Gara për pranimet në universitetet publike, pas Tiranës rrethet
Renditja e degëve duhet të jetë e njëjtë në të dy formularët
Dita e sotme shënon edhe çeljen zyrtare të fazës së aplikimeve për pranimet në shkollat e larta publike të vendit. Maturantët e kryeqytetit do të jenë të parët që do të iniciojnë plotësimin online të 10 preferencave në formularin A-2, duke detajuar programet studimore se ku duan të vijojnë shkollën e lartë. Për plotësimin e këtij formulari maturantët e Tiranës kanë në dispozicion edhe ditën e nesërme dhe më pas në datat e përcaktuara e të shpallura për çdo rreth do të vijojë procedura e plotësimit të preferencave në të gjitha rrethet e vendit. Maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm në renditjen e preferencave, pasi gabimet gjatë procedurës së plotësimit apo dhe hedhja e të dhënave jo sipas rregullave të përcaktuara mund të vërë në rrezik vijimin e studimeve të larta. Krahas renditjes së preferencave online maturantët do të plotësojnë edhe formularin A-2 në letër, sikundër ka ndodhur në të gjitha vitet e aplikimit të maturës shtetërore. Ekspertët e maturës këshillojnë maturantët që të tregohen të vëmendshëm, pasi renditja e degëve duhet të ndjekë të njëjtën radhë si në formularin e plotësuar me shkrim, ashtu dhe në atë online. Njëkohësisht bëhet me dije se është mirë që të ruhen edhe fotokopje të formularit të plotësuar, në mënyrë që për çdo rast problematik që mund të lindë më vonë të bëhen ballafaqimet përkatëse. Plotësimi i formularit do të vijojnë deri më datën 5 gusht. Të fundit që do të plotësojnë formularin në këtë datë do të jenë maturantët e zonave që përfshin rrethi i Dibrës. Për vitin e ri akademik janë miratuar rreth 27 mijë kuota pranimi në universitetet publike.