishte një bibliotekë mjaft të pasur. Mustafa Shiku gjithashtu kishte shumë miqësi me Aqif Pashën dhe Isuf Myzyrin

Nipi i tregtarit, Bujar Shiku…

Muç Shiku kishte tre djem dhe një vajzë, Xhaferrin, Ahmetin, Ndriçimin dhe vajzën e vetme Adilenë. Ai merrej kryesisht me tregti dhe kishte dy dyqane. Një dyqan të vogël që tregtonte bojë me xixa, shitja e së cilës ecte mirë pasi përdorej për të leshtat dhe një dyqan të ri që e ndërtoi më vonë. Dyqani që është ndërtuar në një pjesë të bazilikës është edhe ai që e zbuloi këtë rrënojë që mendohet e shekullit VI të erës sonë. Bujari tregon nga kujtimet e të atit se dyqani mbi bazilikë është ndërtuar në vitin 1934. “Është ndër të vetmit dyqane me bodrum. Atë e projektoi një inxhinier italian dhe gjatë ndërtimit të themelit për bodrumin u gjet një skelet, një përkrenare, një brez, dy shpata dhe një gurë me shkronja të skalitura. Sipas inxhinierit italian, kjo ishte gjë e mbarë, por sipas banorëve ai vend konsiderohej vend i mirë. Të gjitha materialet të shoqëruara me disa shënime për gjetjet e bëra u dorëzuan më muzeun e kohës që ndodhej në Kala ngjitur me murin lindor. Janë pikërisht këto shënime për zbulimin e bërë gjatë ndërtimit të murit nga gjyshi im që sollën edhe gërmimet në vitin 2007 dhe zbulimin e bazilikës. Në dyqanin në anë të bazilikës, Muç Shiku shiste mallra industrialë të të gjitha llojeve duke përfshirë artikuj shkollorë e deri vegla muzikore. Gjyshi aty linte çirakun e tij Sulën që për shkak të qëndrimit në dyqan për një periudhë të gjatë mori mbiemrin Shiku”, tregon nipi i tij, Bujar Shiku.

Pas lufte

Mustafa Shiku u rendit ndër tregtarët e tatuar me tatimin e jashtëzakonshëm. Tatimi që iu vu atij ishte më i madh se të tjerët, por ai është ndër të rrallët që e pagoi këtë tatim. “Ne familja e tij vazhdojmë të mendojmë se ishte pikërisht ky fakt që i zbuti pasojat kundër fëmijëve të tij nga diktatura. Menjëherë pas çlirimit gjyshin e morën dhe një nga gardianët e ka goditur me shpullë. Ai ka thënë dy shprehje që tregojnë fisnikërinë e tij dhe sidomos sakrificën. “Burri nuk rrihet. Pasuria ime ja ku është. Merreni. Ati jo vetëm i morën gjithçka kishte, por gjithashtu i ngritën kurthe që ai të përfundonte pas hekurave dhe ashtu ndodhi. Kështu i dërgojnë gjyshit një person që ai e njihte, i cili i lutet që t’i thyejë një dyshe flori. Ky person i kërkon t’ia thyejë pasi kishte fëmijët pa bukë. Gjyshi ia thyen dhe i jep lekë. Kaq ka mjaftuar që ta arrestojnë dhe për këtë të bëri edhe 6 muaj burg. Kur ka dalë nga burgu ai është kthyer në shtëpi me këmbë zbathur, pasi tashmë nuk kishte asgjë. Sërish nuk kishin të mbaruar provokimet dhe kurthet për të zbuluar nëse gjyshi kishte mbajtur para të tjera apo jo. Në shtëpinë që kishim na sollën dy qiraxhinj që t’i strehonim në një dhomë. Ata ndiqnin çdo lëvizje në shtëpi. Kështu një ditë, siç më tregonte bashkëshortja e xhaxhait, duke punuar në kopsht u gjet një poçe xhami, por që ishte e veshur përbrenda me një letër alumini. Ndërsa ata e kishin futur poçen brenda, ka mjaftuar kaq që të njoftohej policia e të gjithë të mbërrinin shumë shpejt, ndërsa “qiraxhinjtë” ndiqnin çfarë ndodhte me poçen. Por kur është hapur të gjithë kanë zbuluar se aty kishte ilaçe. Në atë kohë i ruanin në atë mënyrë”. Mustafa Shiku ndërroi jetë në 1967. Pak vite më vonë tregu i Bezistanit do të shkatërrohej me një urdhër të shpejtë e në vend të tij do të ndërtohej turizmi “Skampa”.

Jeta e familjes Shiku pas vdekjes së Mustafait

Edhe pse familja e tij i shpëtoi persekutimit, jeta për ta nuk do të ishte e lehtë. Fëmijët e Mustafait shkollohen në Normale e në liceun e Korçës. Ndriçimi, i biri i Mustafait do të emërohej mësues në fshatrat e Librazhdit. Ai bashkë me bashkëshorten shëtitën thuajse gjithë fshatrat e Librazhdit. Pas disa vitesh ai bëhet drejtor shkolle në Përrenjas ku edhe do të përballet me “biografinë” e tij. Një nga “shokët” e tij i organizon edhe situatën duke i gjetur edhe arsyen që ai të përfundonte në burg për 6 muaj. Pas kësaj periudhe Ndriçimit iu hoq e drejta të ushtronte profesionin e mësuesit. Kthehet në Përrenjas si punëtor i thjeshtë duke thyer gurë. Kryetari i kooperativës i asaj zone e merr të mbante shkresat. Por përndjekja nuk do të ndalej ndaj tij. Kur e arrestuan, në zyrën e tij në xhamin e tavolinës u gjet një letër ku ishte shkruar “Forca para drejtësisë është e barabartë me zero” dhe kështu përfundoi sërish në burg. Nëna e Bujarit, Flutura ishte mësuese. Të gjithë do ta mbajnë mend dhe e vlerësojnë mësuese Fluturën si një nga arsimtaret simbol të mësimdhënies dhe dashurisë për nxënësit.

 

Flet Drejtori i Trashëgimisë Kulturore, Kreshnik Belegu

Historia e zbulimit të mozaikut

Kreshnik Belegu, drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Elbasan, thotë se kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini ishte njeriu që ktheu vëmendjen tek një dokument që do të zbulonte më pas bazilikën e vjetër me mozaikë. Në bodrumet e muzeut historik, i cili ka ekzistuar deri para viteve ‘90-të gjendej një fragment mozaiku, i cili ishte nxjerrë pikërisht gjatë vitit 1932 kur tregtari Mustafa Shiku ndërtoi dyqanin e tij. “Ky ishte një ngacmim për mua dhe meqenëse ndodhej në qendër të qytetit mendoj se ishte një aset i rëndësishëm për qytetin e Elbasanit. Gjithmonë kam kërkuar të bëj një sondazh dhe të vërtetonim ose jo ekzistencën e këtij mozaiku. Në gusht të vitit 2007 kur po punonim për pastrimin e murit rrethues të Kalasë na shkoi mendja për të vazhduar më tej gërmimet. Në një fletore me shënime arkeologjike të lënë nga një ndër drejtuesit e muzeut tregon mbi mundësinë e një rrënoje arkeologjike në qendër të qytetit. Fletorja është e vitit 1952, midis gjërave të tjera ishte edhe ky shënim për mozaikun. Në vitet ‘30-ë gjatë gërmimeve është gjetur një varr monumental dhe në varr një copë mozaiku. Ne kishim edhe skicë dhe vendndodhjen e këtij varri. Duhet përshëndetur mbështetja që i bëri kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini kësaj iniciative për të bërë gërmimet. Ne u munduam në atë kohë që edhe gërmimin pavarësisht se ishte sondazh ta bëjmë me lejen e drejtorit të asaj kohe Muzafer Kërkuti. Gjithashtu bashkëpunoi Ylli Cerova dhe në vazhdim punuan edhe Ani Belegu dhe Mirela Alushi dhe fatmirësisht u zbulua u gjet kjo bazilikë. Për këtë na ndihmoi edhe një hartë topografike të kohës së Zogut. Përcaktuam një kuadrat dhe pas 4 ditëve u zbulua kolona e parë dhe tesera mozaiku që e vërtetonin këtë objekt. Dy javë pas sondazhit kapëm një fragment të nefit qendror dhe më pas vazhdoi ku u zbulua thuajse salla qendrore ku mozaiku relativisht ruhej mirë. Në fakt në një botim të revistës arkeologjike “Iliria” transformohet disi nisja e punimeve në këtë bazilikë. Kafkat e gjetura në varrin monumental janë tek Muzeu Kombëtar. Nuk di ku përfundoi përkrenarja dhe shpatat, thuhet se ato i mori inxhinieri italian që punoi aty. Po kështu ekziston edhe një dokument tjetër që vërteton vazhdimësinë e Bazilikës. Është ngritur një dyqan tjetër në krah të rrapit të Bezistanit dhe kur janë hapur themelet e këtij dyqani, kanë gjetur mozaikë dhe e kanë mbuluar shumë shpejt. Kjo e dhënë është shënuar nga historianët elbasanas”, përfundon rrëfimin Belegu.

Ledia Lleshi


2 Responses to Ndërtimi i dyqanit të Muç Shikut zbuloi bazilikën paleokristiane

  1. Zhuljeta Reply

    August 29, 2012 at 10:22 pm

    Zhuljeta,
    Respekt per kete familje, sidomos Ndriçimin e Fluturwn te cilet punuan me perkushtim. Flutura do mbahet mend si mesuese e afte, e talentuar dhe dinjitoze ne Elbasan.Mesuese te tilla rralle i vine qytetit.
    Me dashuri,
    Xhuli

  2. Anonymous Reply

    September 20, 2012 at 11:53 pm

    Shume respekte per familjen Shiku, kete familje te vjeter dhe te nderuar te Elbasanit. Dera e tyre ne kala ka qene e hapur per te gjithe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>