Në burg për 30 ditë Nazime Visha: E vrava për vetëmbrojtje

Versioni i plotë i Prokurorisë, nga njohja deri te detajet e vrasjes

Për 30 ditë do të qëndrojë në burg Nazime Visha, 18-vjeçarja që vrau me kallashnikov Fiqiri Muçën, 45 vjeç. Ky ishte vendimi i gjyqtarit Neritan Cena në seancën e djeshme që filloi rreth orës 10:00, në gjykatën e Tiranës. Ndërkaq, Prokuroria e Tiranës e akuzoi 18-vjeçaren për “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Nëse shpallet fajtore, rrezikon një dënim mjaft të rëndë që nis nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm. Gjykata e Tiranës pas një seance që zgjati 1 orë e 30 minuta vendosi ta lërë Vishën në “arrest me burg për 30 ditë”.

Pala mbrojtëse

Të vetmet fjalë që shqiptoi dje Nazime Visha ishin “Nuk e kam vrarë me dashje. E kam bërë për vetëmbrojtje. Nuk dua të flas. E kam bërë për vetëmbrojtje, pa dashje”. Ndërkaq, avokatja e saj, Vjollca Pustina, tha se vajza është një viktimë dhe shteti mund ta kishte parandaluar vrasjen e të kishte dënuar një pedofil, për shkak se i ndjeri e ka përdhunuar të mbrojturën prej saj që kur ishte 14 vjeçe.

Prokuroria

Në fjalën e tij prokurori tha se “në datën 14.08.2012 filloi procedimi penal ndaj Nazime Vishës. Nga hetimet e deritanishme rezultoi se viktima Fiqiri Muça prej disa vitesh njihej me babain e personit nën hetim, Beqir Vishën, për shkak të marrëdhënieve të punës që ai ka pasur në fshatin ku kanë banuar. Marrëdhënia e tyre është forcuar dhe më pas është bërë edhe një lidhje familjare mes tyre, e cila është kurorëzuar edhe me një martesë, ku vajza e Beqir Vishës është kurorëzuar me vëllain e viktimës, Fiqiri Muça. Duke pasur parasysh këtë marrëdhënie dhe këtë intimitet familjar të krijuar, viktima ka pasur mundësinë disa herë të hynte në shtëpinë e familjes Visha, si edhe të qëndronte edhe me ditë të tëra aty, duke pasur dhe marrëdhënie tepër të ngrohta me familjarët e familjes Visha. Nisur nga kjo lidhje, në kushtet kur ai mund të shkonte gjithmonë tek familja. Siç pretendohet nga ana e personit nën hetim, në moshën 14-vjeçare Fiqiri Muça e ka gjetur atë të vetme në shtëpi dhe e ka provokuar. Më pas ai e ka përdhunuar. Kjo histori ka mbetur gjatë e patreguar. Herë pas here ai kthehej dhe e dhunonte. Në dhjetor të vitit 2012 Nazimja u fejua me një djalë që jetonte në Itali. Fiqiri Muça e ka kërcënuar atë në telefon. Njëkohësisht ai ka kërcënuar në telefon edhe familjen e të fejuarit të saj. Fejesa është prishur. Familja Visha nuk ka qenë dakord me lidhjen. Në maj ai e ka mbajtur për 10-11 ditë në një pyll. Gjatë gjithë kohës Nazime Visha ka qenë nën terror psikik dhe dhunë seksuale. Pas kësaj është bërë kallëzimi, por ai është tërhequr më pas. Në 13.8.12 rreth orës 00.30 Fiqiri Muça me mjetin e M.B ka shkuar për ta marrë. Kur ka trokitur, Nazimja ka marrë një armë dhe ka qëllua mbi të. Ai është larguar, por është ndjekur dhe qëlluar sërish. Ai ka marrë mbi 5 goditje në pjesën e sipërme të trupit, ç’ka i kanë shkaktuar dhe vdekjen më pas. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar 29 gëzhoja, një palë syze, telefonat celularë dhe arma. Ende nuk i kemi marrë përgjigjet për armët. Shoferi i taksisë në deklarimet e tij ka thënë se kur ka dëgjuar krismat ka parë që pas Fiqiri Muçës po vraponin Nazmie Visha, si edhe gjyshi dhe xhaxhai i saj. Ka nevojë për saktësime dhe verifikime. Duhen verifikuar pretendimet e saj. Kërkojmë masë sigurie arrest me burg”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>