Në “luftë” me flakët 11 mjete, 250 ushtarë dhe një helikopter

Zjarri në Priskë të Madhe

Shtimi i tepërt i flakëve në fshatin Priskë e Madhe të komunës Dajt mobilizoi dje rreth 250 forca ushtarake, një helikopter, 11 mjete transporti dhe 1 autoambulancë. Në një njoftim të Ministrisë së Brendshme thuhet se zjarri, i cili prej katër ditësh ka përfshirë fshatin Priskë e Madhe, ku në rrezik është vënë edhe Parku Kombëtar i Dajtit, ka marrë përmasa dramatike, për shkak të erës, e cila ka favorizuar flakët e tij, që janë shpërndarë në një sipërfaqe edhe më të madhe. Për t’i ardhur në ndihmë pushtetit lokal, Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, Shërbimit Zjarrëfikës (PMZSH), por edhe banorëve të kësaj zone, efektivë të ndryshëm të Forcave të Armatosura, kanë vijuar angazhimin e tyre pa ndërprerje, me qëllim normalizimin e situatës së zjarrit në këtë komunë. Efektivë nga strukturat e Forcave të Armatosura po punojnë itensivisht, me të gjitha mjetet e domosdoshme për shuarjen e vatrës së zjarrit, e cila sipas informacioneve të marra nga vendi i ngjarjes, ndodhet në një terren tepër të thyer malor. Në krye të efektivëve të Forcave të Armatosura, gjatë kryerjes së këtij operacioni, janë zv/komandanti i Batalionit të II-të, nënkolonel Ardian Bali dhe zv/komandanti i Batalionit të I-rë, major Besim Bali. Sipas tyre, aktualisht situata paraqitet tejet e vështirë për shkak të terrenit të thyer, i cili e vështirëson operacionin, si dhe nuk mundëson përdorimin e mjeteve zjarrfikëse. Po kështu ndikimi i erës, i shoqëruar edhe me temperaturat e larta, e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, punonjësve të pyjores, por edhe të ushtrisë. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, menjëherë pas marrjes së sinjalit për ndihmë, dërgoi mbrëmjen e ditës së mërkurë, 185 forca ushtarake dhe 10 mjete transporti për të lokalizuar, normalizuar dhe më pas shuar flakët në fshatin Priskë e Madhe, numër ky i cili u rrit mëngjesin e ditës së djeshme, duke kapur shifrën e 250 efektivëve, 11 mjeteve transporti, një helikopteri dhe një autoambulancë. Gjithashtu u angazhuan 50 forca ushtarake, nga Brigada e Mbështetjes Rajonale (BMR), si dhe 3 mjete transporti tip “Iveco”, nga BMR, 1 helikopter AB 205, nga Baza Ajrore Farkë, ashtu si dhe efektivë të Bataljonit të dytë të Këmbësorisë, efektivë të Bataljonit Komando, efektivë të Forcës Tokësore, si dhe nga Bataljoni i Kërkim-Shpëtimit i Brigadës. Ndërhyrja e ushtrisë erdhi pas një kërkese të bërë nga autoritetet vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>