Hiqen 111 pyetje nga testi. Do të pakësohet numri i gabimeve
Ndryshojnë testet për pajisjen me leje drejtimi automjeti për shoferët e rinj. Pas shumë debatesh mes Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe shoqatës së autoshkollave për ndryshimin e këtyre testeve, prej muajit shtator kursant do të përballen me testet e reja. Burime nga DPSHTRr-ja bëjnë me dije se ka përfunduar hartimi i testeve të reja, të cilat u janë shpërndarë autoshkollave, për të dhënë oponencën lidhur me pyetjet e përzgjedhura që më pas të vendoset për variantin përfundimtar. Pyetjet që aplikohen në testet aktuale kanë që në vitin 2008 që janë rishikuar për herë të fundit dhe sipas specialistëve kishte ardhur koha që të ndryshonin. Këto ndryshime nuk kanë të bëjnë vetëm me uljen e numrit të pyetjeve që do të përdoren, por edhe në llojin e tyre. Ndërkohë aktualisht janë rreth 856 pyetje që përdoren në teste, ndërsa me ndryshimet e reja kanë mbetur vetëm 745 pyetje, pra janë hequr gati 111 pyetje. Mësohet se shkurtimi ka të bëjë në radhë të parë me pyetjet e dubluara, me pyetjet që për kohën, në të cilën jemi konsiderohen të panevojshme. Duke iu referuar testit, ekspertët e fushës deklarojnë se ka pasur dublime të njohurive që merr kursanti pranë Kryqit të Kuq. Për shembull, janë kushtet e dhënies së ndihmës së shpejtë, e cila jepet pranë Kryqit të Kuq, njëkohësisht është edhe Administrimi i Vendit të Aksidentit që jepet dhe pyetet nga ana DPSHTRR-së. I gjithë procesi i ripunimit të testeve ka përfunduar që në muajin qershor dhe tani pritet oponenca e Shoqatës së Autoshkollave që të vijohet më pas me nxjerrjen e testit final që do të aplikohet në muajin shtator. Lidhur me këtë fakt, kryetari i Shoqatës së Autoshkollave, Tonin Gjinaj, theksoi dje se numri i pyetjeve është përgjysmuar dhe po ashtu edhe formulimi i tyre. Me ndryshimin e testeve, do të rishikohet edhe numri i gabimeve që i lejohen kursantëve. Aktualisht, testi është i përbërë nga 40 pyetje dhe kufiri i gabimeve është 10. Me riformulimin e pyetjeve pritet një ulje e numrit të gabimeve për kandidatët, çka synon të rrisë përgjegjshmërinë e tyre. Gjithashtu, mësohet se ulja e numrit të gabimeve nuk lidhet vetëm më rregullat brenda vendit tonë, por ka të bëjë edhe me vendet e rajonit dhe standardet e BE-së. Kosova e ka me katër gabime, pra me 10 për qind kurse ne e kemi me 25 për qind. Ndërkohë në kuadër të këtyre ndryshimeve për pajisjen me leje drejtimi automjeti, mësohet se qytetarët që do të aplikojnë me formular, por firma dhe shenjat e gishtave do të jenë dixhitale. Çdo e dhënë apo dokumentacion që nevojitet për lejen e drejtimit do të dërgohet në mënyrë elektronike nga drejtoria te linja e prodhimit dhe qytetarit leja do t’i dërgohet me postë ose tek autoshkolla ku ka bërë kursin, ose te drejtoria ku ka aplikuar.
Patenta me pikë
Brenda qershorit të vitit të ardhshëm patentat shqiptare do të vlerësohen me pikë si në çdo vend të botës. Implementimi i kësaj patente bëhet edhe për shtrëngimin e masave për personat që shkelin rregullat e qarkullimit. Me futjen e patentes me pikë do të ndëshkohen personat që i shkelin rregullat e qarkullimit, për çdo shkelje që do të ketë, personit do t’i ulen pikët dhe do të ketë edhe pezullim të përkohshëm, madje në këto masa do të përshihet edhe heqja e patentës përgjithnjë. Patenta me pikë është hapi i parë që qytetari do ta aksesojë vetë faqen e tij nëpërmjet internetit, pra do të jetë një shërbim i hapur. Çdo person do të ketë pasuordin e tij dhe faqen e çdo qytetari do ta kontrollojnë institucionet përkatëse. Qëllimi i këtij ndryshim është që në rast se një qytetar ndëshkohet herë pas here atij do t’i reflektohen këto shkelje me uljen e pikëve për çdo shkelje që bëhet.
bunjamin
October 9, 2012 at 9:11 am
no koment